E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Nuk ka dialog pa u hapur kutitë e votimit”

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbyllur fazën e dytë të protestave para Parlamentit në Tiranë, nën sloganin “Hap kutitë, ose largohu!”. Partia Socialiste ka zhvilluar një sërë protestash për gjashtë ditë në disa qytete të ndryshme të vendit dhe dje ka mbyllur turin e saj për këtë vit në kryeqytet. Kryesocialisti Rama është shprehur i bindur se protestat do të vazhdojnë edhe pas vitit 2010, ato do të jenë më të fuqishme deri në përmbushjen e kërkesave të PS-së. Në fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama, është ndalur në krizën ekomomike që ka pllakosur në vend e që pritet të rëndohet më shumë gjatë vitit 2010 si pasojë e rritjes së çmimeve, për denigrimin që qeveria u bën kërkesave të ish-të përndjekurve politikë, të cilët kanë hyrë në grevë urie, për mizerabilitetin në të cilën gjendet sot shërbimi social dhe ai spitalor, si dhe për shkatërrimin që po pëson biznesi i vogël, bujqësia, mungesën e parave për të paguar administratën shtetërore etj. Kreu i PS-së ka komentuar edhe tërheqjen e bërë nga qeveria për të mos ulur nivelin e tatimit të biznesit të vogël nga 8 në 5 milionë lekë xhiro në vit. “Pinoku që kemi kryeministër tha një tjetër gënjeshtër të madhe të radhës kur deklaroi se me këtë tërheqje po mbështet biznesin e vogël. Në të vërtetë nuk u tërhoq as nga vendosja e TVSH-së e as nga tatimi i fitimit mbi këtë biznes në mes të acarit ekonomik që jemi”, - tha kreu i PS-së.
Lidhur me kërkesën e maxhorancës për fillimin e dialogut, Rama deklaroi se nuk do të ketë dialog pa hapur kutitë. “Ne jemi gati për një dialog demokratik, të barabartë, të vërtetë dhe të hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë që thellohet. Por nuk jemi për dialog të kushtëzuar me moshapjen e kutive”, - pohoi Rama. Gjithashtu ai fajësoi qeverinë për pengesën e liberalizimit të vizave, ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit sot festojnë liberalizimin, Shqipëria është e fundit në listë.
Kriza e viti 2010
Duke folur përpara qytetarëve të pranishëm në protestën e fundit të opozitës për këtë vit, kryesocialisti nënvizon se protestat janë në emër të çdo shqiptari që nuk mund të festojë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. “Tirana dhe gjithë Shqipëria pret Krishtlindjet dhe Vitin e Ri nën renë e një krize ekonomike që fryhet përditë mbi kokat e gjithë shqiptarëve. Ne protestojmë sepse Tirana dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të festojnë”, - theksoi Rama. Duke e vënë theksin në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike me të cilat do të përballen qytetarët dhe bizneset gjatë vitit që po troket, lënien në harresë të ish-të përndjekurve politikë, kreu i PS-së ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, ku, sipas tij, fshihet vendimi i shqiptarëve “për t’u qeverisur nga një politikë që hallin që nuk e zgjidh e qan me sinqeritet”. “Me siguri biznesmenët e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se çmimi i energjisë nuk është rritur 13, por 22%. Shqipëria e ka të pamundur të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës në vigjiljen e Vitit të Ri. Hap kutitë, ose largohu Pinok gënjeshtar, sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re”, - theksoi kreu i opozitës. “Shqipëria ka mbetur e fundit në Europë dhe shqiptarët nuk dalin dot nga vendi i tyre pa vizë”, - theksoi kryetari i socialistëve, ndërsa nënvizoi se përgjigjja e qeverisë për këtë është se të fundit kemi qenë gjithmonë.
S’ka dialog pa hapur kutitë
“Jemi gati për dialog demokratik për zgjidhjen e krizës, jo për dialog në mos hapjen e kutive; ky nuk është dialog, është mënyrë për të kaluar lumin. Ta harrojnë se kjo opozitë do të bëhet kalë për të kaluar lumin, ta harrojnë që kjo opozitë do të kthehet në Parlament për të folur përsëri për kutitë e pahapura”, - tha Rama, ndërsa bëri të ditur se viti 2010 do të fillojë me protesta shesh më shesh e rrugë më rrugë, deri në hapjen e kutive të votimit, ose largimin e Berishës, që ai e quajti “kryeministri Pinok”. Opozita, sipas Ramës, do ta bëjë 2010-n vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet, që e ka kthyer Parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Berishës dhe ku Sali Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie të opozitës. “Na quajnë çdo ditë mafiozë e perversë, na bëjnë terroristë e na lidhin me botën e krimit, na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë e na hedhin baltë si torturues të fëmijëve tanë, por javët e fundit na ftojnë njëkohësisht edhe për dialog. Për të mirën e vendit thonë. U kujtuan për të mirën e vendit tani që vendi po ia sheh sherrin në xhepin e njerëzve politikës së tyre të mbrapshtë të shpenzimeve pafre e të korrupsionit pa kufi. Tani që karrigia po u zhytet në qelbin shpërthyes të ekonomisë së gangrenizuar nga korrupsioni, nga borxhet e shtetit të bëra litar në fytin e popullit e nga shpenzimet e shfrenuara për t’i marrë popullit vota me shirita si të Kalimashit, e mira e vendit po u kujtohet mes rreshtave të fjalimeve e deklaratave plot të shara dhe kërkojnë nga ne të ndajmë përgjegjësitë për të përballuar krizën e shkaktuar prej tyre”, - theksoi Rama.

22 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›