E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmi për Dedën

Tri ditë para se të gjendej i vdekur në burg, Dedë Gecaj ka pasur plagë të thellë në kokë. Këtë e vërteton eksperti mjeko-ligjor Arsim Gërxhaliu, i cili ka marrë pjesë në super-ekspertizën që të ndjerit i është bërë në kryeqytetin e Zvicrës. Nëpërmjet avokatëve, familja Gecaj ka ushtruar kallëzim penal ndaj autoriteteve në Kosovë dhe Zvicër. Ata thonë se drejtësi do të kërkojnë deri në Strasburg. Nga Nexhmije Ahmeti më 12 janar 2011 në ora 08:09

Rasti ‘Gecaj’ pritet të marrë përmasa edhe më të gjëra. Familja Gecaj nëpërmes avokatëve të angazhuar, mendon që rastin ta dërgojë edhe në gjykatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pavarësisht se tashmë këtë e ka bërë në dy shtetet, Kosovë dhe Zvicër.

Ky avokat shqiptar ka ushtruar kallëzim penal ndaj 28 personave në Kosovë, gjykatës dhe prokurorë, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe dy ish-ministrave të Drejtësisë të Kosovës. Gjithashtu Krasniqi ka ushtruar kallëzim penal edhe ndaj persona të drejtësisë të qytetit Saint Gallen në Zvicër.

Kërkesa për kallëzim penal për autoritetet në Zvicër është bërë nëpërmes Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë. Ehat Miftari, udhëheqës i zyrës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, konfirmon se kërkesa për kallëzim penal nga ana e avokatit Kolë Krasniqi ka shkuar në Ministrinë e tyre. Miftari nuk sqaron shumë detaje vetëm se thotë që kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga ana e Ministrisë. “Ministria është duke e shqyrtuar kërkesën e avokatit Krasniqi dhe në ditët në vijim do të japim një përgjigje”, tha Miftari për Express.

Avokati Kolë Krasniqi shpreson se brenda dy apo tri ditësh Ministria do ta dërgojë edhe zyrtarisht kallëzimin penal ndaj autoriteteve në Zvicër. Ky avokat është skeptik ndaj vendimeve që gjykatat në Zvicër dhe ato në Kosovë do të marrin, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit. Por, ai thotë se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore që rasti të zbardhet në tërësi. “Ne do të shkojmë deri në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg vetëm për ta zbardhur rastin. Qëndroj prapa asaj se Dedë Gecaj tri ditë para se të vdiste ka pasur një plagë të madhe në kokë dhe ka pasur lëndime ndërmjet dy krahëve”, thotë Kolë Krasniqi. Këto dyshime të tij dhe të familjes janë dëshmuar edhe me obduksionin e dytë që është bërë në Bernë, ku ka marrë pjesë edhe eksperti mjeko-ligjor nga Kosova, Arsim Gërxhaliu.

Mjeku tregon për Express se gjatë super-ekspertizës që më 2 dhjetor është bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Bernë, është konstatuar se koka (kafka) e të ndjerit Dedë Gecaj ka qenë e thyer tri ditë para se ai të gjendej i vdekur. Gërxhaliu nuk jep më shumë detaje sepse është duke e pritur raportin final të kësaj super-ekspertize që autoritetet zvicerane duhet t’ia kthejnë. “Jam duke i pritur fotografitë dhe rezultatet finale, prandaj nuk mund të them më shumë për këtë çështje”, tha Gërxhaliu për Express.

Këtë raport është duke e pritur edhe Ministria e Drejtësisë. Zyrtari i kësaj Ministrie, Ehat Miftari, tregon se raportin nga obduksioni i parë që është bërë në Saint Gallen e kanë marrë, ndërsa këtë të dytin, që është bërë pas kërkesës së familjes Gecaj dhe me pjesëmarrje të ekspertit nga Kosova, nuk e kanë marrë ende. Sido që të jetë, raporti i obduksionit të dytë, avokati Kolë Krasniqi pretendon se Dedë Gecaj gjatë qëndrimit të tij në burg është trajtuar në mënyrën më çnjerëzore.

Krasniqi thotë se ndaj këtij trajtimi janë informuar të gjitha institucionet në Kosovë si dhe ato në Zvicër nëpërmes avokatit atje.“Ai (Dedë Gecaj) pas izolimit hermetik në burg për shumë ditë me radhë ishte mbajtur edhe i prangosur me zinxhir në duar dhe në këmbë, dhe si i tillë ishte privuar edhe nga e drejta që të vizitohet në qelinë e tij nga avokati zviceran, përfaqësuesi i Amnesty International ose përfaqësuesi i një institucioni krejtësisht neutral zviceran, siç është Universiteti i Cyrihut.

Pos këtyre ndalesave, Dedë Gecajt iu kishte mohuar edhe e drejta themelore që të vizitohet nga përfaqësuesi i misionit diplomatik kosovar në Zvicër”, thotë avokati Krasniqi. Ky avokat thotë se kallëzimin penal e ka bërë duke u nisur nga të gjitha këto e edhe nga rezultati i obduksionit të dytë, ku ka marrë pjesë edhe eksperti Arsim Gërxhaliu, me ç’rast është konstatuar se përveç rreth qafës së tij ishin gjetur rroba (pjesë të tekstilit) të lidhura, i ndjeri kishte edhe një lëndim tjetër në trup si pasojë e rrëzimit dhe dy lëndime në mes shpatullave si pasojë e tërheqjes së tij me forcë.

Këto plagë, sipas obduksionit të dytë, ishin shkaktuar pas datës 15 nëntor (katër ditë para vdekjes) dhe askush nuk i kishte ofruar atij as më të voglën ndihmë shëndetësore ose medikament për qetësimin e dhimbjeve. “Konstatimet e mjekut të burgut se pacienti ishte ankuar për dhimbje, mirëpo gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë, nuk janë të vërteta. Sipas rregullave mjekësore, në situata të tilla pacienti detyrimisht duhet dërguar në spital dhe atje të vendoset nën narkozë deri në qetësimin e dhimbjeve”, thotë avokati.

Ai më tej ka shtuar se nga pasojat e gjakderdhjes së madhe dhe dhimbjeve të padurueshme në kokë, gjatë ditëve të fundit të jetës së tij, Dedë Gecaj nuk kishte mundur të ecte ose të qëndronte në këmbë. Sipas tij, në një gjendje të tillë, ai nuk ka mundur të bëjë vetëvrasje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›