E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Gërdeci" mbërrin në gjykatë

Dosja paraprake që lidhet me ngjarjen tragjike të shpërthimit të depove me municione luftarake në fshatin Gërdec ka mbërritur në dyert e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Prokuroria e Tiranës ka dërguar dje kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për tre personat që janë vënë nën arrest deri më tani. Mihal Pandeli Delijorgji, 42 vjeç, president i kompanisë "Alba Demil", që merrej me demontimin e lëndëve eksplozive në Gërdec, Dritan Siri Minxolli, 30 vjeç, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie dhe Ylli Ramazan Pinari, 55 vjeç, me detyrë drejtor i ndërmarrjes MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes, do të ballafaqohen sot me gjykatësin e gatshëm të Gjykatës së Tiranës, Asim Vokshi, për të mësuar masën e sigurisë që do të vendoset ndaj tyre. Prokuroria ka kërkuar për të tre burg pa afat, duke i akuzuar për veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive", parashikuar nga neni 282/2 i Kodit Penal.

Burime të sigurta nga Gjykata e Faktit Tiranë thanë dje për "Shqip" se në dosjen e paraqitur për masën e sigurisë prokuroria ka paraqitur vetëm materiale shkresore që janë grumbulluar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, siç janë kontratat e firmosura midis palëve për demontimin e municioneve, si dhe dokumente të tjera zyrtare. Ndërkaq, për shkak të pamundësisë për të këqyrur vendin e shpërthimit, në dosje mungojnë provat nga vendngjarja, që do të mund të hidhnin më shumë dritë lidhur me shkakun e shpërthimit. Gjithsesi, të pandehurit duket se për momentin janë akuzuar vetëm për mosmarrjen e masave të duhura për të parandaluar ngjarjen e rëndë që u mori jetën të paktën 17 personave dhe shkaktoi më shumë se 240 të plagosur.

Katër ditë më parë prokuroria lëshoi tre urdhër-arreste, megjithëse policia kishte shoqëruar fillimisht katër persona të konsideruar si përgjegjës për shpërthimin e Gërdecit. Personi i katërt, i cili u la i lirë, sipas prokurorisë nuk ka pasur përgjegjësi penale për ngjarjen e rëndë. Gjithsesi, burime të sigurta nga organi i akuzës kanë thënë se në varësi të ecurisë së hetimeve mund të ketë edhe arrestime të tjera, pasi ngjarja ka qenë shumë e rëndë dhe njëkohësisht edhe përgjegjësia është mjaft e madhe. Në mesditën e 15 marsit, një shpërthim i fuqishëm në ish-repartin ushtarak të Gërdecit, i përshtatur nga kompania "Alba Demil" si fabrikë për demontimin e municioneve ushtarake, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 17 personave, plagosjen e 240 të tjerëve, si dhe shkatërrimin e plotë të fshatit Gërdec, por dhe mjaft dëme në zonat përreth, deri në qytetin e Vorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›