E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallrat kontrabandë, tre në pranga

Autori i Lajmit: red.
Tre persona kanë përfunduar në pranga dhe një punonjës i doganës në ndjekje penale, pasi kanë kaluar disa mallra pa zhdoganim. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur dje se seksioni kundër Krimit Ekonomik, pas një hetimi tremujor, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Blu Xhins”. Kështu, janë vënë në pranga Albert Daçi, 35 vjeç, Dedë Gjonaj, 52 vjeç dhe Sinan Doku, 59 vjeç. Sipas policisë, mësohet se tre të dyshuarit akuzohen për veprën penale të “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ndalimi u krye në mbikalimin në Qafë-Kashar, ku kapën në flagrancë. Pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetet e tyre u gjendën të ngarkuara mallra të dyshuara se mund të kenë hyrë kontrabandë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Rinas. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”, parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal. Ndërkohë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, në ngarkim të dy shtetasve, punonjës turni në Doganën e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Mallrat e sekuestruara vinin nëpërmjet aeroportit të Rinasit nga Turqia, me destinacion tregun industrial në rrugën “5 Maji” Tiranë. Materialet iu dërguan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Mallrat e sekuestruara
500 palë xhinse të llojeve të ndryshme.
500 copë bluza të llojeve të ndryshme.
400 copë fustane të llojeve të ndryshme.
60 copë kostume femrash të llojeve të ndryshme
20 copë xhaketa të llojeve të ndryshme
20 copë funde të llojeve të ndryshme.
Ky lajm është publikuar: 06/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›