E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: “E vrava kunatin se deshi të therte me thikë tim bir”



BULQIZË – “Deshi të më vrasë djalin, prandaj isha i detyruar ta qëlloja me levë në kokë kunatin”. Kështu u shpreh Shefki Lila në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë për vdekjen e kunatit të tij, Vladimir Lica. Gjykata e Dibrës dha masën “arrest në burg” për Lilën, i cili akuzohet për plagosjen e rëndë me pasojë vdekje të vëllait të gruas. Ai ka deklaruar se e ka kryer krimin në rrethanat e vetëmbrojtjes. Ndërkohë që ai është shprehur se pretendimet e Licës për djalin e tij, Fatjon Lila, janë të pavërteta, pasi ai ka ardhur në jetë disa ditë pas fëmijës së kunatit. Gjithsesi, do të jenë analizat e AND-së, të cilat do t’u japin fund pretendimeve disavjeçare të vëllait të gruas së tij për një ngatërresë të fëmijëve që mund të jetë bërë 11 vjet më parë në Maternitetin e Peshkopisë.
Seanca
“Burg pa afat”. Kjo është masa e sigurisë që ka marrë Gjykata e rrethit të Peshkopisë për Shefki Lilën, i cili katër ditë më parë vrau kunatin e tij pas një sherri për atësinë e fëmijëve të tyre. Dy ditë më parë prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me motivet që çuan në vdekjen e Licës. Për të verifikuar çdo gjë hetuesit kanë marrë edhe certifikatat e lindjes së dy fëmijëve. Sipas hetuesve që i kanë këqyrur certifikatat e djalit të Shefki Lilës dhe vajzës së Vladimir Licës, rezulton se ato mbajnë distancën kohore për dy javë të lindjes. Por, pritet dhe ekspertiza më e thelluar mjekësore përmes ADN-së për prindërit dhe fëmijët. Kjo do të përcaktojë përfundimisht se cilët janë prindërit e dy fëmijëve 11-vjeçarë. Vetë Lila ka deklaruar para trupit gjykues se e ka kryer krimin në rrethanat e vetëmbrojtjes. Sipas tij, kunati ka tentuar t’i vrasë djalin me thikë.
Ngjarja
Dyshimi për një ngatërrim foshnjash në Maternitetin e Peshkopisë mes kunetërish është bërë shkas për një krim të rëndë. Pretendimet 11-vjeçare të Vladimir Licës se djali i kunatit është i tiji, kanë marrë përgjigje përmes dhunës, e cila është pasuar me vdekje e 40-vjeçarit në Spitalin Rajonal të Peshkopisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut në fshatin Çerenec i Epërm, në rrethin e Bulqizës. Policia ka prangosur shtetasi Shefki Lila. Autori i këtij krimi sapo kishte dalë nga dhomat e paraburgimit të policisë, pasi ishte kapur nga forcat e policisë së kufirit për trafik viçash kontrabandë nga Maqedonia. Sipas dëshmisë së personit të arrestuar, Lica ka shkuar në banesën e tij, në gjendje të dehur dhe me një thikë në dorë ka tentuar t’i rrëmbejë fëmijën e tij, Fatjon Lila.

4 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›