E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishi: Qeveria, jo lehtësim për të pastrehët

Socialistët kritikojnë qeverinë për indiferentizëm ndaj të pastrehëve. Deputeti i PS-së, Besnik Dervishi, reagoi dje për strehimin e asaj pjese të shoqërisë që nuk është në gjendje të sigurojë një banesë në tregun e lirë. Përfaqësuesi i PS-së pohoi se premtimi i qeverisë për “lehtësimin e strehimit të familjeve të pastreha, duke investuar në ngritjen e katër mijë (4000) apartamenteve, me një bashkëpunim të ngushtë me qeverisjen vendore dhe me sektorin privat, jo vetëm që nuk mund të realizohet, por ritmet e ndërtimit të banesave për të pastrehët si dhe kujdesi buxhetor për këtë sektor është më i ulët se në vitin 2005''.

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën koston mesatare të ndërtimit dhe vlerën mesatare të apartamenteve në tregun e lirë të banesave, sipas qyteteve për vitin 2008, që do të ndërtohen nga Enti Kombëtar i Banesave. Lidhur me këtë vendim të fundit të qeverisë, Dervishi tha se “kjo kosto mesatare e ndërtimit të banesave do të kishte vlerë nëse kjo qeveri do të ishte duke ndërtuar realisht banesa për të pastrehët”.

Shalsi, LSI-së: Nuk preket gjelbërimi i parkut “Rinia”

Bashkia e Tiranës siguron LSI-në se parku “Rinia” do të mbetet i gjelbër dhe nuk do të dëmtohet nga ndërtimi i parkingut nëntokësor. Nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi, e konfirmoi dje këtë në mjediset e parkut duke i dhënë kështu përgjigje edhe shqetësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për betonizimin e Tiranës. Vendimin për ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësore në kryeqytet e mori Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit pak kohë më parë, por përfaqësues të partisë së Metës u ankuan se ka pasur mungesë transparence për këto dy projekte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›