E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i transparencës, ja si do korrigjohen gabimet

Ndonëse është i dyti vit që publikohet, maturantët janë ende të paqartë për të dhënat, që ofron “Libri i transparencës”. 

zirina llambro

Dje në Drejtorinë Arsimore të Tiranës dhjetëra kandidatë për shkollë të lartë kërkonin sqarime. Jo pak prej tyre, madje donin të dinin se në çfarë dege kishin fituar, gjë që do ta mësojnë pas disa javësh. Do të jetë Agjencia e Pranimit në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, që do të shpallë fituesit. Për t’u ardhur në ndihmë për çdo paqartësi që kanë, Ministria e Arsimit jep informacion të detajuar, për mënyrën si do të lexohet libri i transparencës. Në çdo shkollë është afishuar varianti i printuar i këtij libri. Kështu, çdo kandidat do të gjejë në të, gjithë elementet përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, të provimeve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij, degët që ofrojnë universitetet për vitin akademik 2008-2009. Mbi bazën e këtyre elementeve, në libër janë dhënë dhe pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficienteve të përcaktuar nga vetë shkollat e larta. Për çdo pakënaqësi, kandidatët duhet të drejtohen në shkolla dhe të plotësojnë formularin e korrigjimit të pasaktësive.
Formulari i korrigjimit
Bashkë me “Librin e transparencës” në formë elektronike, është dhe formulari i korrigjimit të pasaktësive, që lidhen me të dhënat personale dhe notën mesatare të çdo maturanti. Ky formular është përgatitur për të evidentuar ndryshimet që duhen bërë për një maturant. Ky formular plotësohet vetëm prej maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në “Librin e transparencës”. Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për Rrethin, Bashkinë/Komunën, Shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numri me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit, i cili konstaton pasaktësi në të dhënat e tij. Në pjesën e dytë, në seksionin: “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: Emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2). Praktikisht këto të dhëna janë si në “Librin e transparencës”. Në seksionin “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi: P.sh., nëse kërkohet ndryshim tek emri, te rreshti: Emri shkruhet si duhet emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: p.sh., edhe datëlindja edhe nota mesatare. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, si dhe nga drejtori i DAR/ZA. Pjesa e fundit e formularit të korrigjimit të pasaktësive, plotësohet vetëm nga APRIAL. DAR/ZA pasi mbledhin të gjithë Formularët e Korrigjimit të Pasaktësive, të plotësuar siç shpjegohet më lart, i përcjellin ato në APRIAL, sipas afateve të përcaktuara nga MASH.

Transferimi i studimeve, ja ç’duhet të bëni

Studentët e pakënaqur me llojin e degës që kanë, mund të  zgjedhin një tjetër. Por një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa kryer procesin e njohjes së plotë, ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve. Kështu, pasi të kryhet kjo procedurë, është vetë universiteti që hap rrugën për transferimin e studimit në cikle të ndryshme. Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë sekretarive të universiteteve 8 dokumente; kërkesë me shkrim, degën e shkollimit, kursin e studimit, sistemin e studimit, detyrimet e shlyera me notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me foto, planet dhe programet e lëndëve që ka kryer, si edhe nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo. Ndonëse ligjërisht është e mundur, transferimi i studimeve nga një degë në një tjetër në vendin tonë bëhet me vështirësi. Të paktën këtë ka treguar eksperienca e viteve të mëparshme.

Të dhënat që përmban “Libri i transparencës”
Nuk përfshihen në “Librin e transparencës”, maturantët që rezultojnë mbetës në një nga katër provimet e Maturës Shtetërore. Secili kandidat maturant ka kutinë e tij, ku në rreshtin e parë jepen: Numri rendor, numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore; emri, atësia, mbiemri, datëlindja; djathtas janë vendosur emërtimi i profilit të shkollës së mesme, që ka mbaruar (është një nga 48 profilet e plotësuar në Formularin A1) dhe së fundi numri i këtij profili. Në pjesën majtas janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 elementeve të Maturës Shtetërore, në bazë së të cilave llogariten pikët. Këta elemente janë dhënë jo vetëm me numrin e programit të studimit, por dhe me emërtesën përkatëse. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë kërkuar prej tij në Formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin dhe emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen tre koeficientet për secilin program studimi, sipas kësaj renditje: I pari: koeficienti i shkollës (KSH); I dyti: koeficienti për provimin e parë me zgjedhje (KZ1); I treti: koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje (KZ2). Llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs dhe për programet e studimit me konkurs (Akademia e Arteve, Akademia e Sporteve, Fakulteti i Arkitekturës, UPT). Në të dhënat e maturantëve të veçantë mund të ketë preferenca bosh. Kjo do të thotë se maturanti: nuk e ka zgjedhur atë preferencë, e ka mbushur me 000 në Formularin A2, nuk ka marrë pjesë në konkursin e atij programi studimi, apo ka marrë pjesë në konkurs, por nuk ka fituar pikët e mjaftueshme për kualifikim.

Universitetet, fituesit pas 10 shtatorit

Listat e para me fituesit e shkollave të larta do të shpallen pas  datës 10 shtator.

Do të jetë Agjencia e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, që në bazë të pikëve do të përgatisë listat. Më tej, pasi të jenë afishuar në gjimnaze ato do t’u jepen edhe universiteteve. Nga sa bën me dije ministria, kandidatët për në shkollat e larta duhet të bëjnë shumë kujdes me afatet e  regjistrimit. Ky proces do të kryhet në dy faza: Regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të universiteteve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të çregjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.
Dy fazat e regjistrimit
MASH sqaron se, shumë maturantë të regjistruar në universitetet  tona publike dhe të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Kandidatë të tjerë të regjistruar vendosin të ndjekin studime në universitete private apo nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante, të cilat plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni, hiqen nga lista të gjithë kandidatët, që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar. Shumica e fituesve në preferenca të tjera, mbeten fitues në po ato preferenca ku ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak.
Një pjesë e fituesve, në sajë të vendeve bosh nga mos regjistrimi në fazën e parë, ngjiten në preferencë. Kryerja e kësaj procedure u jep një shans edhe atyre kandidatëve, të cilët për pak pikë nuk arrijnë të shpallen fitues në degën, që kanë më shumë qejf. Do të jetë Ministria e Arsimit që do të përcaktojë afatet e regjistrimit. Si për atë paraprak ashtu edhe për përfundimtarin. Tejkalimi i këtyre afateve u heq automatikisht kandidatëve të drejtën për t’u pranuar në universitet këtë vit. Numri total i pranimeve në shkollat e larta publike është 21.312 kandidatë. Këto kuota të miratuara nga qeveria janë të ndara për të 11 shkollat e larta në vend.

Shpallja e fituesve

Lista e fituesve do afishohet në shkolla Fituesit duhet të zbatojnë afatet e regjistrimit Regjistrimi do të kryhet në universitete Kush nuk regjistrohet, përjashtohet nga studimet e larta MASH do të shpallë datat e regjistrimeve Nga kuotat bosh do të ketë fitues në të tjera degë

Fakultetet e dyta, dosjet në MASH deri më 10 shtator

Rreth 500 studentë do të kenë mundësi të nisin këtë vit një fakultet të dytë. Dosjet me të cilat do të konkurrojnë për të fituar duhet të dorëzohen në Ministrinë e Arsimit, brenda dhjetëditëshit të parë të shtatorit. Kandidatët do të përballojnë vetë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull do të përjashtohen vetëm studentët e shkëlqyer. Pra, nëse një student ka mbaruar me dhjeta fakultetin e parë, mjafton të paraqesë listën e notave dhe përjashtohet automatikisht nga tarifa. Sa u përket rregullave të konkurrimit, Ministria e Arsimit u ka lënë dorë të lirë universiteteve. Sipas këtij dikasteri, kriteret duhet të caktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë. Studentët fitues do të zgjidhen në bazë të diplomës së parë që kanë dhe notës mesatare. Kjo duke iu referuar konkurrimit me dosje, prej të cilit bëhet përzgjedhja. Nga sa bëjnë me dije vetë universitetet përgjithësisht, shihet përafërsia e diplomës. Çka do të thotë se nëse një person ka mbaruar shkenca politike si fakultet të parë, ka mjaft shanse për të ndjekur fakultet të dytë drejtësinë apo filozofinë. Nëse numri i konkurrentëve është shumë herë më i madh se ai i kuotave, seleksionimi bëhet përmes notës mesatare të tyre, duke u renditur nga dhjeta te pesa, bazuar në listën e notave të fakultetit të parë të çdo kandidati. Pra, kjo kategori studentësh, edhe pse ndjek shkollën e lartë me kohë të plotë (ditën), nuk jep konkurs me anë të provimeve të maturës, por thjesht dorëzon dosjen pranë fakultetit ku dëshiron të studiojë. Tarifat e studimit variojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›