Skandali, 8 ministri nuk paguajnë taksat vendore
Pas 16 qeveritarëve, denoncohen rastet e institucioneve qeveritare debitore
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës ka bërë publik një tjetër skandal të qeverisë “Berisha”, ku 8 ministri kanë shkelur rëndë ligjin duke mos paguar taksat vendore. Pas përfaqësuesve të lartë të shtetit, Bashkia bëri publik lajmin për institucionet shkelëse të ligjit. Një situatë e tillë e rëndon së tepërmi gjendjen, duke pasur parasysh që qytetarët e thjeshtë detyrohen të bëjnë pagesat e detyruara kundrejt ligjit, ndërsa ligjvënësit janë “borxhlinjtë” kryesorë. Bashkia e Tiranës, në një komunikim me mediat, tha se Tirana europiane mund të ndërtohet vetëm nëse të gjithë janë të përgjegjshëm dhe kjo nis nga funksionarët e shtetit.
“Gjatë ditëve të fundit, Bashkia e Tiranës ka bërë publik emrat e disa funksionarëve të lartë të shtetit, kryesisht ministra e zëvendësministra, të cilët nuk kishin shlyer detyrimet e tyre si qytetarë të Tiranës, duke lënë pa paguar taksat dhe tarifat pranë Bashkisë së Tiranës”, - theksoi zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Joana Bushi.
Ministritë
Janë 8 institucionet më të rëndësishme në vend që nuk kanë bërë pagesën e tarifave vendore. Bëhet fjalë për Ministrinë e Brendshme, e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; e Arsimit dhe Shkencës; e Mbrojtjes; e Punës dhe Çështjeve Sociale; e Punëve Publike dhe Transportit; e
Shëndetësisë dhe institucionet e saj të varësisë. Të gjitha këto institucione janë debitore ndaj Bashkisë së Tiranës për mospagesë të tarifave fikse të vendosura me ligj dhe të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo qytetar i thjeshtë apo institucion. ”Dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë funksionarëve të shtetit dhe drejtuesve të institucioneve të lartpërmendura, të cilët janë përgjegjës në mënyrë direkte për borxhet publike ndaj qytetarëve dhe Bashkisë së Tiranës, se ky qytet mund të funksionojë dhe të vazhdojë të zhvillohet vetëm nëse të gjithë ata që përfitojnë nga shërbimet që pushteti vendor ofron, paguajnë detyrimet e tyre në kohë. Tiranën Europiane mund ta ndërtojmë vetëm nëse të gjithë jemi të përgjegjshëm, dhe kjo përgjegjësi duhet të fillojë në radhë të parë nga funksionarët e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve qeveritare, të cilët fatkeqësisht, shumicën e orarit zyrtar të punës e shpenzojnë duke shpifur e trilluar në kurriz të Bashkisë së Tiranës”, - thuhet në deklaratën e Bashkisë.
Pagesat
Duket se Bashkia e Tiranës ka gjetur një mënyrë për t’i “detyruar” personat përgjegjës dhe titullarë të shtetit apo institucionet që të paguajnë taksat nëpërmjet denoncimeve publike në media. Sipas zëdhënëses së Bashkisë së Tiranës, bërja publik e disa funksionarëve të lartë pak ditë më parë ka bërë që një pjesë e tyre të paguajnë taksat. Një pjesë e institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre nuk i paguajnë taksat prej disa vitesh. “Ky denoncim publik ka funksionuar për një pjesë të personave të lartpërmendur, të cilët më në fund, edhe pse afatet kohore ishin shkelur, shlyen detyrimet e tyre karshi Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve të kryeqytetit. Duke u nisur nga ky fakt, dëshirojmë sot të denoncojmë publikisht një numër institucionesh, të cilat po ashtu janë debitore ndaj Bashkisë së Tiranës, duke mos paguar detyrimet e tyre për taksat dhe tatimet.
Qytetarët e Tiranës, të cilët në mënyrë të rregullt paguajnë detyrimet e tyre pranë Bashkisë, duhet të informohen se paratë e tyre pastrojnë, mirëmbajnë dhe gjelbërojnë sot edhe institucionet qeveritare, përfshirë këtu edhe godinat e ministrive, të cilat nuk paguajnë taksat dhe tarifat përkatëse vendore”, - theksoi zëdhënësja Joana Bushi.
Lista me ministritë debitore ndaj Bashkisë së Tiranës:
Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, së bashku me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Mbrojtjes, me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
Ministria e Brendshme
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit
Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e saj të varësisë
Shmangia e taksave, 6 ministrat dhe 10 zëvendësministrat që nuk paguanin
Pak ditë më parë Bashkia e Tiranës bëri publike rastet e 6 ministrave dhe 10 zëvendësministrave që nuk paguanin taksat vendore. Madje një pjesë e tyre ishin debitorë me Bashkinë prej 3 vitesh. Ky ishte rasti i parë i këtij lloji, që u bë publik nga Bashkia dhe një shkelje e rëndë e ligjit nga vetë ligjvënësit.
Tarifat vendore, si taksa e pastrimit dhe taksa e gjelbër, që janë rregull i detyrueshëm për çdo qytetar të thjeshtë, nuk zbatohen nga përfaqësuesit e qeverisë, të cilët prej disa vitesh u janë shmangur këtyre detyrimeve. Sipas deklaratës së Bashkisë të pak ditëve më parë, u publikua e plotë lista e kryesuar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, pjesë e Ministrisë të cilën drejton, është dhe pushteti lokal. Po kështu, zëvendësministri i së njëjtës Ministri, Ferdinand Poni, ka 3 vjet pa paguar asnjë taksë apo tatim. Lista e shkelësve të ligjit është e përbërë nga 16 pushtetarë, të cilët, në dallim nga qytetarët e thjeshtë, kanë ndjekur rrugën e thyerjes së ligjit. Bashkia e Tiranës bën të ditur se numri i pushtetarëve që nuk paguajnë taksat është edhe më i lartë. Ndërsa ata që janë verifikuar si të tillë janë: Lulzim Basha, ministër i Brendshëm; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë; Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike; Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës; Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë; Edit Harxhi, zëvendësministre e Jashtme; Iva Zajmi, zëvendësministre e Brendshme; Zana Xhuka, zëvendësministre e Mbrojtjes; Jorida Tabaku, zëvendësministre e Integrimit; Nezir Haldeda, zëvendësministër i Financave; Alfred Rushaj, zëvendësministër i Financave; Neritan Alibali, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Energjetikës; Eno Bozdo, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Energjetikës; Edmond Haxhinasto, zëvendësministër i Punëve Publike; Fedrinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm. Përfaqësuesit e shtetit listohen nga Bashkia e Tiranës për të disatën herë, pasi edhe vitin e kaluar, në Bashkinë e Tiranës janë shënjuar emra të personazheve kryesorë të politikës, të cilët nuk paguajnë taksat vendore. Bashkia e Tiranës vendosi në qendër të vëmendjes ministrin Basha dhe zëvendësministrin Poni, për të cilët funksioni që ata kanë është edhe pushteti lokal, ndaj dhe përgjegjësitë dhe zbatimi i ligjit për ta duhet të ishte primar.
Ministrat dhe zëvendësministrat që nuk paguajnë taksat vendore
Lulzim Basha ministër i Brendshëm
Arben Imami ministër i Mbrojtjes
Bujar Nishani ministër i Drejtësisë
Sokol Olldashi ministër i Punëve Publike
Myqerem Tafaj ministër i Arsimit dhe Shkencës
Petrit Vasili ministër i Shëndetësisë
Edit Harxhi zëvendësministre e Jashtme
Iva Zajmi zëvendësministre e Brendshme
Zana Xhuka zëvendësministre e Mbrojtjes
Jorida Tabaku zëvendësministre e Integrimit
Nezir Haldeda zëvendësministër i Financave
Alfred Rushaj zëvendësministër i Financave
Neritan Alibali zëvendësministër i Ekonomisë Energjetikës
Eno Bozdo zëvendësministër i Ekonomisë Energjetikës
Edmond Haxhinasto zëvendësministër i Punëve Publike
Fedrinand Poni zëvendësministër i Brendshëm
22 Dhjetor 2009