E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Elona Ceva, jeta e 33 vjecares e cila peshon 200 kg

TIRANE- Elona Ceva, është 33 vjece, por jeta e saj nuk është jeta e një vajze të re në moshën e saj. Është detyruar të ndëpresë shkollën që në klasën e gjashtë, ndërsa prej dy vitesh nuk del më as nga pragu i derës. Elona vuan nga poliomeliti me zhvillim të vonshëm, një sëmundje që i ka shkaktuar një mbipeshë tej normës. Ajo peshon 200 kg dhe prej dy vitesh gjithë jeta e saj është vetëm brenda një dhome të vogël, ku jeton së bashku me të ëmën.Elona zgjohet dhe fle në të njëjtin divan, pa lëvizur as më të voglin gisht as ditën e as natën. Pranë ndodhen një tavolinë plot me ilace, dhe tavolina ku është vendosur aparati i oksigjenit.Është janar dhe bën ftohtë. Të ardhurat e pakta nuk lejojnë që ngrohja në banesën e saj të vogël të jetë normale. Elona qëndron në shtëpi me kapuc në kokë, jelek dhe shall. Njësoj si moshataret e saj, por që në këtë mënyrë vishen kur dalin jashtë shtëpisë, për një shëtitje apo në punë. Me një zë fëminor, jo normal për moshën Elona është e vetëdijshme se sëmundja e saj i ka shkaktuar gjëndjen në të cilën ndodhet.“ Kam ndjekur shkollën Luigj Gurakuqi deri në klasën e gjashtë, më pas jam sëmurë. Nuk kam shoqe e shokë se nuk dal më jashtë ” tregon Elona për emisionin “Me zemër të hapur”në tv NEWS24. Shpesh gjatë ditës Elona duhet të qëndrojë me maskë në fytyrë pasi aparati frymëmarrës i saj është shumë i dobët.Tashmë i ka ndërprerë të gjitha kontaktet me botën e jashtme, i vetmi mjet që e mban të lidhur nga jeta sociale është televizori. Të vetmit miq të saj, janë e ëma dhe një komshie Lefteri Halili e cila i vjen në ndihmë me sa mundet. Pyetjes se kush kujdeset për ty, Elona i përgjigjet shkurt.. Mami dhe teta Lefteria, dhe për ti treguar mirënjohjen gruas i buzëqesh dhe i afrohet për ta përqafuar. “Mundohem ti ndihmoj”- , tregon gruaja e cila mesa duket është bërë prind I dytë për Elonën, -Vij kur më kërkojnë, natën, ditën, por kjo ka nevojë për njeri. Jetojnë në shtëpi me qera, Dua ti ndihmoj, bëj sa mundem, por jam me burrë, me kalamaj, skam mundësi për vete ”- tregon Lefteria duke dëshmuar kështu se si kjo familje, edhe ajo jeton me të ardhura të pakta ekonomike. Familja jeton vetëm 16 mijë lekë që përfiton nga ligji i paketës sanitare si dhe kujdestaria e nënës së saj, të pamjaftueshme as për ilacet, as për një karrocë me të cilën Elona të dalë dhe një herë jashtë të shikojë rrugicën, pemët, kalimtarët, makinat.Banore të lagjes numër 9 të Tiranës, Mira e ëma e Elonës kërkon pak ndihmë nga shteti, një karrocë për të lëvizur vajzën e saj dhe ndihmën ekonomike. Doktorët thonë se rasti si sëmundja e Elonës jetojnë deri në moshën 35 vjec. Nëse kjo do ndodh vërtet atëherë Elonës i kanë mbetur vetëm 2 vjet jetë. (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›