E Diel, 1 Nëntor 2026

“Studentet ende pak informacion për kontraceptivët”



Mjekja obsetër-gjinekologe në qendrën shëndetësore të Qytetit Studenti, Eglantina Hoxha, pret çdo ditë dhjetëra studentë që kanë nevojë për shërbim të specializuar. Fillimisht ka punuar për 4 vjet në këtë qendër shëndetësore, prej vitit 2000-2004, dhe tashmë prej dy vitesh është rikthyer. Nga sa pohon ajo, situata është përmirësuar shumë, si në drejtim të informacionit, por edhe të ndërgjegjësimit që kanë studentet mbi marrëdhëniet seksuale. Në intervistën e saj për gazetën, ajo thotë se kjo është mjaft pozitive, por mbetet ende shumë për të bërë.
Ju keni kontakt të përditshëm me studentet që vijnë e vizitohen për problemet gjinekologjike, mund të na thoni sa të informuara janë për sëmundjet apo metodat kontraceptive e planifikimin familjar?
Ka një përmirësim të ndjeshëm, po të bëj një krahasim me vitet 2000, kur unë kam punuar në këtë qendër shëndetësore. Atëherë në rrethin e studentëve, as nuk dihej që ekzistonte një kabinet që ofronte shërbim gjinekologjik. është punuar fort për vite me radhë, duke organizuar në bashkëpunim me drejtorinë seminare nëpër godinat e vajzave, për të dhënë informacion mbi metodat kontraceptive moderne e planifikimin familjar, apo dhe duke dhënë informacion, pse një femër duhet të vijë periodikisht te gjinekologu. Me rikthimin para dy vitesh vura re një ndryshim të madh. Tani kemi studente që vijnë të kërkojnë informacion bashkë me partnerin apo edhe vetëm. Vijnë të vizitohen apo të marrin informacion për marrëdhënie seksuale të sigurta. Por gjithsesi ka dhe shumë nga ato studente që janë krejtësisht të pa informuara.
Në kuptim të pa informuara?
Për shembull, sidomos vitet e para që sa vijnë nga provincat na kanë ndodhur që të na shohin me habi, kur u kemi folur për metodat kontraceptive apo prezervativët. Kanë ardhur të prekura nga sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe nuk kanë pasur asnjë njohuri për to. Raste të tjera kemi pasur që përdornin pa kriter kontraceptivin e urgjencës, vetëm se ashtu u kishin thënë shoqet. Pra ka raste nga më të ndryshmet, sidomos ato nga rrethet e thella dhe zonat rurale.
A ka raste kur ju diagnostikoni sëmundje seksualisht të transmetueshme, si pasojë e një seksi të pambrojtur?
Padyshim që ka. Madje, pak javë më parë kemi diagnostikuar disa raste me sëmundje mjaft të rënda seksualisht të transmetueshme te disa studente. Rastet kanë qenë me kondilomë, dardanele, trikomonas (sëmundje këto që po nuk u trajtuan mund të shkaktojnë pasoja të rënda te femrat). Për fat të mirë, vajzat u paraqitën në kohë arritën të diagnostikoheshin dhe u kuruan mësëmiri. Do doja të vija theksin se këshillimi për marrëdhënie seksuale të sigurtë u është ofruar studenteve edhe në godina, në sajë të një sërë trajnimesh që ne kemi bërë. Po kështu një ndihmesë të madhe në këtë rast ka sjellë edhe trajnimi i farmacistes të QS, për metodat kontraceptive nga USAID, e cila jep këshillim edhe pa ndërhyrë stafi i mjekëve. Kjo ka bërë që kontraceptivi i urgjencës të mos përdoret më pa kriter.
Për çfarë asistence mjekësore vijnë më shpesh studentet dhe a ka diferencë midis atyre të sapoardhura në QS dhe viteve të mësipërme?
Nuk mund të bëj një prerje me thikë në këtë drejtim. Vijnë për të gjitha llojet e problemeve. Që nga dyshimet për një shtatzëni, deri te probleme me ciklin mestural apo shqetësime të tjera. Sa i përket pyetjes, nëse ka diferencë mes studenteve të reja dhe atyre më të vjetra, po ju them që ka dhe janë madhore nga viti në vit. Nga seminaret që ne kemi bërë dhe kontaktet me to, na ka rezultuar se shumë prej tyre vijnë në vit të parë dhe nuk kanë pikën e informacionit për kontraceptivët e sëmundjet, ndërsa në vitet e treta dhe të katërta janë shumë më të informuara.
A ofroni ju gjithë gamën e shërbimeve që i duhet këtij kontingjenti?
Qendra shëndetësore, siç e shihni ka kushte mjaft të mira. Ne ofrojmë një gamë të gjerë analizash, pasi kemi laboratorin që i kryen, ofrojmë asistencën e mjekëve specialistë dhe personelit të mesëm. E vetmja gjë që them se do t'i duhej kësaj qendre, sidomos për këtë shërbim, është instalimi i një aparature të ekos. Kjo do të bënte që shumë studente të mos sorollateshin në klinika private, por të merrnin këtu falas të gjithë shërbimin shëndetësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›