Nënshkruhet kontrata e shitjes së 85% të aksioneve të ARMO-s
Ditën e djeshme ka përfunduar procesi i firmosjes, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për firmosje të kontratës së shitjes të 85% të aksioneve të kompanisë shtetërore të ARMO sh.a. Aksionet shtetërore të kompanisë së tregtimit dhe përpunimit të naftës i janë shitur konsorciumit përbërë nga tri shoqëri: Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas, INC. Çmimi i shitjes së 85 për qind të aksioneve të ARMO sh.a. është 128. 7 milionë euro. Konsorciumi i ka dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës një garanci kontrate prej 20 për qind të çmimit. Në bazë të kontratës së saponënshkruar, tri shoqëritë anëtare të konsorciumit janë përgjegjëse solidare për pagesën e çmimit të blerjes, zbatimin e biznes-planit, si dhe për përmbushjen e të gjitha garancive të tjera të shitësit në kontratën e shitjes së aksioneve. Blerësi ka garantuar respektimin e biznes-planit të dorëzuar në tender dhe investimin e një shume prej 240 milionë dollarësh gjatë 5 viteve. Qeveria i ka kushtuar vëmendje të veçantë përmirësimit të kushteve të mjedisit dhe mbrojtjes së tij. Prandaj dhe kontrata parashikon investimin e 50 milionëve për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit në tre vitet e para. Zbatimi i biznes-planit, përveç parashikimeve të ndryshme kontraktuale, garantohet edhe nëpërmjet penaliteteve që palët kanë parashikuar në rast moszbatimi të tij. Kontrata i detyron blerësit e ARMO-s të mos shesin aksionet e saj pa miratimin e ministrisë për një periudhë pesëvjeçare. Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës përfiton 100 për qind të dividentit nga ARMO-ja deri në ditën e bërjes efektive të kontratës.