E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, opozitës: Ju pushoni në San Trope, unë shtroj rrugë



Berisha pohoi se “kemi në ndërtim e sipër 800 km autostrada dhe rrugë kombëtare dhe janë në rikonstruksion mbi 1900 km rrugë ekzistuese kombëtare”. Ai tha se këtë vit investimet në rrugët e vendit kapin shifrën e 1, 2 miliard dollarëve, duke investuar 8 herë më shumë se në vitin më maksimal të qeverisë së majtë.

Kryeministri Sali Berisha u kundërpërgjigjet akuzave të opozitës për investime të pakta publike duke e ftuar të zbresë në terren dhe të shohë projektet e realizuara në mbarë vendin. Z.Berisha ishte dje në Tepelenë në vijimësi të turit “Shqipëria po ndryshon”, nga ku akuzoi të majtët se e kanë mendjen për të pushuar jashtë Shqipërisë në San Trope dhe Maldive, në vend që të shohin nga afër ndryshimet në jug të vendit. Duke iu referuar kritikave të së majtës, Berisha ironizoi duke thënë: “Opozita nuk e ka idenë çfarë është bërë në Jug. Ata e kanë mendjen të pushojnë jashtë”. Kryeministri u bëri thirrje kundërshtarëve politikë të lënë fjalët dhe të inspektojnë rrugët e vendit. “Në vend të pushimeve jashtë Shqipërisë, deputetët e opozitës të zgjedhin dhe të shohin nga afër ndryshimet në jug të vendit”, tha z.Berisha. Ai përmendi faktin se “kemi në ndërtim e sipër 800 km autostrada dhe rrugë kombëtare. Kemi në rikonstruksion dhe kemi rikonstruktuar mbi 1900 km rrugë ekzistuese kombëtare. Ne po ndërtojmë qindra dhe mijëra kilometra rrugë në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, në të katër anët e vendit”. Duke theksuar se këtë vit investimet në rrugët e vendit kapin shifrën e 1, 2 miliard dollarëve, që do të thotë se kjo qeveri ka investuar 8 herë më shumë sesa ç’është investuar në vitin më maksimal të qeverisë së mëparshme, pra në vitin 2004, Kryeministri ftoi përfaqësuesit e opozitës t’i shikonin vetë ndryshimet në rrugët e Shqipërisë. “Dëgjoja para dy apo tri ditësh opozitën që thoshte se edhe rruga Gjirokastër - Tepelene nuk ka përfunduar. Këta më lehtë e kanë të shkojnë në San Trope apo Maldive për pushime sesa të zbresin në Tepelenë dhe të shohin rrugën, e cila tashmë është e ndërtuar dhe e përfunduar”. Këtë deklaratë, Kryeministri e bëri gjatë inaugurimit të rrugës së re Tepelenë-Gjirokastër dhe në takimin me banorët e zonës së Ujit të Ftohtë. Punimet e kësaj rruge kapën vlerën e 25 milionë eurove. Berisha u shpreh se projektet infrastrukturore të qeverisë së tij e kanë ndryshuar Jugun. Ai përmendi edhe vijimin e punimeve në aksin Levan-Tepelenë. “Infrastruktura rrugore është primare për qeverinë time”, - tha Berisha. Projekti për rrugën Gjirokastër-Tepelenë, pjesë e Korridorit Veri-Jug konsiston në përmirësimin dhe modernizimin e rrugës ekzistuese që fillon 3 km në veri të qytetit të Gjirokastrës. Rruga me gjatësi 22.5 km, dhe gjerësi 10.8 m, me dy korsi, ka një vlerë prej 22.5 milionë eurosh dhe është financim i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Bankën Evropiane dhe një granti të Komisionit Evropian. Kryeministri përgëzoi projektuesit dhe ndërtuesit, të cilët ndonëse punuan me një terren të vështirë, për nga struktura gjeologjike, me punën e tyre voluminoze dhe përkushtimin, arritën të dorëzojnë një rrugë të cilësisë së lartë. “Rruga me gjatësi prej rreth 23 kilometrash dhe gjerësi 10 metra, kalon në një terren me strukturë gjeologjike tejet të vështirë, por konstruktorët dhe ndërtuesit kanë bërë një punë jashtëzakonisht voluminoze, duke dorëzuar një rrugë të cilësisë më të mirë”. Duke e vlerësuar rrugën, si një segment të rëndësishëm të boshtit Veri-Jug, Kryeministri Berisha informoi të pranishmit se shumë shpejt do të nisë puna për rrugën Levan-Tepelenë, për të cilën po kryhet studimi dhe fizibiliteti. “Dua t’ju garantoj, - u shpreh Kryeministri, - se boshti i Jugut nuk do të hiqet nga agjenda e Sali Berishës. Me këtë rrugë ne shkurtojmë mbi 70 km distancën Tepelenë-Tiranë dhe kjo mbetet një përparësi e qeverisë sime”. Kryeministri pohoi se ka pasur një vonesë në ndërtimin e kësaj rruge, e cila ka qenë plotësisht e justifikuar. “Kemi ruajtur këtë kompleks, këtë bukuri mahnitëse, të cilën projekti i parë e zhdukte. Nuk mund të pranonim ne t’i zhduknim Tepelenës një nga oazet, burimet dhe veprat natyrore më të bukura të Shqipërisë, siç është Uji i Ftohtë”, - tha Kryeministri. Ai siguroi se studimi aktual synon të përmirësojë infrastrukturën, duke ruajtur pasuritë natyrore dhe duke i kthyer ato në pika të frekuentuara për të gjithë. Kryeministri Berisha garantoi se zotimi i qeverisë për ta bërë Shqipërinë me rrugë evropiane do të përmbushet plotësisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›