Testi i maturës provohet në 16 shkolla
Një provim si ai i maturës. Kjo ka qenë prova e djeshme për qindra maturantë të kryeqytetit. Ata dhanë dje provim për lëndën e matematikës dhe letërsisë, duke u përballur kështu me një test të ngjashëm me atë të maturës. Specialistët e AVA-s kanë mbërritur që në mëngjes në shkollat profesionale të Tiranës, si Liceu Artistik, Shkolla Ekonomike etj., dhe kanë organizuar gjithë provimin. Ai ishte i ngjashëm me atë të maturës shtetërore. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, u shpreh për shqip se ky provim bëhet për të testuar njohuritë e nxënësve. Mbi bazën e rezultateve do të hartohen edhe pyetjet përfundimtare të provimeve të maturës shtetërore në matematikë dhe letërsi.
Dje provimi është dhënë nga maturantë të 10 shkollave në kryeqytet. Ndërsa ditën e sotme ai zhvillohet në 6 shkolla të qytetit të Durrësit. Sipas Luljes, nxënësit e shkollave profesionale shoqërore, si Gjuhët e Huaja, u testuan për lëndën e matematikës, ndërsa ato të karakterit natyror për lëndën e letërsisë. Për herë të parë këtë vit nxënësit e shkollave profesionale teknike dhe ekonomike do të japin provim lëndën e letërsisë. Deri vjet ata jepnin matematikën dhe një lëndë profesionale. Meqenëse letërsia jepet për herë të parë në këto shkolla, AVA teston paraprakisht njohuritë e nxënësve në këtë lëndë. Duke u bazuar në rezultatet e nxënësve në këtë test do të hartohet testi përfundimtar i maturës. Kështu, nëse aty rezultojnë pyetje që janë zgjidhur nga të gjithë nxënësit, AVA do të tentojë t‘i eliminojë. Po kështu nuk do të jepen në testin përfundimtar as pyetje që rezultojnë shumë të vështira dhe nuk janë zgjidhur nga ndonjë nxënës.
Ashtu si shkollat teknike janë edhe ato social-kulturore, që për herë të parë përballen me matematikën për provimin e diplomimit. Kështu, nxënësit e Liceut Artistik, apo ata të degëve të mësuesisë, do të japin në fund të vitit edhe matematikën si provim të detyruar. Gjatë ditës së djeshme ata dhanë testin provë në këtë lëndë. Në bazë të rezultateve që dalin nga ky testim, AVA do të hartojë pyetjet e maturës për këta nxënës. Sipas drejtorit të AVA-s, në total testohen nxënësit e 16 shkollave. Fletët e provimit përmbanin pyetje me zhvillim dhe me alternativa, ashtu siç do të jetë edhe provimi përfundimtar. Korrigjimi do të kryhet në kohë rekord në ambientet e AVA-s dhe notat do t‘u bëhen të ditura nxënësve brenda këtij muaji. Këto teste i shërbejnë AVA-s si kampionë për të hartuar testet e provimeve të detyruara të matematikës dhe letërsisë. Maturantët i japin provimet e detyruara të maturës më datë 9 dhe 17 qershor. Ata që marrin notë kaluese diplomohen për shkollën e mesme dhe mund të konkurrojnë në shkollë të lartë përmes provimeve me zgjedhje. Data e provimeve me zgjedhje është 10 korriku.
Lulja deklaroi se provimi i lëndëve me zgjedhjeve zhvillohet në një ditë dhe zgjat plot 4 orë. Ndërsa provimet e lëndëve të detyruara do të zgjasin dy orë e gjysmë. Testi i letërsisë do të ketë 25 pyetje dhe zhvillohet më datë 9 qershor. Edhe testi i matematikës përmban 25 pyetje dhe zhvillohet më 17 qershor. Këto teste kanë 30 për qind të pyetjeve me zhvillim dhe pjesën tjetër me alternativa. Secili test ka nga 50 pikë.
Në periudhën javore 2-7 qershor, të gjitha shkollat duhet të zhvillojnë konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit duhet të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara.