Desada Metaj - Tani “Opinion” i Fevziut katër herë në javë në ekran
ermra shpetimi
Shtatori është muaji kur të gjitha televizionet kanë lënë kohën e ritakimit të tyre me publikun. Shumica prej tyre kanë bërë gati edhe spotet, me të cilat na premtojnë një stinë televizive tejet atraktive. E megjithatë, programet që kanë krijuar tashmë një traditë dhe një lidhje gati-gati shpirtërore me teleshikuesit e tyre, mbeten ata më të pëlqyerit pavarësisht risive televizive. E padyshim njëri prej tyre është emisioni “Opinion” i drejtuar nga gazetari i njohur Blendi Fevziu. Një program i bazuar mbi debatin politik, i cili në 11 vitet e tij ka shpalosur jo vetëm profesionalizëm, por në të njëjtën kohë ka konfirmuar edhe dëshirën e madhe të teleshikuesve për të qenë konsumatorë të politikës dhe të debatit që ajo ngjall. Mesa duket, kjo ka qenë kjo arsyeja, por edhe ambicia e një gazetari të talentuar si Fevziu, për të mbërthyer teleshikuesit jo në një darkë as në dy, por plot në katër net programi, i cili mban titullin e njohur, “Opinion”. Pra, katër herë në javë “Opinion”, do të zgjerojë tematikën e tij përtej politikës, duke kërkuar argumente interesantë nga kronika, problemet sociale, kulturore etj. Dhe kuptohet, një intensitet i tillë pune kërkon edhe një staf të posaçëm, i cili është vendosur tashmë ku kryeredaktore do të jetë gazetarja e mirënjohur dhe folësja e televizionit “Klan”, Desada Metaj. Eksperienca e saj 12-vjeçare në gazetari me siguri ka bindur Fevziun, që ta ketë Metajn krahun e tij të djathtë në maratonën e “Opinion” në “Klan”. Le të mësojmë më shumë rreth kësaj risie televizive nga biseda me Desadën.
- Ju jeni zgjedhur kryeredaktore e “Opinion”, emision shumë i njohur i cili vjen katër herë në javë, duke filluar nga shtatori. Si lindi kjo ide dhe më pas ky bashkëpunim i juaji me Fevziun?
- Fakti që publiku për kaq shumë kohë ka qenë besnik ndaj emisionit dhe temave të trajtuara në të, mendoj ka qenë një nga shtysat kryesore. Përpos faktit, kuotat gjithmonë në rritje të shikuesve (siç ka rezultuar dhe nga matjet e shikueshmërisë të realizuar në muajt e fundit) sollën rritjen e impenjimit për zgjerimin e diapazonit dhe kohës në dispozicion për t’u trajtuar.
- Do trajtohet vetëm politikë apo do zgjerohet diapazoni i temave përtej saj?
- Sigurisht që do jetë më e zgjeruar. Emisioni do tentojë të trajtojë temën kryesore të ditës, atë që është në qendër të debatit të publikut, pavarësisht se kujt fushe i përket. Vetëm të enjten, “Opinion” do ruajë formatin klasik të viteve të fundit.
- Jemi mësuar që kryeredaktorët t’i shohim në zyra dhe jo në terren, ndërkohë që ju duket se e pëlqeni shumë terrenin. Kryeredaktorja Metaj sa kohë do jetë në terren dhe sa në zyrë apo prapa kuintave gjatë transmetimit të “Opinion”?
- Terreni mbetet shkolla më e mirë e gazetarisë. Do të jetë vetë tematika e “Opinion”, e cila do të diktojë zhvendosjen e debatit në shtresa të ndryshme sociale dhe për rrjedhojë stafi i emisionit do të përcjellë me profesionalizëm këtë debat, nga ku ai lind në studiot e “Opinion”.
- Ju thatë se ky emision do merret edhe me probleme sociale, apo kulturore. Ndërkohë, edhe për këto probleme ashtu si për politikën duket se diskutojnë gjithmonë të njëjtit njerëz. A keni menduar për ta freskuar sadopak panelin e të ftuarve?
- Vlen për t’u zbuluar në shtator...
- Thuhet që një program elitar nuk ndiqet masivisht, ndërkohë që një komercial (i cili kritikohet për mungesë vlerash) krijon më shumë audiencë. Ju jeni përpjekur që këtë program ta ndërtoni jo vetëm si profesionistë të mirë gazetarie, por edhe si marketierë të mirë?
- Ju garantoj që emisioni do vazhdojë të mbetet elitar. Temat që do trajtohen do të prekin padyshim problemet e të gjitha shtresave, të gjithë do të shohin veten në “Opinion”, duke u bërë pjesë e profilit të pandryshuar të emisionit, thjesht elitar.
- Duket se pozicioni juaj më i ri është edhe një rritje në karrierën tuaj. Në fakt çfarë është gazetaria për ju dhe çfarë synoni të bëni më shumë, mbase për të pasur edhe një program ku të jeni ju si moderatore?
- Mendoj se ky është një vlerësim për punën time të deritanishme. Gazetaria është profesioni dhe angazhimi i përditshëm dhe tani jam tërësisht e impenjuar për sfidën që nis në shtator.
- Momentet më pikante si reportere cilat kanë qenë?
- Janë disa, mes tyre do të kujtoja transmetimet në “Shijak tv”, të 14 shtatorit, bashkë me kolegun Reis Çiço, transmetimin nga Vlora të vizitës së kryetarit të atëhershëm të opozitës, Sali Berisha, transmetimin maratonë të zgjedhjeve të vitit 2001, 2005, shpalljen e pavarësisë së Kosovës, eksperiencën e transmetimit direkt nga Beogradi.
- Duke punuar gjithmonë në media, të cilat njihen si përkrahëse të së djathtës, nuk e keni pasur problem se mos iu paragjykojnë për këtë fakt?
- Jo, nuk e kam pasur problem.
- Një gazetar njeh shumë njerëz, ndërkohë selekton ata të cilët dëshiron t’i ketë miq. Cilat janë ato figura publike me të cilët pi kafe Desada?
- Përderisa flitet për selektim, di të them me siguri që miqtë e mi më të mirë nuk janë kaq shumë të “njohur” për publikun.
Nëse Blendi....
-...do të kërkonte të ishe opinioniste në disa nga programet e tij, do pranoje?
- Pse jo....
- .... do kërkonte të shkoje për të bërë reportazh në Gjeorgji apo diku tjetër, ku jeta jote nuk do ishte e sigurt, do pranoje?
- Mendoj se do gjeja konkurrencë... por në fund do shkoja vetë.
- ...do ftonte shpesh politikanë nga e njëjta forcë politike, do ta këshilloje që të ishte më i paanshëm?
- Këshillimi nuk bën pjesë në detyrën time të re.
- ....do të kërkonte të lije studion e lajmeve, pasi ti duhet të përqendrohesh vetëm tek “Opinion” do të pranoje?
- Në ndonjë rast të veçantë patjetër.
- ...do të ftonte një personazh, i cili sipas teje nuk e meriton të jetë pjesë e panelit, do ia thoshe mendimin tënd?
- Nuk mendoj se përjashtimi bën pjesë në filozofinë e punës tonë.