E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë, Panajot Pano!

Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë – I është dhënë lamtumira e fundit legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano. Personalitete të larta të vendit, përfaqësues të fushës së sportit, miq dhe të afërm të tij si dhe dashamirës të futbollit që për vite me radhë kanë pasur idhull Panajot Panon, kanë bërë homazhe në nder të tij, në hollin e Pallatit të Kongreseve. Rreth mesditës, arkivoli i mbuluar me flamurin e Sportklub Partizanit dhe fanelën me numër 10, nën të cilën talenti Pano luajti për 15 vjet, u vendos ne hollin e Pallatit të Kongreseve. Në nder të Panajot Panos dita e djeshme u shpall ditë zie kombëtare në kujtim të legjendës së futbollit. Flamujt nëpër institucionet shtetërore dhe publike u ulën në gjysmë shtizë. Gjatë gjithë paradites Pallati i Kongreseve ishte mbipopulluar nga të afërmit, miqtë, shokët dhe dashamirës të futbollit që prisnin mbërritjen e arkivolit, për ti bërë homazhet e fundit, me nderime dhe respekt ashtu siç e meritonte Panajot Pano. Edhe Krerët më të lartë të shtetit, presidenti Bamir Topi, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar dhe zyrtarë të botës së sportit bënë homazhet e fundit para trupit të pajetë të legjendës Pano. Pas homazheve, trupi i Panajot Panos u përcoll për tu prehur përgjithmonë në varrezat e Sharrës, në periferi të Tiranës. Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, nderoi dje me respekt dhe dhimbje të thellë kujtimin e futbollistit më të madh shqiptar, Panajot Pano, i cili u nda nga jeta parakohe, pak ditë më parë në moshën 70-vjeçare. “Sigurisht që kam shumë dhimbje për ndarjen nga jeta të një talenti të rrallë. Por në të njëjtën kohë të një njeriu ekstremisht modest dhe përtej dhimbjes njerëzore që ndjen çdokush, isha me fat që në këtë jetë pata mundësinë të shikoj talentin e rrallë të sportit shqiptar në fushën e blertë. Për më shumë isha me fat që njoha nga afër një njeri me një dimension të rrallë njerëzor, ku i rrethuar më shumë se kush nga një tifozllëk sportiv dhe njerëzor, ky njeri ishte jashtëzakonisht i thjeshtë. Me këtë shpjegohet që ai sot nderohet nga shumë njerëz të thjeshtë, kolegë të tij, por mbi të gjitha nderohet nga mbarë populli shqiptar. Pra isha me fat realisht që e kisha Panajotin një mik personal”. Ylli Shehu, ish-sulmuesi i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares, e kujton Panajot Panon. “E mbaj mend edhe si trajner, por edhe si babanë e shokut tim të ngushtë, Ledios. Ngaqë kemi qenë në një grup me Ledion, pasi kemi luajtur bashkë me të rinjtë dhe të rriturit, kam pasur shumë afrimitet. Ka qenë një njeri i dashur, një njeri popullor. Një njeri perfekt. Kam mbi dhjetë vjet që unë kam lënë sportin, Pano ka më shumë se 30 vjet, nuk ka njeri që të kujtohet si ai, si sportist nuk diskutohet, por edhe si njeri”. Genc Tomori, drejtori i Akademisë së Futbollit “Partizani”, kujton: “Jam i një brezi lojtarësh që u rritën me Panon. Kam fatin më të madh që jam lojtar i Panajot Panos. Mund të jem nga të vetmit që më ka zgjedhur dora e Panajot Panos, qysh kur kam qenë me të rinjtë. Pano dha vlerësimin e tij për mua që unë të vazhdoja me ekipin e parë të Partizanit. Kam pasur fatin që për katër vjet me radhë të mbaja numrin 10. Pano kur la futbollin