E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e Pushimit mbushet plot, s‘ka më vende

Paqartësi dhe interes për atë çka i pret në ditët e muajt në vazhdim. Të interesuar të kthehen menjëherë në vatrat e tyre pak orë pas katastrofës, të evakuuarit nga fshati Gërdec dhe fshatrat e tjerë përreth tij kanë nisur të përjetojnë një realitet të ri. Të zbresin me këmbë në tokë dhe të kuptojnë se duhet të qëndrojnë për ca kohë larg shtëpive që ose nuk janë më, ose janë kthyer në të pabanueshme. Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme është mbushur në kapacitetin e saj të plotë me familjarë të strehuar në të. Janë 372 persona nga të gjitha fshatrat e prekura. Nga Gërdeci, Karreçi, Rada, Marqineti, Marikaj dhe Maminasi. "Janë ruajtur për raste emergjente vetëm 30 shtretër", shprehen drejtuesit e stafit të shtëpisë për gazetën. Pranë të evakuuarve, kryesisht fëmijëve, kanë zbritur dhjetë psikologët e shkollave të rrethit të Durrësit për t‘u ofruar mbështetje psiko-emocionale për të kaluar traumën e pësuar dhe pasojat e saj. Ndërkohë, familjarët e strehuar qëndrojnë në pritje të zhvillimeve të reja dhe deklarojnë se duan të kompensohen plotësisht për dëmet që u janë shkaktuar nga veprimtaria e fabrikës së demilitarizimit të municioneve dhe absurdi i shtetit që lejonte funksionimin e tij në një zonë kaq të populluar, pranë dy qyteteve kryesore dhe të vetmit aeroport ndërkombëtar të vendit. Ndërkohë, shtabi i emergjencës së Prefekturës së Qarkut Durrës ka vlerësuar dëmet në zonat e territorit të saj të prekura nga shpërthimet. Nga drejtuesit e pushtetit vendor dhe agjencia e legalizimit është bërë një bilanc dëmesh. Vetëm në bashkitë Maminas dhe Manzë rezultojnë të dëmtuara 530 shtëpi, nga të cilat 8 janë të shkatërruara plotësisht dhe 18 të tjera në kushte emergjente.

Gjatë ditës në Kavalishencë sheh vetëm gra dhe fëmijë. Burrat shkojnë të shohin shtëpitë dhe gjënë e gjallë që kanë lënë pas në fshat, po nata i gjen sërish në Durrës pranë familjeve të tyre. Ndërsa fëmijët në moshë shkollore, një pjesë e mirë e tyre, kanë nisur procesin mësimor që nga dita e martë. Një shkollë 9- vjeçare jopublike ka hapur dyert për ta. Për më të vegjlit, parashkollorët, janë vënë në dispozicion ambientet dhe stafi i kopshtit publik që dikur financohej nga fondacioni "Soros". Po shumë nëna nuk i kanë larguar prej vetes të vegjlit. "Dua t‘i mbaj me vete. Janë ende të trembura dhe nuk rrinë larg qoftë dhe për pak orë. Pastaj dhe vetë kam frikë mos i humbas me ç‘na panë sytë atje", shpreh frikën e saj një nga nënat e reja të fshatit Marqinet, teksa shtrëngon pas vetes dy vajzat e saj. Të njëjtën frikë kanë pasur edhe nëna të tjera. Solidaritet me bashkëmoshatarët e tyre kanë shprehur mjaft nxënës të shkollave të Durrësit, të cilët kanë mbledhur veshje dhe lodra për ta. Ndërkohë, që nga dita e djeshme, në Shtëpinë e Pushimit është ngritur një strukturë e veçantë mjekësore për t‘u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›