E Shtunë, 31 Tetor 2026

Desar Suljemani i ftuar në Klasik

Sezoni i Klasikut në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur gjerman Feliks Mendelson Bartold zhvilloi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit koncertin me muzikë dhome nga krijimtaria e këtij kompozitori, i cili sot renditet ndër emrat më të mëdhenj të muzikës klasike. Të ftuar në këtë koncert ishin artistët e njohur, violinisti Andreas Reiner dhe pianisti shqiptar Desar Sulejmani, ndërkohë që në violonçel ishte Pjetër Guralumi. Gjatë aktivitetit të tij kulturore edicioni i Klasik ka sjellë emra të talentuar artistësh, të cilët janë shpërblyer me duartrokitje dhe në skenën shqiptare për atë që ata i kanë dhënë publikut. Ndërkohë që pianisti shqiptar Desar Sulejmani tashmë është i njohur për suksesin e tij në skenat evropiane. Ai u lind në Shkodër në vitin 1978. Që në moshën 6- vjeçare ai filloi të luante në piano. Pasi frekuentoi shkollën e muzikës Prenk Jakova të qytetit të tij të lindjes, vazhdoi studimet në liceun artistik kombëtar Jordan Misja në Tiranë, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Si solist i orkestrës të harqeve Virtuozët e rinj të Tiranës nga viti 1995 - 1997 ai mori pjesë në turne në shtete si Franca, Belgjika, Hungaria dhe Italia. Në vitin 1996 regjistron CD e tij të parë me koncertin për piano në A - Dur, KV 414 nga Moxart në studiot e Radio Vatikan. Pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet për muzikë dhome pranë Prof. Andreas Reiner, pianisti i diplomuar Sulejmani studioi nga viti 2005 deri më 2008 dirigjim pranë Prof. David de Villiers në shkollën e lartë të muzikës Folkëang në Essen. Studime të cilat i mbaron me rezultate të larta në korrik të 2008. Sulejmani drejton që prej Majit 2006 Orkestrën Simfonike Heinrich Heine Symphoniker në Dysseldorf dhe dirigjon rregullisht Orkestrën Filarmonike të Akademisë së Arteve dhe Orkestrën Simfonike të RTSH në Tiranë.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›