Rikthehen zjarret, digjen 50 hektarë kullota në Shkodër dhe në Gjirokastër
Rikthehen sërish zjarret në vendin tonë. Vetëm gjatë 36 orëve të fundit janë regjistruar disa vatra në rrethet e Gjirokastrës dhe Shkodrës, ku janë djegur me dhjetëra hektarë kullota dhe shkurre. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se vetëm një person është arrestuar për zjarrin që ra mbrëmjen e së premtes në fshatin Dhoksat të komunës Lunxhëri në rrethin e Gjirokastrës. Sipas tyre, autori i zjarrvënies që solli përfshirjen në flakë të rreth 40 hektarëve kullotë dhe barishte është shtetasi Isuf Miftari. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullaj, tha se 41-vjeçari Miftari, lindur në Librazhd dhe banues në fshatin Dhoksat, me profesion çoban, në orët e vona të mbrëmjes së premte i ka vënë zjarrin një parcele me bar, por fatkeqësisht flakët janë përhapur me shpejtësi duke djegur 40 hektarë kullota. “Janë dashur mbi katër orë punë që policia lokale, së bashku me banorët e fshatit, të vendosnin nën kontroll flakët e zjarrit”, - tha Mullai, duke shtuar se “falë ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur shpëtimi i 20 krerëve lopë”. Sipas tij, terreni i vështirë e ka bërë të pa mundur ndërhyrjen e shërbimit të zjarrfikësve.
Temperaturat e larta si dhe thatësira e madhe e këtyre ditëve, kanë provokuar rënien e tre zjarreve edhe në Qarkun e Shkodrës. Shefi i repartit të zjarrfikësve të Shkodrës, Ilir Kopliku, tha se në rrethin e Shkodrës gjatë ditës së shtunë kanë rënë dy zjarre, një në komunën e Oblikës, që ka djegur një baze ushqimore pranë banesës së shtetasit Hamdi Rama dhe tjetra në fshatin Melgushë të komunës Bushat, në banesën e shtetasit, Ndoc Velaj. Një tjetër zjarr i rënë në një masiv të gjerë shkurresh dhe ferrash pranë Përroit të Thatë të rrethit të Malësisë së Madhe ka alarmuar së tepërmi banorët. Shefi i zjarrfikësve të këtij rrethi, Agron Dibra, tha se në këtë rast problemi më serioz ishte se pranë vendit ku kishte rënë zjarri gjendeshin edhe shumë pisha, marrja flakë e të cilave mund ta përkeqësonte situatën në fjalë, por ndërhyrja në kohën e duhur e mjeteve të zjarrfikjes ka shuar zjarrin duke normalizuar situatën në atë zonë.
Operacioni, asgjësohen 916 rrënjë Cannabis sattiva
SHKODËR - Policia e Shkodrës asgjësoi 916 rrënjë bimë narkotike të llojit Cannabis sativa në disa fshatra të komunës malore të Temalit gjatë operacioneve të zhvilluara gjatë ditës së shtunë. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, Fatbardha Çelepia, tha se si rezultat i një kontrolli të ushtruar në këtë zonë u identifikuan dhe u asgjësuan 916 rrënjë bimë narkotike. Fillimisht operacioni u përqendrua në vendin e quajtur “Sipër digës së HC së Komanit”, ku u identifikua një parcelë me 680 rrënjë bimë me karakteristika të ngjashme me Cannabis sativa. Ndërsa në vendin e quajtur “fshati Qerret i Sipërm”, i po kësaj komune, u identifikua një parcelë me 156 rrënjë bimë me karakteristikat përkatëse Cannabis sativa, të cilat u shkulën dhe u asgjësuan me anë të djegies. Në vazhdim të këtij operacioni brenda territorit të komunës Temal, tha Çelepia, në vendin e quajtur “Moshel, fshati Vilez”, u identifikua një tjetër parcelë me 80 rrënjë bimë, edhe këto të ngjashme me Cannabis sativa. Pak ditë më parë u organizua një operacion në front të gjerë në zonën e Shkrelit dhe Kelmendit, ku u shkatërruan rreth 31 mijë rrënjë bimë narkotike. Aksionet u realizuan menjëherë pas mbërritjes së analizave nga Italia, ku kërpi industrial ishte përcaktuar si bimë narkotike.
4 Gusht 2008