E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli me diplomatët: Shqipëria, ndryshime rrënjësore



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pati në axhendën e djeshme takime të veçanta me diplomatët e Holandës, Danimarkës dhe Egjiptit. Ata i vunë në dukje transformimin e jashtëzakonshëm që kanë vënë re tek Shqipëria brenda një kohe të shkurtër. Topalli takoi ambasadorin e Holandës, Sweder van tot Voorst, atë të Danimarkës, Niels Severin Munk dhe të Egjiptit, Refaat El Ansary, të cilët janë në prag të largimit të tyre nga vendi ynë. Në këto takime, Topalli u interesua mbi shërbimin e ambasadorëve në vendin tonë si dhe përshtypjen e tyre për ecurinë e Shqipërisë drejt perëndimit. Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, ambasadori i Holandës, Tot Voorst shprehu kënaqësinë e tij për gjithçka që Shqipëria ka arritur vitet e fundit, duke shtuar se hapat e ndërmarrë drejt BE-së dhe NATO-s janë shumë domethënëse. Ambasadori danez shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur Shqipërinë në të gjithë proceset integruese si dhe për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Kryetarja Topalli falënderoi edhe për ndihmën që qeveria e Holandës jep në rritjen e kapaciteteve administrative në Shqipëri, duke përmendur bashkëpunimin më të fundit me Kuvendin e Shqipërisë për dhënien e bursave të studentëve shqiptarë në Kolegjin Evropian në Bruge. Në takimin me ambasadorin e Egjiptit, El Ansary, ai u shpreh optimist për integrimin e Shqipërisë. “Ndihem shumë i lumtur, që kam pasur nderin dhe kënaqësinë të punoj me personalitete si ju dhe të shoh transformimin e jashtëzakonshëm që ka bërë vendi juaj në vitet e fundit. Shqipëria është vendi im i dytë dhe me kthimin në vendin tim do të jem një ambasador i Shqipërisë në Egjipt”, - tha El Ansary. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Egjiptit i ka dhënë Shqipërisë, si dhe për përkrahjen në procesin e integrimit evropian të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›