E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti Studenti,aty ku thyhen tabutë për seksin



zirina llambro

Jeta në konvikt dhe larg familjes, padiskutim që presupozon liri. Në qytetin e studentëve, kjo liri nuk ka sesi të mos lidhet me të pasurin e një apo disa të dashurve gjatë viteve të shkollës së lartë. Nuk mund të përjashtohet gjithashtu as një ndryshim rrënjësor i stilit të jetesës, nga ai i provincave apo qyteteve ku kanë jetuar më parë, për t'ju përshtatur metropolit. Gjithçka padiskutim lidhet me personalitetin dhe karakterin e gjithsecilës, por ndonjëherë nevoja, e pse jo, edhe dëshira apo të kuptuarit mbrapsht të gjërave, i kanë detyruar të ndryshojnë kryekëput. Në dhomat e 4000 vajzave, që aktualisht banojnë sot në Qytetin Studenti, historitë janë nga më të ndryshmet. Aty bashkëjetojnë në mënyrën më perfekte tabutë, parimet por edhe mungesa totale e tyre. Bisedat për seksin skuqin akoma shumë prej studenteve të viteve të para, ndërsa gjithçka vjen e bëhet më normale, për ato që kanë kaluar tanimë 2 vjet në kryeqytet. Informacioni për metodat kontraceptive dhe për marrëdhëniet seksuale të mbrojtura, tashmë është rritur ndjeshëm, por gjithsesi mbetet shumë për të bërë. Të paktën, nga sa pohojnë burime nga stafi i mjekëve të qendrës shëndetësore, por edhe nga drejtoria e QS, ka ende vajza por edhe djem që as nuk e kanë haberin e fjalës metodë kontraceptive, apo seks i sigurtë. Gjithsesi, sipas bluzave të bardha që ofrojnë asistencë, edhe në këtë pikë ka dallime mes rretheve. Madje, teksa pyet sidomos personelin që jep shërbim, në qendrën e vetme shëndetësore të QS nuk mungojnë edhe batuat, "Ka plot që të japin ujë në bisht të lugës".
Informacioni për kontraceptivët
Mjekët obestër-gjinekologë, që i ndjekin nga afër prej kontaktit të përditshëm me to, bëjnë edhe një kategorizim sipas rretheve. "Ka diferencë të madhe mes studenteve të vitit të parë, që sapo vijnë nga rrethet, apo zonat rurale, dhe atyre të viteve të dyta dhe të treta. Këto të fundit janë të informuara. Gjithsesi edhe në këtë pikë ka dallime. Për shembull, vajzat e Fierit, Beratit, Kuçovës, Lushnjes, deri diku edhe Gramshi e Elbasani, janë mjaft të informuara për seksin dhe metodat kontraceptive, çka shpesh edhe na ka habitur", shprehen mjekët gjinekologë. Sipas tyre, përkundër këtij bollëku informativ, në qendrën shëndetësore vijnë edhe studente të cilat nuk dinë çfarë është kondomi, apo si mund të përdoren pilulat orale, për të mos mbetur shtatzënë. Të tjera, pas vizitës gjinekologjike kanë rezultuar shtatzënë dhe kanë vendosur ta abortojnë fëmijën. "Kemi pasur edhe raste vajzash që kanë ardhur shtatzënë, të cilat i kemi rekomanduar për në maternitet. Disa madje kanë ardhur bashkë me të dashurin dhe kanë kërkuar këshillim, pasi nuk mund ta mbanin fëmijën dhe kanë vendosur bashkarisht që ta heqin. Të tjera vijnë vetëm dhe preferojnë të abortojnë edhe në klinika private", sqarojnë mjekët specialistë të qendrës shëndetësore. Nuk mungojnë edhe rastet kur studentët vijnë e kërkojnë këshillim, pasi të dashurit nuk i kanë besuar se kanë qenë të virgjëra.
Dyshimet për orgji dhe emergjenca
Ndonëse kanë qenë raste sporadike, dyshime hidhen edhe për seks me disa partnere, e për orgji. "U kemi dhënë shërbim të specializuar, studenteve të cilat kanë qenë të dëmtuara dhe sipas të gjitha gjasave, ose kanë kryer seks me disa partnerë, njëri pas tjetrit", sqarojnë burime nga stafi i mjekëve. Sakaq, një tjetër problem që duket se vitet e fundit ka gjetur zgjidhje është ai i përdorimit të pilulës së emergjencës. Pas trajnimit të farmacistëve, që ofrojnë shërbim brenda godinës së Qytetit Studenti, vajzat nuk e kërkojnë më aq shpesh sa më parë. "Mund të themi që në kohën kur jepej postinori, një pjesë e mirë e studenteve pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, e përdornin aq shpesh sa kishin edhe efekte anësore. Tashmë pas trajnimit të farmacistëve, në sajë të një projekti të USAID për planifikimin familjar, situata ka ndryshuar, është përmirësuar shumë", sqarojnë mjekët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›