Dëshmia: E dija femër, e qëllova kur më tregoi se ishte burrë
Pranon krimin dhe shpjegon para hetuesve shkakun e kryerjes së një akti të tillë barabar ndaj travestitit. Autori i dyshuar nga Kosova, 36-vjeçari Hoxha, e kreu krimin pasi ai e mendonte viktimën femër dhe e preu me thikë në fyt atë pasi mori vesh se ishte mashkull. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare policore, sipas të cilave, Sefedin Hoxha e ka pranuar krimin gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit. Nga deklarimet e bëra nga autori i dyshuar i ngjarjes, ai u shpreh se nuk e kishte kontrolluar veten kur kishte parë se “Kristina” ishte burrë. “Shkova me të në hotel për marrëdhënie seksuale dhe kur mbërritëm në hotel më tha se nuk ishte femër por burrë”, - është shprehur 36-vjeçari nga Prizreni. Sipas policisë, gjatë ndalimit i arrestuari ka shfaqur probleme dhe çrregullime mendore. 36-vjeçari është ndaluar ndërsa po përgatitej që të nisej në drejtim të Kosovës. Nga hetimet e kryera nga policia, pas dëshmive të marra nga personat e tjerë të pyetur në lidhje me ngjarjen, Hoxha ishte personi i fundit që ishte parë të qëndronte me viktimën.
Ngjarja
Ngjarja për të cilën akuzohet 36-vjeçari nga Kosova ka ndodhur tri ditë më parë pranë Drejtorisë së Burgjeve në kryeqytet. Agresori e ka qëlluar viktimën me thikë në fyt, duke i shkaktuar atij vdekjen vetëm disa minuta më pas, si pasojë e humbjes së gjakut. Ka qenë polici i Burgjeve ai që ka njoftuar policinë, ndërkohë që i ka dhënë ndihmën e parë viktimës. Ai mbante dorën në fyt, ndërsa shikohej që ishte i gjakosur. Ai është afruar tek roja i Drejtorisë së Burgjeve për të kërkuar ndihmë, ndërkohë që është transportuar për në Spitalin Ushtarak. Por, si pasojë e humbjes së madhe të gjakut, viktima ka humbur jetën gjatë rrugës. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ngriti një grup hetimor. Në fillim u mendua se viktima është një femër, por më pas u njoftua se viktima ishte i seksit mashkull, e moshës 38-vjeçare. Sipas burimeve nga policia, viktima ishte një travestit (person me devijime seksuale) që thirrej me nofkën “Kristina”. Identiteti i viktimës ishte Petrit Muça, 38 vjeç nga Elbasani, i cili prej disa vitesh jetonte në Tiranë. Sipas dëshmitarëve, viktima së bashku me travestitë të tjerë lëviznin shpesh në atë zonë, në kërkim të klientëve. Viktima ishte arrestuar disa herë nga policia për vepra të turpshme në publik, kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale, por ishte akuzuar edhe për kryerjen e veprave penale të vjedhjes, denoncuar kryesisht nga klientë të grupit të travestitëve që gjenden pas Pallatit të Kulturës. Pas ngjarjes, policia kreu këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që shoqëroi në komisariat dëshmitarë që kishin dijeni për vrasjen. Nga dëshmitë e marra rezultoi se autori i krimit ka qenë një person, i cili e ka qëlluar viktimën me një mjet të mprehtë në fyt, duke e dëmtuar rëndë atë dhe duke i shkaktuar më pas vdekjen. Trupi i viktimës u shoqërua në morg, për t’u kryer autopsia.