Refuzohet ekspertimi psikik i të penduarit
"Masakra e Cërrikut"
Avokatët e të pandehurve, kishin kërkuar vizitë mjeko- ligjore për të pandehurin Bujar Buzani me pretendimin se ka çrregullime mendore
Dëshmitari i pandehur, përsëriti dje dëshminë e dhënë në janar. Ai tha se Bozi, Xhepexhiu dhe Bicja organizuan sulmin ndaj gardistëve
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, refuzoi kërkesën e avokatëve dhe vetë të pandehurve të akuzuar për "Masakrën e Cërrikut" për kryerjen e akt-ekspertimit psikik ndaj të penduarit të kësaj dosjeje të pandehurit Bujar Buzani. Sipas vendimit të ndërmjetëm të gjykatës, i pandehuri Buzani nuk shfaq ndonjë shenjë dalluese që mund të ngrejë dyshime për gjendjen e tij psikike.
Por, këtë argumentim avokatët dhe të bashkë të pandehurit e të penduarit Buzani e kanë hedhur poshtë, duke pretenduar se "shtetasi Bujar Buzani ka personalitet të dobët e të paqëndrueshëm dhe nuk është në gjendje të mirë mendore".
Ky pretendim, i avokatëve është hedhur poshtë edhe nga vetë i penduari Buzani, i cili nuk ka përtuar t'i kthejë përgjigje avokatëve dhe bashkë të pandehurve të tij për sulmin vrasës ndaj efektivëve të Gardës së Republikës mëngjesin e 23 majit të vitit 1997. Refuzimi kërkesës, bëri që i pandehuri Roland Xhepexhiu të largohet nga salla në shenjë proteste ndaj vendimit të ndërmjetëm të togave të zeza, që më pas është ndjekur edhe nga avokati i tij mbrojtës Sajmir Visha.
Ndërkohë, pak minuta para se gjykata të shprehet me vendim në lidhje me kërkesën për ekspertimi psikik të të penduarit Buzani ky i fundit i është përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të pandehurve.
Sipas tij, ka qenë Llazar Bicja, Roland Xhepexhiu dhe Meti Bozi, ata të cilët kanë urdhëruar të qëllohet mbi makinat e policisë dhe gardistëve që kishin hyrë në qytezën e Cërrikut mëngjesin e 23 majit të vitit 1997. "Po e përsërisë se para gjykatës do të tregoj të vërtetën, atë që unë kam parë me sytë e mi dhe çfarë kam dëgjuar me veshët e mi në atë kohë.
Nuk mbaj mend orën, ditën e muajin, por sapo kishin filluar trazirat kur në shtëpinë tonë kanë ardhur Llazar Bicja, Meti Bozi e Roland Xhepexhiu dhe sollën një anti-tank dhe ia dhanë Arjan Toskës që ishte tek ne. Kjo armë është përdorur nga Arjan Toska kur ka filluar lufta ndaj policëve.
Ai ka qëlluar një nga diagaçët e Ushtrisë ku janë djegur disa policë dhe më pas janë vrarë të tjerët që tentuan të largohen që aty.
Bicja, Bozi e Xhepexhiu, na thanë që kanë ardhur policia nga Elbasani në Cërrik, e kanë rrahur një qytetar dhe kanë tentuar t'i përdhunojnë gruan dhe ne duhet të mbrohemi duke i sulmuar se do na përdhunojnë edhe gratë e motrat tona",-kanë thënë tre organizatorët e këtij sulmi",- u shpreh Buzani duke cituar të pandehurit. Ai tregoi më pas mënyrën e organizimit të sulmit ndaj policëve.
"Banda drejtohej nga krerët e Komitetit të Shpëtimit të cilët na armatosen nga një kamion i ardhur nga Gramshi që ishte mbushur me armatim dhe fshehur në kinemanë e qytetit.
Aty u armatosëm dhe zumë pozicione të ndryshme. Në çatinë e kinemasë drejtonte Arjan Toska ndërsa në pallatet anash, u pozicionuan Meti Bozi në një krah me Llazar Bicjen dhe në krahun tjetër afër kinemasë, Roland Xhepexhiu me disa të tjerë. I pari ndaj policisë qëlloi Arjan Toska me anti-tank, predha e së cilës qëlloi blindën e policisë.
Prej saj dolën tre policë që iknin me vrap dhe dy të tjerë po digjeshin. Më pas njëri nga efektivët që po tentonte të largohej nëpër ara në këmbë është kapur dhe vrarë. Edhe nga blindat e policisë qëllohej, po nuk kishin qëllim të vrisnin njeri, pasi të shtënat ishin në ajër dhe jo në drejtim tonë"-përsëriti para gjykatës sërishtë pas dëshmisë së dhënë në janar i penduari Buzani.
Masakra, sapo gardistët u futën në qytet
Përplasja me armë mes atyre që konsideroheshin përfqësues të Komitetit të Shpëtimit dhe gardistëve ndodhi paraditen e 23 majit 1997, kur dy kamionë të tipit "IFA", një furgon i blinduar dhe dy diagaçë u nisën nga Elbasani për në Cërrik. Me të hyrë në lagjen nr.3 të këtij qyteti ata janë përballur me të shtëna të papritura nga tarraca e kinemasë dhe dritaret e saj, ku ishin pozicionuar nën organizimin e Met Bozit dhe Llazar Bicjes, të pandehurit:
Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani së bashku dhe me shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, dhe Bashkim Buzani. I pandehuri Roland Sota (Xhepexhiu) me bashkëpunëtorët e tij të armatosur me armë të kalibrave të ndryshëm, si automatikë, pistoleta, granata, kundër-tank, etj, ishin pozicionuar në tarracën e pallatit që ndodhet rreth 200 m larg kinemasë.
