E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mejdani: Topi të kishte ndërhyrë për krizën!

Autori i Lajmit: RedaksiaIsh-presidenti Rexhep Meidani kritikon presidentin aktual, Bamir Topin për pasivitetin e tij në situatën aktuale politike. Negociatat duhet të ishin nisur nga Bamir Topi pa pasur nevojë për thirrje nga Këshilli i Europës tha Meidani gjatë një aktiviteti në universitetin Marin Barleti. “Duhet të ishte pjesë e kësaj zgjidhjeje dhe kohë me parë. Sidoqoftë, ai mund të japë kontribut relativisht pozitiv edhe në fazën aktuale, sepse në gjykimin tim është një ngërç që duhet të zgjidhet. Është një ngërç që nuk i shërben Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptare”, tha Meidani.
Rezerva për opozitën
Ish-Presidenti Mejdani nuk duket i bindur edhe për qëndrimin e partisë Socialiste deri më tani. Ai shprehu edhe njëherë rezervat e tij për rrugën që zgjodhi opozita për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Mejdani i bëri thirrje lidershipit socialist të ndërpresë bojkotin. “Jo e drejtë vendimmarrja e Partisë Socialiste për të bojkotuar që në fillim parlamentin. Duhet të përfshihej në procesin parlamentar për të realizuar pikësynimet kryesore në mënyrë të veçantë transparencën për procesin zgjedhor”, tha Meidani. Presidenti Bamir Topi i ka bërë thirrje disa herë lidereve politike të dialogojnë, por zëri i tij nuk është dëgjuar, deri kur Këshilli i Europës në rezolutën për Shqipërinë këshilloi në mënyrë të drejtpërdrejtë organizimin e një tryeze takimi nga Presidenti.
Ambasadorët dhe Topi
Pas miratimit të rezolutës së Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, ndërkombëtarët i janë drejtuar presidentit për të luajtur rolin që i rekomandohet në të. Duke i dorëzuar kreut të shtetit një kopje të këtij dokumenti, ambasadorët Lohan dhe Montobio, shprehën dy ditë më parë shqetësimin e Bashkimit Evropian mbi situatën politike në Shqipëri. Në komentet për rekomandimet e rezolutës që i referohen rolit të tij, presidenti Topi deklaroi se mirëpret çdo nisme “serioze” që do të ndërmerret me partitë për zgjidhjen e saj. Pas leximit të dokumentit që u miratua një të premten, kreu i shtetit u tregua i keqardhur për faktin që një debat mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri të zhvillohet në Strasburg. Në një kohë që Shqipëria ka qenë nga vendet e para ish-komuniste të anëtarësuara në këtë institucion përfaqësues evropian. “Arritja e qëllimit të përbashkët, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kërkon nga të gjithë një angazhim serioz dhe funksionim të plotë të të gjitha institucioneve”, - mësohet të ketë deklaruar Topi. Po ashtu mësohet se takimi që u mbajt rreth orës 10:00 të paradites së premte, të jetë kërkuar nga vetë ambasadorët. Ky është i dyti brenda një periudhe të shkurtër që Presidenti i vendit zhvillon me ambasadorin spanjoll, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Vetëm dy ditë më parë, KiE i kërkoi qeverisë shqiptare dhe opozitës ti japin fund krizës politike dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të thelluar reformat e mëdha në vend. Një thirrje u adresua edhe për presidentin e vendit, Bamir Topi si ndërmjetësues ose negociator për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›