Tunxhi i predhave, dyshimet e para për kontrabandë ari
Tunxhi i municioneve dhe veçanërisht predhave shqiptare, që janë çmontuar gjatë një viti të tërë në "fabrikën" e Gërdecit, ka 3 për qind përmbajtje ari. Çdo gëzhojë predhe, sidomos ato të kalibrit të madh, përmbajnë të lidhura brenda tyre elementin e kushtueshëm. Kjo pasuri i detyrohet bakrit të nëntokës shqiptare, që është përdorur për prodhimin e tyre, kryesisht në Uzinën e Poliçanit. E tillë është edhe "veshja" e pjesës tjetër të municioneve të kalibrit të madh, me gëzhoja tunxhi, që strehohen ende në reparte ushtarake në vend, në pritje për t‘u shkatërruar.
Ndaj dhe eksporti i "mbetjeve" të këtyre predhave, që çmontoheshin në "emër të ligjit", duket se e ka veshur kontrabandën e arit, me petkun e skrapit. E po kështu ka legjitimuar fitime marramendëse, jo vetëm nga shitja e skrapit, por edhe nga çmimet speciale të tunxhit të shumëzuara me sasitë e municioneve të çmontuara dhe atyre në pritje. Ato arrijnë në mbi 70 milionë euro vetëm për një pjesë të kontratës së realizuar me kompaninë amerikane dhe nënkontraktorin shqiptar deri në momentin e tragjedisë.
"Të gjitha gëzhojat e prodhimit vendas janë me bakër të pastër shqiptar. Ai është shumë i pasur me përbërje ari dhe argjendi. 40 për qind e bakrit që nxirrej dërgohej në Uzinën e Telave në Shkodër dhe 60 për qind në Poliçan në Uzinën e Ushtarake të Prodhimit të Armëve", shprehet njëri prej këtyre specialistëve. Ai pohon se "këto gëzhoja prej tunxhi po t‘i nënshtrohen proceseve teknologjike të përpunimit të tyre, mund të prodhojnë shufra ari". Kjo pasi bakri i nxjerrë nga nëntoka shqiptare është i pasur dhe ka në përbërje sasi të konsiderueshme ari dhe argjendi. Por teknologjia e përpunimit të tij në Shqipëri mungon dhe për ndarjen e këtyre elementeve me vlerë kërkohet një teknologji moderne. Specialistët thonë se në tunxhin e predhave "made in Albania" gjenden edhe shumë elementë si zinku, nikeli, kromi. Por, ky thesar që është mbledhur ndër vite me djersën dhe gjakun e shqiptarëve e që duhej të shndërrohej në bankën e sigurisë për jetën e një populli të tërë, ikën jashtë vendit për llogari të firmave, që mbushin kasafortat private të individëve-pushtetarë.
Përzgjedhja
Përfaqësuesit e kompanisë amerikane, shqiptare apo asaj amerikano-shqiptare që kishin "vënë dorën në zemër" për të çmontuar municionet e vjetra shqiptare në Gërdec të Vorës, përmes kontratave që nuk i kalojnë të 2 milionë e 200 mijë dollarët, kanë ditur të marrin atë që kërkojnë. Kështu në kontratën numër 2 që mban datën 28 dhjetor 2007 dhe që është nënshkruar mes kompanisë shtetërore "Meico" të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj amerikane "Southern Ammmunition Company Inc." ka edhe një pjesë të veçantë, që i kushtohet pranimit të mallit nga shitësi te blerësi.
Në pikën 7.4 të kësaj kontrate thuhet se: Në rast se gjatë procesit të çmontimit dhe demilitarizimit do të vijnë municione me përbërje çeliku, në vend të atyre prej tunxhi, ky municion do të dërgohet mbrapsht te shitësi, pra tek ushtria shqiptare.
Një përzgjedhje e tillë e municioneve vetëm me material prej tunxhi nuk është saktësuar në kontratën e parë. Ajo specifikohet në të dytën nga blerësit e këtyre municioneve. Kjo për faktin se në pasqyrën e furnizimit që bëhet në kontratën e parë rezulton se të gjithë fishekët e kalibrave të ndryshëm janë prej tunxhi. Ndërsa në kontratën e dytë të furnizimit me predha specifikohen vetëm kalibrat e tyre.
Dëshmitë
Edhe vetë një pjesë e punëtorëve që kanë punuar në atë që me të drejtë mund të quhet "fabrika e vdekjes" në Gërdec, pohojnë se trajtimi i gëzhojave të predhave prej tunxhi ishte i veçantë. Pas çmontimit, ato pastroheshin nga punëtorë të veçantë, me naftë, në mënyrë që të mos mbeteshin gjurmë. Ato ndaheshin nga pjesa tjetër e dërgesave dhe kamionët e ngarkuar niseshin drejt Rinasit.
Llogaritë
Nga çdo ton municione të çmontuara dhe të përpunuara është arritur të përftohet si skrap rreth 70 për qind e tyre. Vetëm në fazën e parë të çmontimit të municioneve ushtarake në vendin tonë janë përpunuar 2772 tonë municione detare, 5781 mina detare 307 silurë, si dhe 39785 djegore e detonatorë. Për rrjedhojë u përftuan 1875 tonë skrap. Aktualisht, në tregjet e vendeve fqinje, një kilogram tunxh i këtyre predhave shitet me 5 deri në 6 euro. Pra për një ton shifra arrin në 5 deri në 6 mijë euro.
Vetëm në të ashtuquajturën fabrikë të Gërdecit llogaritet se municionet arrinin në 20 mijë tonë. Kjo do të thotë që 70 përqindëshi i tyre arrin vlerën e 14 mijë tonëve. Këto duke u shumëzuar me vlerën prej minimumi 5 mijë euro për një ton dalin në përfundimin se shuma totale e përfituar është plot 70 milionë euro. Kësaj shume i shtohet edhe shitja e elementeve të tjera që nxirreshin nga municionet, përfshirë edhe barutin e zi. Kontrata e dytë, e papërfunduar, në total përmbante çmontimin e plot 1 milionë e 34 mijë e 559 predha të kalibrave të mëdhenj. Përfitimet e pritshme arrinin në vlerat e disa miliarda eurove.