E Diel, 1 Nëntor 2026

Desantila Kristo, sumundja e rretheve, mungesa e spektatorit

09/05/2005  Në edicionin e 4-të Festivalit Mbarëkombëtar të Aktrimit, komedia e autorit italian Dario Fo “Shitet një i vdekur” me regji të Donard Hasanit, pedagog i regjisurës në Akademinë e Arteve në Tiranë, me trupën e teatrit “Skampa” të Elbasanit, ka patur vetëm një aktore femër, Desantila Kriston. Komedia ka përcjellë një marrëdhënie të ngrohtë me publikun nën interpretimin e aktorëve Ilir Borodani, Genci Fuga, Fatmir Sina , Desantila Kristo dhe Hysen Mullajonuzi. Komedia fokusohej te marrëdhëniet njerëzore dhe të ngrohta të një shoqërie provinciale, një shoqëri që gërryen vetveten, ku një kriminel i deklaruar është më pak i rrezikshëm se shumë kriminelë të tjerë, që nuk shfaqen dhe qëndrojnë fshehur. Një komedi e këndshme që u pëlqye nga spektatori për mesazhin human që përcillte, por që edhe e bëri të qeshte me gjithë shpirt. Një nga personazhet kryesore Desantila Kristo, e vetmja femër e komedisë shprehet, se ka dhënë maksimumin në këtë komedi dhe se është e kënaqur për ekspresivitetin e rolit të saj në skenë. Duke folur për "Metropol", Kristo nënvizon faktin, se në 5 vite të karrierës së saj si aktore ka luajtur vetëm komedi dhe se ka ardhur koha të hyjë edhe në zhanrin dramatik.

A ju pëlqeu roli në këtë komedi?

Shumë! Ishte një rol i këndshëm dhe interesant, aq më tepër që isha e vetmja femër në komedi. Ishte një rol energjik, sepse ky personazh femër bën të gjithë lojën aktoriale dhe mban pezull gjatë zhvillimit të komedisë shikuesit. Eshtë një femër hileqare, që gjatë gjithë komedisë shtiret dhe në fund triumfon me djallëzinë e saj, duke i marrë lekë, madje, edhe babait të vët.

Besoni se e keni realizuar në parametrat e duhur këtë rol?

Mendoj se kam dhënë maksimumin dhe kam bërë të gjitha përpjekjet e mia për të dhënë më të mirën, por sidoqoftë e mira s'ka fund. Gjithësesi, e kam në natyrë që të mos jem asnjëherë e kënaqur pas shfaqjes, çuditërisht këtë herë them se e kam realizuar mirë.

Si është pritur komedia nga publiku elbasanas?

Në Elbasan është pritur shumë mirë. Megjithatë dua të them, se është sëmundje në të gjitha trupat teatrore të rretheve mungesa e spektatorit. Spektatori është i prirur pas spektakleve, por edhe këtu ka rënë ndjeshëm numri i tyre. Pra më dhemb ku shoh sallat jo plot e përplot, apo gjysmë të mbushura.

Keni fituar rolin e karakterit në Edicionin e 2-të Festivalit Mbarëkombëtar të Aktrimit në Fier. Pretendoni sërish për titull?

Sinqerisht edhe atëherë nuk garova për titull, por për të marrë dhe shkëmbyer eksperiencë mes aktorëve. Sa për çmim, atë e di juria dhe publiku që na ndoqi.

Cila është brenga juaj deri tani në fushën e aktrimit?

Epo kam 5 vjet aktore në profesion dhe kam luajtur vetëm komedi. Kam dëshirë të luaj edhe në dramë, megjithë ekspresivitetin tim në skenë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›