ia dorëzoi Agim Muratit (edhe ky nuk jeton më), Gimi ma la mua, dhe unë më pas ia dorëzova Ledios, djalit të Panajotit”. Sulejman Starova, drejtori aktual sportiv i Partizanit, është dhe trajneri i fundit që u ka dhënë titullin kampion të kuqve, pikërisht në sezonin 1992-1993. Sula thotë: “Për fatin e mirë timin, kam kaluar një periudhë të gjatë me Panajotin. Kontaktet e mia të para kanë qenë kur unë kam qenë lojtar te Shkëndija, luaja me të rinjtë atëherë. I madhi Loro Boriçi, kur grumbullonte ekipin kombëtar bënte ndeshje testuese me të rinjtë e Shkëndisë. Atëherë, si mbrojtës që isha, kam luajtur kundër Panajotit. Kam luajtur kundër Jotit edhe kur kam qenë lojtar me ekipin e parë të Shkëndisë. Më pas u bashkuam në klubin Partizani, kur Joti ishte ndihmëstrajner i Bejkush Birçes. Kemi bërë ndeshje të mrekullueshme në kampionat, në kompeticionet evropiane. Figura e Panajotit nuk ka nevojë për koment. Është më i madhi i sportit shqiptar, mbreti i futbollit, futbollist i shekullit. Ishte kulmi i modestisë. Asnjëherë në jetën e tij nuk ka folur për veten. Super i thjeshtë. Gjithmonë buzagaz. Kam pasur fatin, kur para disa vjetësh, Panajoti kaloi një sëmundje të rëndë, u ngarkova nga Komiteti Ekzekutiv dhe presidenti i asokohe, Miço Papadhopulli, ti jepja një kontribut financiar tonin, ishin nja 7 mijë dollarë dhe Panajoti tha duke qeshur: Këto lekë si kanë mbajtur kurrë duart e mia. Ishte shumë prekëse, por e tha me humor. Është një dhimbje e madhe për të gjithë, e pazëvendësueshme”. Ndërkohë presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agim Fagu, theksoi meritat e veçanta që ka Pano në ngritjen e sportit shqiptar në përgjithësi dhe futbollit në veçanti. “Kemi humbur një figurë që përfaqësonte sportin shqiptar në botë më mirë se kushdo tjetër”, - tha Fagu gjatë homazheve në nderim të Panajot Panos. “Të kesh prind Panajot Panon është një privilegj dhe një detyrim. Sot është dita më emocionante e jetës sime”,- tha djali i Panajotit, Ledio, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në homazhe për nderimet që i bënë të atit. Ndërkohë që presidenti i klubit të Partizanit, Albert Xhani, deklaroi se kryesia e Partizanit do të mblidhet për të tërhequr fanellën me numër 10 të figurës më të shquar të Partizanit, Panajot Panos, e cila do të mbetet për gjithmonë në kujtesën e tifozëve si fanella e legjendës Pano. Të paharrueshme do të mbeten ndeshjet që Pano zhvilloi në karrierën e tij të pasur. Gjatë 20 viteve të karrierës së tij futbollistike, Panajot Pano luajti me fanellat e Tiranës, Partizanit dhe Kombëtares Shqiptare, duke zhvilluar mbi 600 ndeshje dhe duke shënuar 450 gola. Talenti i tij u shqua si në Shqipëri, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Vlerësimet e ish-trajnerit të përfaqësueses së RFGJ-së, Helmut Shën, se “Shqipëria ka një futbollist të madh, Panon”, të Franc Bekenbauerit, ish-kapiten i përfaqësueses së RFGJ-së, se “më pëlqeu kundërshtari im, Bizi, ndonëse në Gjermani njohim më shumë Panon”, i ish-mbrojtësit të përfaqësues gjermane, Villi Shulc, se “askush në vendin tim dhe jashtë tij nuk ka guxuar të më sjellë rrotull, të më kalojë dorë për dore, të më gjunjëzojë, ashtu si Pano”,- janë sot “kurora” më e fisme te koka e këtij gjiganti të futbollit shqiptar.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›