E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia: I kam parë fëmijët tek punonin me predhat

Rasim Krasniqi, një nga punonjësit e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, dëshmon se norma e lartë që ishte vendosur nga drejtuesit e firmës, i detyronte fshatarët që punonin aty, të merrnin edhe fëmijët për ndihmë. Rasimi, i strehuar në kavaleshencën e Durrësit pas shkatërrimit të shtëpisë së tij nga shpërthimi i së shtunës, tregon: Punova vetëm një ditë atje. Nga mëngjesi deri në darkë. Fillimisht nuk më pranuan, por para dy javësh shkova dhe u futa menjëherë në punë. Nuk u trajnova. Më futën në transport. Duhet të shtynim dy burra dhe një grua një karrocë të mbushur plot me predha. Më futën edhe në çmontim. Ne që ishim në transport duhet të bënim të tre 550 predha që të paguheshim me 2 mijë lekë. Atë ditë ne bëra 467 dhe mora 1100 lekë. Ishte një punë rraskapitëse, me kokë në torbë dhe ku nuk vlerësoheshe. Drejtuesit ishin të gjithë shqiptarë. Nuk kam parë të huaj, as kur kërkoja punë, as atë ditë që punova. Atje punonin fëmijë mbi 13 vjeç. I kam parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›