Me të hyrë forcat e policisë në rrezen e tyre, të pandehurit në bashkëpunim me të tjerët, kanë filluar të qëllojnë me armë dhe granata në drejtim të autokolonës, dhe njëra prej granatave të hedhura ka përfunduar brenda diagaçit të blinduar, duke shkaktuar djegien e menjëhershme të dy gardistëve dhe katër të tjerët sapo kanë dalë jashtë diagaçit që po digjej, janë përballur me breshëri plumbash duke mbetur të vrarë, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të plagosur 16 efektivë të tjerë të policisë dhe Gardës së Republikës.
DËSHMIA
Qosja: Dardha më vodhi makinën, por s'dinte ta ngiste
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, në procesin gjyqësor ndaj "ushtarit" të Altin Dardhës, të pandehurin Gëzim Kasemi dëgjoi me kërkesë të organit të akuzës dëshmitarin e radhës, shtetasi Riza Qosja të cilit ia kishin vjedhur makinën pjesëtarët e "bandës" ku bënte pjesë edhe i pandehuri.
"Më datën 25 shkurt të vitit 1998 kam qenë me gruan dhe me dy miq në një lokal në lagjen Uznovë. Kisha harruar në makinë cigaret dhe dola për t'i marrë.
Në ato momente pashë një automjet tip furgoni me xhamin e parë të thyer, ku ulur në vendin e parë ishte Altin Dardha, ndërsa shoferin nuk e njihja". Kështu ka nisur të deklarojë dje para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, dëshmitari Riza Qosja. Më tej ai i shpjegoi gjykatës, se Altin Dardha kishte kujtuar se automjeti ishte i një armikut të tij prandaj kishte dalë për ta qëlluar. "Iu prezantova Altinit si një miku i babait të tij.
Ai zbriti nga makina bashkë me shoferin me armë në dorë dhe mu drejtuan mua duke më kërkuar çelësat e makinës. Shoferi më vuri në brinjë automatikun, që e kishte tytën të nxehtë dhe kërkonte çelësat e makinës.
Pasi ia dhashë u ktheva në lokal për t'i treguat ngjarjen familjarëve, por në këtë moment futet Dardha në lokal dhe më thërret për t'i treguar se ku e kishte indietron makina", ka vazhduar së dëshmitari Qosja. Më pas ai shpjegoi se kur kishte dalë jashtë lokalit kishte parë edhe një person tjetër së bashku me Dardhën.
Sipas Qoses, pasi i ka treguar Dardhës indietron, kishte dëgjuar teksa i thoshte atij personi që ishte bashkë me të, që të futej në makinë, sepse ishte duke ardhur policia. "Pashë që personi bashkë me Dardhën nuk ishte i armatosur. Pasi hipën në makinë, u drejtuan drejt rrugës së Skraparit",- tregoi më tej Qosja.
Dëshmitari sqaroi se menjëherë pasi u largua Dardha kishte ardhur një makinë policie, e cila drejtohej nga Gani Malushi. "I tregova Malushit gjithçka si dhe drejtimin nga ishte larguar makina. Mësohet se dëshmitari e kishte gjetur makinën e tij pas dy ditësh, të shkatërruar.
Qosja e mbylli dëshminë e tij duke i bërë të ditur gjykatës se kishte marrë vesh se në lagjen Uznovë, Altin Dardha kishte vrarë dy njerëz dhe kishte plagosur një tjetër, me makinën që ia kishte marrë atij por nuk e njihte të pandehurin që ndodhej në gjykim në këtë proces gjyqësor.
Pas dëshmisë së dëshmitarit Qose, gjykata ndërpreu vazhdimin e seancës gjyqësore duke shtyrë në një datë tjetër për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë të akuzës.
Denoncohet, për shkatërrim prone 34- vjeçari në Kombinat
TIRANE- OSSH, denoncon në polici 34- vjeçarin pas thyerjes së kompjuterit të zyrës së kësaj të fundit në Kombinat. Andi Bahuri, 34 vjeç, banues në këtë zonë, është dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë nga komisariati i Policisë nr.6, me akuzën e shkatërrimit të pronës.
Sipas burimeve të policisë Bahuri, 34 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 8 klasë, në orën 11.00, në rrugën "Llazi Miho", ku ndodhet një nga njësitë e OSSH-së ka hyrë aty dhe ka dëmtuar një nga pajisjet komjuterike që ndodheshin në zyrë.
Pas ngjarjes, punonjësit kanë denoncuar në policinë e kryeqytetit, e cila ka shoqëruar 34- vjeçarin në ambientet e saj. Pas veprimeve të saj, policia ka dërguar Bahurin për ndjekje penale në gjendje të lirë në prokurorinë e Tiranës me akuzën e shkatërrimit të pronës me dashje për motive të dobëta.