E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshje bore në Veri, vështirësohet qarkullimi

Ulja e shpejtë e temperaturave solli reshje shiu dhe dëbore në verilindje të Shqipërisë. Në rajonin e Kukësit, gjatë natës së të martës dhe në mëngjesin e djeshëm termometri ka shënuar temperatura deri në minus 2 gradë Celsius dhe ka rënë rreth 30 cm dëborë. Dje në mesditë, në qytetin e Kukësit kishte rreth 20 cm dëborë, ndërsa reshjet kanë vazhduar edhe pasdite. Në akset rrugore Kukës-Tiranë, Kukës-Prizren etj., janë përqendruar mjetet borëpastruese dhe fadromat e drejtorisë rajonale të rrugëve, që kanë bërë të mundur qarkullimin pa probleme të automjeteve. Në Qafën e Malit, trashësia e dëborës arrin në mbi 30 cm, por është pastruar totalisht dhe pastrimi vazhdon duke hedhur gjithashtu skorie në pika të ndryshme. Më problematike mbeten akset Bajram Curri-Qafë Mali, ku trashësia e dëborës shkon në mbi 40 cm, si dhe akset Kukës-Krumë, Kukës-Shishtavec etj., ku mjetet mund të lëvizin vetëm me zinxhirë. Në disa komuna të rrethit të Kukësit, si Arrën, Kalis, Grykë Çajë etj., qarkullimi i mjeteve ka qenë i pamundur. Në gjithë rajonin nuk janë njoftuar aksidente rrugore apo emergjenca të ndryshme. Në Qarkun e Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, trashësia e dëborës deri në mesditën e djeshme ka shkuar në 15 cm, ndërsa në lartësi 30 dhe 40 cm. Burime nga zyra e emergjencave pranë Prefekturës Dibër, bëjnë me dije se si rezultat i rënies së dëborës janë bllokuar mjaft komuna dhe fshatra në zona të thella malore. Kështu, komunat Lurë, Kala e Dodës, Trebisht, Xibër-Murrize, Macukull, Martanesh etj., rezultojnë të bllokuara nga pamundësia e lëvizjes së automjeteve. Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë ka funksionuar normalisht për automjetet, por në segmentin Peshkopi-Bulqizë kjo lëvizje ka qenë me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Reshjet që parashikohet të vazhdojnë deri në fundjavë kanë sjellë dëme në pemëtari në disa zona me mikroklimë të ngrohtë. Ndërsa zonat e thella malore, një dimër i vonë i kërcënon me mbarimin e ushqimit për bagëtitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›