Konispol, ende mister pas 11 vitesh vrasja e policit
KONISPOL/ SHPRESA DINE
Në fund të muajit gusht, mbushen 11 vjet nga vrasja e ish-efektivit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Vladimir Bejdo. 11 vite mister, që askush deri më sot nuk ka zbuluar autorin e kësaj vrasjeje makabre, që padrejtësisht dhe pa asnjë motiv i mori jetën 30-vjeçarit. Vladimiri ishte më i madhi i 10 fëmijëve. Pas orarit të punës si efektiv policie, Vladimiri nuk harronte të merrej edhe me punët e stinëve, duke i ardhur në ndihmë të atit dhe familjes së tij të madhe. Për të punuar në bujqësi, pasi la punën, u nis pasditen e 29 gushtit 1998 në Bregun e Koçit në Konispol. Por, nuk u kthye më i gjallë në shtëpinë e tij. Shtatë ditë më vonë u gjet i vrarë, disa metra në tokën greke. Familjarët shprehen mosbesues në lidhje me përfundimin e hetimeve dhe bëjnë apel për më shumë angazhim. Vëllai i Vladimirit, Shkëlqimi, efektiv dhe ai i policisë së Sarandës tregon në intervistë se si mori vesh për vrasjen, por edhe se si kanë rrjedhur ngjarjet ndër vite, hetimet e policisë dhe gabimet e kryera në to.
Si ka ndodhur vrasja e Vladimirit?
E mbaj mend si tani. Ishte e shtunë, fund gushti i vitit 1998, kur Ladit i vjen një telefonatë nga dikush, se na kishin vjedhur lopët, pra 2 lopë e 2 viça. Ladi ishte shumë i shqetësuar atë ditë. Fjeti në shtëpi dhe të nesërmen u nis për në pikëkalimin kufitar të Qafë-Botës. Aty merr leje nga komandanti i pikës, për të shkuar në vendin e quajtur Gropat e Stillos ose gropat e Mandillos, për të takuar babanë dhe për të mbledhur jonxhën. Pasi mbaruan punë, Ladi i thotë babait që të largohet pasi ai do të kërkonte për lopët dhe viçat e humbur. Që atëherë, Ladi nuk është kthyer më në shtëpi. Për herë të fundit, vëllai im është parë në afërsi të urës së Kataetos, nga shtetasi Mero Meleqi, plak i moçëm në fshat. Humbja e Ladit, vuri shumë veta në lëvizje, policinë, familjen dhe mjaft bashkëfshatarë të tjerë. Pas disa ditë kërkimesh, në afërsi të Gropave të Stillos, është gjetur kali, i cili kishte në samar sendet e vëllait, mes tyre dhe rrobat e policisë. Këmisha e tij ishte e çjerrë, kishte një pikë gjaku si dhe në trupin e kalit kishte njolla gjaku. Samari, u la aty nga policia, nuk u mor asnjë prove materiale. 3-4 metra më tutje, është rruga që ndan kufirin shqiptaro-grek. Aty u gjet po atë ditë edhe një fasho gishti.
Çfarë ka ndodhur më pas. A është zbuluar ndonjë gjë nga policia?
E vetmja gjë që është zbuluar, ka qenë autori i vjedhjes së lopëve, për të cilin në atë kohë është marrë edhe masa nga gjykata. Autori i vjedhjes së lopëve, quhet Haxhi Idrizi, i cili ka pasur stanin në Kataeto, ku ka shkuar vëllai për herë të fundit. Nga të gjitha hetimet që unë vetë kam bërë, më rezulton se vrasja është bërë pikërisht tek ai vend. Nga ekspertiza që është bërë në Janinë, të cilën unë e kam ndjekur vetë dhe nga hetimet e tjera, ka rezultuar se kufoma është transportuar me kafshë nga vendi ku është vrarë, për në Sajadhë të Thesprotisë, rreth 1.5-2 km larg vendit të vrasjes, aty dhe ku u gjet kufoma. Trupi i tim vëllai u gjet i hedhur në një pus. Për mendimin tim, vrasja është kryer më datë 22 gusht 1998, ndërkohë që kufoma e vëllait është gjetur në datën 29 gusht 1998.
Cili mendoni se ka qenë shkaku i vrasjes së vëllait tuaj?
Kam 11 vjet që hetoj, në mënyrë direkte dhe të fshehtë. Nuk kam dëgjuar as edhe një fjalë të keqe për vëllain tim, vetëm fjalë të mira. Nuk ka pasur as edhe një kundërshtar. Unë jam 100 për qind i bindur që shkaku i vrasjes ka qenë lopët dhe fshehja e viktimës është bërë për të mos u gjendur autori dhe të fshihej çdo gjë. Unë deri tani kam të vërtetuar autorësinë mbi vjedhjen e lopëve. A është ky shkaku, është vetëm autori apo me të tjerë këto duhet t'i nxjerrë prokuroria, që mua sot më ka lënë dilemë të madhe.