Arrestim për shpërthimin e 23 prillit 2009
I. R., 27-vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, është arrestuar, si i dyshuar për përfshirje në një shpërthim, në një veturë, që kishte ndodhur më 23 prill 2009.
Arrestimi është kryer dje nga zyrtarët policorë të stacionit veri në Mitrovicë. I. R. ndodhej në listën e personave të kërkuar nga hetuesit rajonalë të policisë së Kosovës në Mitrovicë.
I dyshuari është arrestuar në rrugën “Knjaz Millosh” rreth orës 19:45min, pa ndonjë incident ndërsa është shoqëruar në stacionin policor në veri të Mitrovicës për t’u transferuar në sektorin e hetimeve rajonale në Mitrovicë, për vazhdim të hetimeve të rastit ndaj tij.
Arrestimi është bërë mbi bazën e dyshimit të përfshirjes së tij në një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm të raportuar më datë 23 prill 2009, në rrugën “Knjaz Millosh” në veri të Mitrovicës.
Besohet se i dyshuari ishte përfshirë në rastin e shpërthimit të një automjeti të tipit “Lancia” me ç’rast besohej se ishte vendosur një sasi e eksplozivit nën automjet për të shkaktuar dëmin, ka njoftuar policia, nëpërmes një komunikate shtypi
Në datën e incidentit, automjeti “Lancia” me targa “KV” ishte e parkuar para një objekti hotelierik, ndërsa rreth orës 03:00min, ishte dëgjuar shpërthimi i cili kishte shkaktuar dëme materiale në automjet dhe në dritaret e një shtëpie afër vendit të ngjarjes.
Besohet se incidenti të ketë qenë i motivuar mbi baza të një kërcënimi nga i dyshuari i këtij rasti drejtuar viktimës.
Ndaj të dyshuarit I. R., 27 vjeçar, është caktuar masa e ndalimit policor ndërsa ndaj të njëjtit do të ngritët paraqitje penale për vepër “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” nga neni 291 i Kodit Penal të Kosovës, bën të ditur Besim Hoti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë.