Evropiane apo euroatlantike
Tash sa kohë hyrja në Evropë konkretisht në BE për Kosovën dhe për krejt rajonin është bërë busulle orientimi politik dhe jo vetëm politik. Ecja drejt këtij qëllimi është bërë bazë mbi të cilën sendërtohen shumë pikëpamje, mbi të cilën konceptohen shumë ide dhe shumë vlera. Përmbushja e tyre është bërë barometër vlerësimi për, sukseset apo për dështimet për të gjitha shoqëritë në rajon të cilat ende nuk janë pjesë e BE. Synimet e një arritje të tillë, janë bërë bazë mbi të cilat sendërtohet legjitimiteti shtetëror i vendeve që kanë ambicie të tilla. Nuk ka shtet, apo njësi tjetër politike, federatë, konfederatë apo njësi autonome, që nuk e ka të konceptuar një legjitimitet. Ajo bëhet bazë mbi të cilën ngritët arsyeja pse ai shtet ekziston. Ky legjitimitet shtetëror është një togë vlerash morale, politike, shoqërore që bazohen edhe në të kaluarën por edhe në qëllimet për të ardhmen. Ato kur më shumë e kur më pak bazohen edhe në memorien kolektive, duke i marrë në përdorim edhe vlerat që i kanë rezistuar kohës, për t’i futur përsëri në përdorim. Dikur vendet e ish bllokut komunist e kishin një legjitimitet shtetëror të përçudshëm. Së pari ato nuk trashëgonin asgjë nga e kaluara, sepse atje nuk e gjenin bazën e nevojshme për ta ndërtuar njeriun socialit. Ky njeri apo aspirata për ta bërë një të tillë, plus ideologjia komuniste, prona shoqërore dhe sistemi njëpartiak, përbënin bazën e legjitimitetit shtetëror të këtyre vendeve. Shtetet komuniste kishin dallime ndërmjet vete, por pak a shumë ky legjitimitet ishte thelbi i tyre. Ta zëmë në BRSS bëhej përpjekja që ta ndërtonin njeriun e ashtuquajtur ‘homosovjetikus’ ndërkohë në Jugosllavi ai duhet të ishte një krijesë e re me të kaluar të seleksionuar jo nacionale, si njeri me identitet të ri, njeri jugosllav. Dallime të kësaj natyre ndërmjet vendeve ish komuniste ka pasur edhe në fusha të tjera, por që në thelb nuk ndryshonin.Me përmbysjen e komunizmit do të ndodhin lëvizje të mëdha. Një nga më të vështirat do të jetë krijimi i vlerave të reja me të cilat do të ristrukturohet një bazë e re për ta ndërtuar mbi te një legjitimitet të ri shtetëror. Ai duhej të ishte krejt tjetër nga i mëparshmi. Me këtë rast ndodhi edhe kthimi në të kaluarën. Sepse në raste të krijimit të një legjitimiteti të ri për kohëra të reja, pas përmbysjes së komunizmit, vlerat e mënjanuara për shumë vite u rikthyen. Vlerat nacionale, fetare dhe njerëzore u bënë të përdorshme dhe shumë aktive në këtë projekt. Ndërkaq vlerat e reja për këto vende, si liberal-demokracia, prona private e tregu i lirë dhe të drejta e njeriut, u pranuan si kompatibile, që së bashku të sendërtojnë një legjitimitet të ri të shteteve postkomuniste. Kjo pati sukses dhe kjo po dëshmohet çdo ditë nga vendet e shumta të Evropës lindore të cilat edhe janë bërë pjesë të barabarta të BE. Në kohën kur zunë fill ristrukturimet e reja në shtetet ish komuniste të Evropës lindore flitej për erërat demokratike që frynin nga bota perëndimore, flitej për Evropën dhe për ShBA-t që ishte motori lëvizës i këtyre erërave. Me kalimin e kohës për arsye e interesa të ndryshme janë shfaqur prirje të cilat duan të vënë qëllimisht vija dalluese si parakusht për të bërë ndarje ndërmjet asaj që sot është BE dhe ShBA-s. Të tilla prirje determinohen nga pakënaqësia se ky koalicion BE dhe ShBA po bëhet i fortë. Rendi i sotëm botëror, nëse kalkulohet me kujdes të shtuar, edhe pse ekuacion i komplikuar, lë të kuptohet se BE dhe ShBA do të vazhdojnë që ta shtojnë edhe më bashkëpunimin si atë ekonomik, ashtu edhe atë politik, por dhe ushtarak. Kjo determinohet nga fuqitë e tjera në lojën e madhe planetare, si Kina, Rusia, India apo si Korea e Veriut, Irani apo ndonjë koalicion i ri me marrëveshje të reja ndërmjet tyre.Nisur nga kjo, legjitimiteti i shtetit të Kosovës duhet të vazhdoj të njëjtën rrugë që e kanë bërë edhe ish vendet e tjera komuniste me vlera të dëshmuara evropiane dhe euroatlantike. Aq më shumë kur kjo edhe mund të nënkuptoj se, pengesat ahtisariane sot, mund të ndryshojnë e plotësohet përgjatë rrugëtimit tonë për në BE. Mos bërja e dallimeve ndërmjet asaj evropiane apo euroatlantike për ne është parakusht për ndryshimet kualitative në legjitimitetin ahtisarian. Nëse këtë ndarje e bënë dikush në Kosovë ai mund të ketë vetëm interesa të ngushta, as sesi interesa të Kosovës....