E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Qeveria të dëmshpërblejë pronat e shkatëruara të banorëve të Jalës

Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Petrit Vasili  kërkoi  që të zbardhet skandali i Jalës dhe masakra e bërë me pronat atje. Gjithashtu, ajo kërkoi që qeveria të marrë masa të menjëhershme për dëmshpërblimin e personave për pronat e shkatërruara pa të drejtë banorëve të Jalës dhe të mos e shtyjë më këtë çështje dhe të veprojë po me atë shpejtësi që veproi për prishjen dhe shkatërrimin e  tyre. Vasili u shpreh se është e patolerueshme që edhe sot e kësaj dite nuk kemi asnjë veprim konkret as nga ana e qeverise dhe as nga prokuroria shqiptare për te zbardhur te vërtetën dhe përgjegjësit e saj. Qëndrimi i qeverise shqiptare është absurd dhe i kompromentuar për sa kohe qe ajo bën te paditurin dhe vazhdon me një kokëfortësi te thotë edhe me gojën e kryeministrit se ky është një problem i brendshëm i Bankës Botërore dhe gjoja klaneve brenda saj. Sipas tij, ky qëndrim i qeverise është qesharak, sepse në të njëjtën kohë që ajo ulëret për rrugën e mire që ka marrë projekti me ndërhyrjen e saj bën të paditurën kur vjen fjala për dhunimin e pronës se banoreve të Jalës dhe e kërkon fajin tek Banka Botërore. Gjithçka ka ndodhur lidhur me këtë dhunim të pashembullt të pronës dhe lirive të njerëzve në Jal, tha Vasili ka pasur ekzekutues të dhunshëm shtetërore që nga Ministria e Punëve Publike dhe Rregullimit të Territorit, policia ndërtimore. Sipas Vasilit, kushdo e ka të qartë se të gjithë këto organizma shtetërore lëvizin vetëm në bazë të urdhrave të shkruara që evidentojnë urdhëruesit dhe përgjegjësitë. Asnjë alibi nuk justifikon dot qeverinë për shkatërrimin e pronës së shqiptarëve të cilët ajo ka marrë përsipër të qeverisë. Ai theksoi se Prokuroria shqiptare duhet të ndërmarrë veprimet e saj ndaj kësaj çështjeje konkrete me përgjegjësi konkrete, sepse projektet janë një borxh që e paguajnë shqiptarët dhe jo Banka Botërore, por për të rregulluar jetën e tyre e në të mirë të shqiptarëve dhe  jo për tu bërë pre e interesave jo të pastra dhe korruptive.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›