E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikanët kritikojnë ashpër fjalimin e Obamës

Autori i Lajmit: Redaksia
SHBA - Vendi nuk mund të lejojë që demokratët shpenzues të zbatojnë ngritjen e taksave, të cilën po propozojnë, deklaroi guvernatori republikan i Virxhinias, Bob McDonell, duke reaguar kështu në emër të republikanëve ndaj fjalimit drejtuar kombit, që mbajti presidenti amerikan, Barak Obama. Para turmës së mbështetësve të tij në Riçmond, McDonell theksoi se politika e demokratëve po rezulton me një nivel të paqëndrueshëm të borxhit. Ai theksoi se amerikanët dëshirojnë një sistem të sigurimit shëndetësor, të cilin mund tia lejojnë vetës, por nuk dëshirojnë një sistem të sigurimit, i cili do të drejtohet nga qeveria. “Sot, qeveria federative thjesht po tenton të bëjë shumë. Gjatë vitit të kaluar, tre milionë amerikanë kanë mbetur pa punë, por Kongresi demokrat po vazhdon shpenzimet e deficitit, duke shtuar burokracinë dhe duke shtuar borxhin kombëtar për fëmijët dhe nipërit tanë”,- tha McDonell. McDonell reagoi në emër të republikanëve ndaj fjalimit, që Obama mbajti të mërkurën. Republikanët e përzgjodhën McDonellin si simbol të sukseseve të tyre të fundit në zgjedhje. Republikanët ndihen të fortë pas një serie fitoresh të arritura në zgjedhje, përfshirë këtu edhe fitoren e republikanit Skot Braun, në zgjedhjet për senat, të cilat u zhvilluan në Massaçusets. Që nga kjo humbje e demokratëve, Obama ka forcuar retorikën e tij populiste dhe ka premtuar përqendrimin e sërishëm të vëmendjes në përpjekjet për hapjen e vendeve të reja të punës. Republikanët nga ana e tyre kanë theksuar se nga Obama kërkojnë më shumë vepra, e më pak retorikë. Ata ankohen se paketa e nxitjes, prej 787 miliardë dollarësh, e miratuar vitin e kaluar, nuk ka ndihmuar në rritjen e punësimit. Udhëheqësi i minoranceës në senat, Miç Mekkonell, theksoi se ai do të pranonte që të bashkëpunojë me demokratët, nëse ata do të ndiqnin politika më të moderuara. “Shpresoj që përqendrimi i ri i administratës në ekonomi do të bindë atë që tu thotë jo shpenzimeve dhe borxhit shtesë”,- tha McDonell. Demokratët u kundërpërgjigjen, duke theksuar se pjesa më e madhe e borxhit kombëtar është rezultat i politikave ekonomike, të cilat kanë ekzistuar gjatë kohës sa republikanët e kontrollonin qeverinë federative. Obama theksoi se ai ka ulur taksat dhe nuk i ka ngritur ato, që nga ardhja e tij në pushtet para një viti. Fjalimi i McDonellit ishte përgatitur që të duket si një “fjalim më i vogël drejtuar kombit”. Ai foli para një audience prej 300 personash.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›