E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk shqetësohen

Partia Demokratike e Kosovës nuk është e shqetësuar për parregullsitë në procesin e rivotimit. Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, thotë se partia e tij angazhohet për përmirësime, por kërkon që rezultatet e zgjedhjeve të mos kontestohen. Prokuroria e Shtetit po vazhdon të merret më 133 raste të keqpërdorimit të votës më 12 dhjetor. Nga Express më 12 janar 2011 në ora 08:06

Partia Demokratike e Kosovës, e cila është duke u goditur nga të gjitha anët për manipulime edhe me procesin e rivotimit, nuk po shfaq shenja shqetësimi.

Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se zgjedhjet kanë lënë hapësirë për përmirësime, por se rezultati i tyre duhet të pranohet.

“Këtu janë dy tendenca apo qëllime. I pari që në zgjedhje duhet të ketë përmirësime, për çka angazhohet edhe PDK-ja. Qëllimi i dytë dhe i paqëndrueshëm është ai që humbësit t`i kontestojnë ato”, ka thënë Kuçi.

Duke komentuar idenë për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, Kuçi ka theksuar se i takon PDK’së si parti fituese, që të vendosë për llojin e qeverisë. Megjithatë, ai la të kuptohet se PDK nuk preferon një qeveri të tillë.

Kuçi e quajti logjikë anarkiste kontestimin e rezultateve si dhe kontestimin e legjitimitetit të institucioneve që do të krijohen në përfundim të procesit zgjedhor.

PDK dhe aleatët, sipas Kuçit, do të arrijnë që dy javë pas certifikimit të zgjedhjeve të krijojnë institucionet e reja të vendit. Ai shprehu bindjen se PDK do të sigurojë vota për qeverinë edhe nga disa deputetë të partive që nuk do të jenë pjesë e qeverisë.

Prokuroria shqyrton rastet

Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit po vazhdon të punojë në 133 rastet lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 dhjetorit 2010. Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, ka deklaruar për Kosovapress se sikur që është paralajmëruar rastet në fjalë janë duke u shqyrtuar me prioritet dhe deri më 1 shkurt për të gjitha ato ku ekzistojnë elementet e veprës penale, do të ndërmerren veprimet konform dispozitave ligjore.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kishte dërguar Prokurorisë së Shtetit 133 raste, nëpërmjet të cilave subjektet politike kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve më 12 dhjetorit.

Kabashi ka mohuar mundësinë që ndikimet politike të mund të ndikojnë që rastet lidhur me parregullsitë në zgjedhje të mos marrin dënimin e merituar.

“Këtu nuk ka kurrfarë roli politika dhe as që mund të ketë ndikime në punën tonë. Ne 133 rastet i kemi marrë nga PZAP’ja dhe ato po shqyrtohet me prioritet dhe deri më 1 shkurt për të gjitha ato raste ku ekzistojnë elementet e veprës penale do të ndërmerren veprimet konform dispozitave ligjore”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të rivotimit në komunat e Skenderajt, Drenasit dhe Deçanit dhe rivotimit të pjesshëm në Lipjan dhe Malishevë, subjektet politike kanë dorëzuar 61 ankesa në PZAP lidhur me parregullsitë që e kanë përcjell procesin zgjedhor më 9 janar.

Kryetari i PZAP-së, Shukri Sylejmani, tha për Kosovapress se tashmë janë duke u shqyrtuar ankesat dhe varësisht nga specifikat pas të enjtes do të dihet nëse do të ketë raste të reja për Prokurorinë e Shtetit.

Nuk fitojnë në Skenderaj

Asnjëri nga 13 kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës nga komuna e Skenderajt, për deputetë në Kuvendin e Kosovës nuk kanë fituar vota të mjaftueshme për të marrë këtë funksion.

Sipas të dhënave të Komisionit Komunal Zgjedhor, pas zgjedhjeve të përsëritura në këtë komunë, më 9 janar, del se asnjëri prej kandidatëve nuk ka siguruar mbi 10 mijë vota, sa janë të mjaftueshme për t`u bërë deputet. Besohet se kandidatët Bekim Haxhiu dhe Behar Selimi të kenë gjasa për të qenë pjesë e Parlamentit, pasi mendohet se ata do të jenë votuar edhe jashtë komunës së Skenderajt.

Të dhënat e KKZ’së tregojnë se me numër më të madh të votave prin Bekim Haxhiu-Kamishi (8100), i ndjekur nga Bedri Hamza me 6 600 vota dhe Abdyl Ymeri me 6.500.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›