Dëshira e madhe për të fituar pa i lënduar të tjerët
Në përvjetorin e katërt të shkuarjes në amshim Ibrahim Rugovës Pikërisht më 21 janar u mbushën katër vjet që kur familja, të afërmit, bashkëpunëtorët e tij, Kosova dhe mbarë populli shqiptar në gjithë gjeografinë e atdheut etnik dhe në diasporë, mbetën pa intelektualin, studiuesin dhe presidentin historik të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, i cili një jetë të tërë ia kushtoi shkencës, kulturës, lirisë dhe demokracisë së popullit të tij. Me humbjen e dr. I. Rugovës familja mbeti pa njeriun më të dashur, miqtë dhe bashkëpunëtorët pa fjalën e urtë e me shumë kompetencë, punonjësit shkencorë mbetën pa hulumtuesin e vyeshëm prej sensit të hollë të çështjeve albanologjike, shoqëria kosovare mbeti pa udhëheqësin e saj historik e shpirtëror. Kur Kosova rënkonte nën peshën e rëndë të okupimit serb, kur popullit shqiptar i shkeleshin të drejtat në mënyrën më barbare, ky njeri i devotshëm i kauzës kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishte ndër të parët që ngriti zërin lart kundër asaj shtypjeje që regjimi serb ushtronte ndaj popullit të tij, dhe për asnjë çast deri në frymën e fundit nuk u ndal së vepruari për lirinë e Kosovës. Sikur të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, edhe unë, si njëri nga bashkëpunëtorët e tij, ndjehem i prekur thellë dhe kam emocionet e mia të veçanta për mungesën e tij, por, njëherësh, shpreh ndjenjën e krenarisë që i takoj asaj Lëvizjeje të Madhe për çlirimin e Kosovës, të udhëhequr nga ideatori dhe vizionari i saj, dr.Ibrahim Rugova.Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944, në një vit të ftohtë dhe të egër që për Kosovën dhe shqiptarët zgjati me dekada. Kur kishte mbushur vetëm gjashtë javë, forcat çetnike – partizane, të udhëhequra nga komunistët jugosllavë, ia pushkatojnë babanë, Ukën dhe gjyshin e tij Rrustë Rugovën. Kosova dhe populli shqiptar po hynte në një dimër të gjatë dhe të egër. Për Kosovën dhe popullin shqiptar nuk ngadhënjeu lufta ndaj fashizmit. Përkundrazi, një fashizëm i ri, ai serbo - jugosllav do të vazhdojë me dekada të tëra. Edhe vitet e nëntëdhjeta, si dhe të tjerat dekada para tyre, ishin për shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi shumë të rënda. Dhuna dhe terrori shtetëror vazhdonte me të gjitha mjetet. Shqiptarët, të ndarë padrejtësisht nga trungu amë dhe më pastaj të perimtësuar në shumë njësi federale të tjera në ish-Jugosllavi, iu nënshtroheshin një politike diskriminuese dhe raciste. Doktrina famëkeqe antishqiptare çubriloviçiane po gjente zbatim edhe në Jugosllavinë e Titos. Shqiptarët persekutoheshin, diskriminoheshin dhe ndiqeshin nga trojet e tyre etnike. Burgosjet, vrasjet dhe helmimet ndaj popullatës shqiptare vetëm që ricikloheshin dhe nuk kishin të ndalur. Por, edhe qëndresa dhe lufta e popullit shqiptar për më shumë të drejta, liri dhe mëvetësi nuk shuhej dot. Në këso rrethanash shoqërore dhe kombëtare u rrit dhe u shkollua Ibrahim Rugova. Ata që e kanë njohur për së afërmi fazën djaloshare të tij e përshkruajnë atë si njeri të qetë, por të etur për dije; si njeri të sakrificës dhe që e donte fitoren dhe lirinë. Gjatë aktivitetit tim si nënkryetar i LDK-së kam pasur rastin përpos të tjerash t’i dëgjoj dy rrëfime interesante për Ibrahim Rugovën. Njërin nga vëllezërit e mi, Pjetri, që në vitet ‘60 ishte nxënës në gjimnazin - atëherë “Ivo Lola Ribar” të Istogut (tash Burimit) - rrëfen se Ibrahim Rugova kur vinte nga Normalja e Pejës, kthente shpesh në oborrin e gjimnazit në fjalë për të luajtur volejboll, ku ai tregonte një dëshirë të madhe për të fituar lojën, por ishte tepër i kujdesshëm për të mos i lënduar të tjerët. Rrëfimi tjetër ishte i një arsimtari, i cili në një ndejë pas një aktiviteti të Degës së LDK-së për Istog, tregoi se si Ibrahim Rugova kur kishte qenë nxënës, në punimin e tij me shkrim nga lënda e gjuhës dhe letërsisë shqipe kishte filluar fjalinë pas çdo pike me shkronjë të vogël. Kjo e kishte irrituar arsimtarin dhe e kishte vlerësuar këtë veprim negativisht, duke e qortuar se kjo është kundër rregullave të drejtshkrimit. Ibrahimi, nxënës, kishte argumentuar këtë veprim të tij se kjo që shkronja e madhe duhet të qëndrojë çdoherë para shkronjës së vogël është vetëm një marrëveshje.”Edhe shkronja e madhe duhet të mësohet që para saj të qëndrojë shkronja e vogël”, ishte shprehur Rugova nxënës....