Liberalizimi i vizave, BE-ja mohon përgjegjësitë për dështimin e Shqipërisë dhe të Bosnjës
Presidenca suedeze e Bashkimit Europian shmang çdo lloj implikimi të saj në të ashtuquajturin “dështim” të lëvizjes së lirë të qytetarëve, duke fajësuar vetë vendet që nuk përfituan nga liberalizimi i vizave “Shengen” më 19 dhjetor. “Ky dështim i veçantë u faturohet vetëm vetë atyre. Ne nuk mund ta bëjmë punën në vend të tyre, por vetëm mund t'i lejojmë që ata vetë ta bëjnë. Ata e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe shpresoj se tashmë do të mund të arrijnë në të ardhmen diçka për çështjen e vizave, megjithëse do të ishte më mirë dhe e kishin mundësinë të ishin dhe në grupin e parë”, - ka deklaruar ministri i Jashtëm suedez. Bildt bëri bilancin 6-mujor të presidencës suedeze, që e përfundon zyrtarisht mandatin më 31 dhjetor, për t'ia kaluar stafetën më 1 janar Spanjës. Pasi evidentoi si arritje në fushën e zgjerimit kandidaturën e Islandës dhe aplikimin që pritet të dorëzohet të martën në Stokholm nga serbët, ministri suedez, ashtu sikundër homologu i tij spanjoll tri ditë më parë, foli për Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Maqedoninë, por nuk përmendi në asnjë moment Shqipërinë. Jo vetëm në fjalën hyrëse, por edhe kur u pyet për Shqipërinë, Bildt preferoi të shprehej vetëm mbi Bosnjën, vend i cili karakterizohet nga mungesa e dialogut politik e që radhitet në të njëjtën kategori me Shqipërinë për çështjen e liberalizimit të vizave. “Nuk ka asnjë dyshim se ne do të kishim dëshiruar, për shembull, që Bosnja të ishte përfshirë në liberalizimin e vizave që ndodhi javën e kaluar, e për këtë nuk ka asnjë pikëpyetje. Por ky ishte vetëm dështim i lidershipit të Bosnjës. Unë vajta atje edhe gjatë presidencës çeke të BE-së dhe iu thashë se duhet të kuptoni që procesi i anëtarësimit është i bazuar mbi performancë dhe se ju duhet të arrini një marrëveshje të mirë mbi këto çështje kyçe, përndryshe do të mbeteni pas të tjerëve, sepse pjesa tjetër e rajonit po ecën përpara. Unë nuk mendoj se ata na dëgjuan sa duhet dhe në përputhje me këtë sjellje u lanë pas, çfarë është vërtet për të ardhur keq, por është prej dështimit nga ana e tyre për çështjen e vizave”, - ka theksuar Bildt. Ministri suedez theksoi se kjo ishte konferenca e fundit për shtyp e një presidence që udhëheq politikën e jashtme të BE-së, pasi me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, këtë detyrë e merr ekskluzivisht përfaqësuesja e re e lartë, Catherine Ashton. Presidencat pasardhëse; spanjolle, belge, hungareze e me radhë, nuk do të kenë tashmë rol udhëheqës në fushën e politikës së jashtme, por vetëm mbështetës dhe ndihmues.
22 Dhjetor 2009