E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkeljet zgjedhore sanksionohen deri më 1 shkurt

Nga Express më 11 janar 2011 në ora 17:32

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, ka thënë se 133 rastet e parregullsive zgjedhore që janë dorëzuar në prokurori, janë duke u shqyrtuar me prioritet. Ai ka paralajmëruar se deri më 1 shkurt, për të gjitha rastet ku ekzistojnë elemente të veprës penale do të ndërmerren veprime konform dispozitave ligjore.

Kabashi është zotuar se politika nuk do të mund të ndikojë në vendime.

“Këtu nuk ka kurrfarë roli politika dhe as që mund të ketë ndikime në punën tonë. Ne 133 rastet i kemi marrë nga PZAP-ja dhe ato po shqyrtohet me prioritet dhe deri më 1 shkurt për të gjitha ato raste ku ekzistojnë elementet e veprës penale do të ndërmerren veprimet konform dispozitave ligjore”, ka thënë Kabashi, për Kosovapress.

Më datën 30 dhjetor 2010, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 133 raste, përmes së cilave subjektet politike kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve më 12 dhjetorit 2010.

Ndërkaq pas përfundimit të rivotimit në komunën e Skënderajt, Drenasit dhe Deçanit dhe rivotimit të pjesshëm në Lipjan dhe Malishevë, subjektet politike kanë dorëzuar edhe 61 ankesa në PZAP lidhur me parregullsitë që e kanë përcjell procesin zgjedhor më 9 janar.

Kryetari i PZAP-së, Shukri Sylejmani, ka thënë për Kosovapress se tashmë janë duke u shqyrtuar ankesat dhe varësisht nga specifikat pas të enjtes do të dihet nëse do të ketë raste të reja për Prokurorinë e Shtetit.

Nga gjithsej 133 rastet e pranuara nga Prokuroria e Shtetit, 48 janë në kompetencë të regjionit të Prishtinës, 26 raste të regjionit të Prizrenit, 14 raste të regjionit të Pejës, 7 nga regjioni i Gjilanit, 19 nga Mitrovica, 14 të Ferizajt dhe 2 raste janë në kompetencë të regjionit të Gjakovës.

Prokuroria dhe Policia diskutojnë për ngritjen e bashkëpunimit

Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së shtetit në luftimin e krimit, sot është mbajtur një takim pune në Policinë e Kosovës, ku morën pjesë kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi; ndihmësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për hetime, Kadri Arifi; kryeprokurorët e 5 qarqeve të Kosovës, zv/drejtorët rajonalë për hetime dhe drejtorët e drejtorive në kuadër të shtyllës së hetimeve si dhe përfaqësues nga ambasada amerikane (ICITAP-i), thuhet në një komunikatë të përbashkët, të lëshuar pas takimit.

“Në takim u diskutua për ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë, për problemet apo vështirësitë që hasen gjatë ushtrimit të detyrës nga të dy institucionet. Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, duke përshëndetur të pranishmit theksoi se niveli i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë ka pasur ngritje, e posaçërisht vitin e fundit. Njëkohësisht falënderoi ICITAP-in për përkrahjen e dhënë në këtë aspekt si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim”.

Ai ndër tjera ceku edhe veprimet e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, ku janë angazhuar një numër i prokurorëve nëpër prokuroritë e qarqeve si pjesë e Task Forcës kundër korrupsionit. Në fund të fjalimit, duke i falënderuar të gjithë për kontributin e dhënë dhe duke besuar në bashkëpunim të mirë, Kabashi inkurajoi që takime të tilla të zhvillohen edhe në të ardhmen, qoftë në këtë përbërje apo tjetër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›