Bogdani, Braçes: Dënimi i biologjisë, megafon trillimesh
Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, ironizoi dje me socialistin Erion Braçe duke i kujtuar se edhe biologjia e ka dënuar të jetë megafon trillimesh e mashtrimesh. Duke iu referuar kritikave pa baza të z.Braçe ndaj punës që po bën qeveria e djathtë, Bogdani u përgjigj: “Rama, pasi dështoi vetë në analizimin e 7-mujorit, nxori zëdhënësin e parë të politikës së re të trillimeve, të cilin biologjia e ka dënuar të jetë megafon mashtrimi. Si i tillë, - shtoi ai, - Braçe ndërmori sulmin e radhës kundër qeverisë duke trilluar sipas parimeve të politikes së re”. “Është e lehtë t'i përgjigjesh këtij mashtrimi, sepse së pari, lufta e kësaj qeverie kundër korrupsionit ka bërë që në tre vite kjo qeveri të mbledhë më shumë të ardhura se ç'ka mbledhur qeveria e tij në 8 vite”, - tha z.Bogdani. “Sepse, - shtoi zëdhënësi i PD-së, - ai së bashku me kolegët e tij zhvatnin paratë e taksapaguesve shqiptarë. Së dyti, - shtoi Bogdani, - lufta kundër korrupsionit ka bërë që qeveria të ndërtojë në tre vjet, shkolla, ujësjellës më shumë se ç’ka bërë qeveria e tij në 8 vite. Së treti, lufta kundër korrupsionit e kësaj qeverie ka bërë që në 3 vjet të rriten me 75% pagat e arsimtareve, me 89% për qind pagat e mjekëve dhe infermierëve. Ka bërë që të dyfishohet pensioni në fshat dhe të mos ketë pensione nën 100$ në qytet. Lufta kundër korrupsionit ishte faktor i rëndësishëm në arritjen e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO dhe nënshkrimin e MSA-së”, - u shpreh Bogdani. Sipas tij, binomi Rama-Braçe i di fare mirë këto arritje, por në frymën negative të politikës së tij të re të trillimit vazhdojnë të kenë frikë nga e vërteta.