E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duartrokitjet e panevojshme të publikut



Çfarë ndodh mes publikut dhe teatrit? A ngjit magjia skenike në tërheqjen e publikut klasik, apo kemi ovacione false, duke çuar çdo shfaqje drejt “fjalëve” sukses? Kritiku nga Prishtina jep një panoramë të këtij fenomeni që i bën të mburren shumë regjisorë dhe aktorë. Për shumë shfaqje që kanë rezultuar edhe të dështuara, publiku ka duartrokitur fort dhe ka fërshëllyer në kulm. Një ditë më parë në një intervistë për “standard”, regjisori Mihallaq Luarasi ka treguar eksperiencën e pritjes nga publiku dhe kritika e Tiranës për shfaqjen “Tartufi”, me regji të Rahim Burhan, vënë në skenë nga Teatri i Prishtinës

Shpeshherë kur në dërrasat e teatrit promovohet një shfaqje monotone, pa emocione, pa ndonjë mesazh filozofik, ose kuptim të thellë, publiku në fund e pagëzon me duartrokitje të gjata, madje në disa raste edhe me fishkëllima, nganjëherë edhe e brohorit emrin e protagonistit kryesor, edhe pse ai fare nuk e ka dëshmuar veten si profesionist. Ky lloj publiku, me nervat e tij dhe me mediokritetin e tij, në fakt, rrënon protagonistin, fundos shfaqjen, në vend që ta shpjerë në shkallët më të larta. Humbjen dhe mossuksesin e pëson ansambli i shfaqjes, e jo publiku i premierave, edhe pse publiku gjithnjë konsiderohet si vlerësuesi më i shëndoshë i një shfaqjeje, sa jeton publiku, jeton edhe shfaqja, por tek ne është e kundërta. Lavdëruesit e shfaqjes, në fakt publiku, vetëm në premierë duartrokit, disa sekonda apo minuta, kurse në repriza nervat e tij humbasin, shfaqja eliminohet nga mendja e spektatorit, jeton vetëm në momentin sa është shfaqur, në vend që të ngulfatet në egon e shikuesit. Nuk mund ta kuptoj përse publiku nuk është aq i sinqertë, ta braktisë shfaqjen në kohë të pauzës, ose në gjysmë, këtu ishte treguar në të vërtetë i sinqertë dhe kishte ngritur një seriozitet mes ansamblit dhe mesazhit – publikut. Pranuesit e mesazheve i pranojnë, por duhet në mënyrë të sinqertë t’i braktisin, të tregojnë se ndjenjat tona fare nuk po lëvizin, janë fundosur në gjumë edhe më të thellë. Derisa majmunët fals shtiren në skenë, bëjnë cirk të gabuar komik ose tragjik, e që të dyja këto i kanë vetëm në aparatin e të folurit, neve na “bombardojnë” me klishe, monotoni dhe aktrim tregues, skenën e shndërrojnë në një hapësirë talljeje me mangësinë e emocioneve të vërteta.

Po e analizojë konkretisht shfaqjen “Tartufi” të regjisorit Rrahim Burhan, një regjisor me renome ndërkombëtare. Kjo shfaqje është dhënë para disa muajve në Kosovë, saktësisht në Prishtinë, dhe u është ndarë buxhet prej 40 mijë eurosh, një buxhet i majmë, me të cilin mund të realizohen dy shfaqje shumë më të mira. U dha shfaqja, u shoqërua me duartrokitje jo të shëndosha, kurse kritika ndaj saj ishte ngritur në kulm, por nuk ka arritur ta ndaloj këtë shfaqje së shfaquri, por si duket ka zgjuar vullnet edhe më të madh tek ansambli i shfaqjes, gabim i pafalshëm. Shfaqja ishte ndërtuar gabimisht me mesazhe kontroverse, koprraci i krishterë ishte shndërruar në mysliman, sepse si duket regjisori ishte përpjekur të modernizojë në rrugë të gabuar veprën, duke i humbur edhe lëvizjet e kohës së Molierit, duke i plasuar në kohën moderne. Publiku në këtë shfaqje u tregua edhe më i pashëndoshë sesa regjisori, i cili shpalosi qëllime kontroverse idiote. Vetëm kritika e ka pasqyruar realitetin, por nuk mjaftojnë katër ose pesë kritikë të shëndoshë derisa një masë e madhe është e prirë të bëjë qejf jashtë natyrës së vet, e aq më keq është kur ansambli i kësaj shfaqjeje është i kënaqur me dobësitë. Ky është një turp i vërtet. Po të kishte reaguar publiku në mënyrë të shëndoshë, është dashur në mes të shfaqjes ta braktisë, ose në momentin kur hyn koprraci i veshur me petka të gjelbra, që i ngjan një myslimani, i cili shfrytëzon fenë për përfitime personale, ose i cili rrokullisë “tespitë” në dorë, duke thur intriga, në të vërtetë tallja me këta aktorë është e pafalshme. Publiku si publik ka mundur të ndalojë një dekadencë të tillë, por nuk ka vepruar, e ndalimi i shëndoshë në dobitë e ekipit të shfaqjes është, që asnjëri të mos shkojë më, secili që e ka parë një herë është dëshpëruar thellësisht, por nuk e di përse e ka duartrokiti, jo gjatë, normalisht, këtu fajësoj publikun jo të shëndoshë, publik i të bërit qejf, ose një turmë njerëzish në një kope, që ofrojnë tinguj të njëjtë të duartrokitjeve, jo të dëshiruara.

Madje, isha befasuar, kur në disa gazeta po lexoja se shfaqja do të jepet edhe në Tiranë, u dha dhe me gjithë krenari do doja të dëgjoja mendimet e publikut dhe të kritikëve, mendime të shëndosha, jo lëpirëse, ose lajkatare, që janë rrënuese.

Dihet që shfaqja krijohet për publikun, sikurse teksti i dramaturgut për inskenim të shëndoshë, e jo primitiv. Është turp për disa regjisorë, të cilët e dinë që autori i veprës ka vdekur dhe mendojnë që kufijtë janë shembur me të dhe ndërhyjnë në shumë gjëra që nuk iu lejohet, më mirë është që edhe tekstin ta nënshkruajnë me emrin e tyre, andaj, janë disa gabime të pafalura që nuk guxojnë të ndodhin, sepse nëse nuk korrigjohen e pavërteta, monotonia, dekadenca, mosdija, do të ngrihen në kulmin e absurdit.

*Autori është magjistër i dramës

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›