Bushati: “Kryeministri, një mashtrues i certifikuar nga KE-ja”
Deputet i Tiranës, Ditmir Bushati, i ka bërë dje thirrje kryeministrit Berisha se duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për dështimin e qeverisë së tij dhe për izolimin që sot përjetojmë në dallim nga fqinjët tanë. “Nuk është raporti i kushtëzuar i Partisë Socialiste me Kuvendin arsyeja e kësaj situate, por Sali Berisha, i cili nuk dorëzon para Drejtësisë imunitarët e inkriminuar sikurse kërkon Bashkimi Europian. Nuk ka njeri me mend në kokë që beson shpifjet e njeriut të certifikuar tashmë si mashtrues nga Komisioni Europian se opozita është shkaktarja e faktit se përse mbetëm të fundit në rajon”, - deklaroi Bushati. Sipas tij, protestat e opozitës u shërbejnë parimeve themelore demokratike europiane që e kanë thelbin te vota e lirë, të cilat do ta detyrojnë Sali Berishën të pranojë kërkesën legjitime të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit, si e vetmja rrugë për fillimin e një dialogu politik dhe përshpejtimin e integrimit europian dhe lëvizjes pa viza në hapësirën “Shengen”.
Tahiri: “Hajduti Berisha po na vjedh të ardhmen”
Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, ka thënë në fjalën e tij se protestat janë thirrja ndaj hajdutit që po vjedh të ardhmen e këtij vendi, e bashkë me të ka vënë dorë të vjedhë dhe mundësinë e popullit për ta larguar në mënyrë demokratike nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe ndershme. “Ne kemi gjithë të drejtën të ndiejmë neveri për këtë qeveri banditësh, por njëkohësisht kemi edhe detyrimin historik të bëjmë gjithçka është në dorën tonë për ta ndalur këtë revansh korrupsioni që buron nga zyrat e qeverisë e përfundon në xhepat e qeveritarëve”, - u shpreh Tahiri. Ai e mbylli fjalën duke thënë Hap kutitë ose largohu është thirrja jonë dhe alternativa e vetme, jo për të shpëtuar Sali Berishën, por për të shpëtuar një herë e mirë shqiptarët nga duart e pista të këtij njeriu.
Dokle: “Transparencë të plotë zgjedhjeve”
“Sot përmbyllim javën e protestave të dhjetorit, për të rinisur edhe më fuqishëm në vitin e ardhshëm”. Kështu ka nisur fjala e deputetit socialist Namik Dokle. Ai është shprehur për të mbrojtur lirinë e votës. Ai ka thënë se ne mbrojmë gjithçka që demokracia u siguron qytetarëve shqiptarë që aspirojnë të jenë qytetarë europianë, të një Europe të Bashkuar. “Kjo kërkesë e PS-së dhe e deputetëve të saj është bërë tashmë kërkesë e gjithë shqiptarëve që duan të mbrojnë lirinë dhe të drejtën e votës, është bërë një lëvizje e fuqishme, që nuk do të ndalojë derisa të realizohet transparenca e plotë e procesit zgjedhor”, - është shprehur Dokle. Ai e ka mbyllur fjalën e tij duke thënë se “ne këtu jemi, këtu do të qëndrojmë, këtu do të protestojmë, këtu do të fitojmë!”
Shalsi: “Bizneset e vogla kërcënohen nga falimentimi”
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, është shprehur se Shqipëria ndodhet në krizë demokratike dhe ekonomike. Institucionet janë paralizuar, kapitalet janë trembur dhe e gjithë shoqëria është zhytur në pasiguri. “Qindra biznese të vogla do të paguajnë këtej e tutje TVSH dhe detyrimi i tyre do të jetë 2-3 herë më i lartë, çmimet e mallrave që ato shesin do të jenë më të larta për shkak të taksave më të mëdha që janë të detyruara për t’i paguar, numri i të punësuarve rrezikon të ulet dhe bizneset të reduktojnë vendet e punës dhe të ardhurat e familjeve të tyre”, - u shpreh Shalsi. Ai e ka mbyllur falën e tij duke thënë se një pushtet kryeneç që nuk ka kurajë të hapë kutitë e votimit dhe të provojë legjitimitetin e tij, është burim pasojash të rrezikshme, ndaj duhet të largohet.
22 Dhjetor 2009