E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjosa përmbyt Fierin dhe Vlorën, banorët ngujohen në tarraca

FIER-VLORË – Për të dytën ditë me radhë Vjosa ka tmerruar me mijëra banorë në rrethet e Fierit dhe të Vlorës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Mbi 50 banesa janë përmbytur, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore janë të mbuluara me ujë. Nën ujë ndodhen dhe shumë banesa pranë shtratit të lumit, ndërsa banorët kanë gjetur strehë të përkohshme në tarracat e shtëpive deri në rënien e nivelit të ujit. "Niveli i ujit arriti në 7.5 m, nga 5.5 m që është pika kritike, duke shënuar nivelin më të lartë në 3-4 dekadat e fundit", - pohoi prefekti i Fierit, Bujar Hasaj. Ai bëri të ditur se "si pasojë e daljes nga shtrati të Vjosës, paraprakisht rezulton të jenë përmbytur rreth 510 ha tokë bujqësore dhe rreth 30 shtëpi të fshatit Ferras".

Situata
Në fshatrat e Fierit dhjetëra shtëpi ndodhen të izoluara nga uji. Bëhet fjalë për banesa në fshatrat Ferras, Pishporo e Cerven. Sipas Hasajt, mbrëmjen e së dielës është mbledhur Shtabi i Emergjencës pranë prefekturës për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren deri në normalizimin e situatës. "Efektivat e policisë u shpërndanë në grupe në terren për evakuimin e familjeve më të rrezikuara”, - u shpreh Hasaj. Sipas tij, krahas grupeve të emergjencës në terren janë dhe grupet e verifikimit të dëmit, me qëllim përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve.

Banorët në tarraca
Por, pavarësisht mbledhjeve, banorët e banesave të përmbytura dje qëndruan sipër tarracave të shtëpive duke pritur për ndihmë. Mësohet se pleq, burra, gra e fëmijë po presin në kushte të vështira për rënien e nivelit të ujit për t’u rikthyer sërish në banesa. Emergjente paraqitet gjendja për një vajzë të sëmurë mes banorëve të banesave të përmbytura. Me ethe dhe temperaturë, simptoma të gripit, vajza u mbajt për disa orë në tarracën e shtëpisë, në pritje të ndihmës mjekësore. Mësohet se familjarët e saj kanë kërkuar një gomone për të dërguar vajzën në spital, por asgjë nuk është realizuar deri pranë mesditës. Reshjet e shiut kanë pushuar pas disa orësh, por sipas parashikimeve të meteorologëve, shiu do të rikthehet gjatë ditës së sotme.
Bllokohet Vlorë-Selenicë
Gjatë ditës së djeshme është bllokuar aksi rrugor Vlorë-Selenicë. Dalja nga shtrati i ujërave të lumit Vjosë solli ndërprerjen e qarkullimit. Në vendin e emërtuar Bishti i Malit, 25 km në lindje të Vlorës, ujërat kanë mbuluar plotësisht një segment prej rreth 1 kilometrash, duke e bërë atë të pakalueshëm nga mjetet e vogla. Krahas kësaj, ujërat kanë përmbytur edhe rreth 200 hektarë tokë në këtë zonë deri në afërsi të Selenicës, e cila është e mbjellë më kultura të ndryshme bujqësore, kryesisht grurë.
Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Ilia Seferi, bëri të ditur se “gjendja është e rëndë, qarkullimi është bllokuar, ndërkohë që është dëmtuar edhe një pjesë e trasesë së rrugës”. Në vend kanë mbërritur mjete të Ndërmarrjes së Ujërave, që po bëjnë përpjekje për të normalizuar situatën. Gjithashtu, ujërat e lumit Vjosë kanë mbuluar edhe stacionin e pompave të ujit të pijshëm, duke e nxjerrë atë jashtë funksioni. Për të furnizuar popullsinë me ujë të pijshëm po shfrytëzohen autobotet. Gjendja në afërsi të Selenicës u rëndua pasditen e së dielës, kur lumi Vjosë, i cili përshkon 4 kilometra pranë qytetit, doli nga shtrati si pasojë e reshjeve të shumta të shiut në zonën e basenit ujëmbledhës, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore.

Reshjet e dëborës lënë pa energji fshatrat e Korçës

KORÇË - Moti i keq në rajonin juglindor ka lënë pa energji elektrike banorët e komunës së Moglicës në Korçë. Më tepër se 10 fshatra kanë mbi 48 orë pa energji elektrike, si pasojë e dëmtimit të rrjetit të nënstacionit elektrik nga reshjet e dendura të borës. Ende nuk dihet se kur do të rinisë furnizimi me energji në këtë komunë. Burime nga OSSH-ja bëjnë të ditur se po punohet për rikthimin e energjisë elektrike ndonëse në një terren aspak të favorshëm për shkak të ngricave dhe trashësisë së borës në këtë zonë të thellë malore. Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur për disa orë edhe në komunën e Lekasit.

Mbyten dy maune në aksin Cërrik-Gramsh

ELBASAN - Dy maune, të cilat udhëtonin në aksin Cërrik-Gramsh, kanë përfunduar nën ujë si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Devoll. Mësohet se ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur rrjedha e lumit ka marrë përpara dy maune, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Njëra prej mauneve transportonte rreth 2 mijë gjela deti, ndërsa tjetra transportonte dru. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe një grup veterinerësh që do të merren me groposjen e gjelave të detit. Aksi Cërri-Gramsh vazhdon të jetë i përmbytur që prej ditës së diel si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Devoll nga reshjet e dendura. Aktualisht rreth 5 kilometra të këtij aksi vazhdojnë të mbeten nën ujë, ndërkohë që përmbytjet kanë përfshirë dhjetëra hektarë sipërfaqe tokash.

Rrugët në Veri mbeten të bllokuara

KUKËS - Mungesa e reshjeve të dëborës në 24 orët e fundit ka ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të situatës në akset kryesore rrugore të qarkut të Kukësit në verilindje të vendit. Ndërkohë që situata paraqitet më e rënduar në akset rrugore rurale të kësaj zone.
Komunat Arrën dhe Zapod janë të bllokuara si shkak i trashësisë së borës mbi 50 cm. Rrugët janë të kalueshme, por vetëm me zinxhirë në akset Qafë-Mali – Qafë-Shllak – Kukës - Morinë. E njëjta situatë është edhe në rrugën Fierzë – Bajram Curri - Morinë, Krumë – Qafë-Prush dhe Krumë – Kukës, të cilat janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në rrethin e Tropojës, i cili përfshihet në qarkun e Kukësit, janë të bllokuara komuna Lekbinaj dhe pjesërisht rruga B. Curri-Valbonë, ndërsa ka probleme me ndërprerjet e energjisë në Has dhe Shishtavec, si shkak i rëndimit të telave nga dëbora.

Parashikimi i motit, edhe sot reshje shiu dhe dëbore

TIRANË – Ditën e sotme deri në mesditë, Shqipëria Qendrore dhe Jugore pritet të jetë me kthjellime e vranësira kalimtare, në zonat veriore do të ketë reshje të pakta dëbore. Sipas të dhënave të Shërbimin Meteorologjik MeteoAlb, në pjesën e dytë e ditës do të ketë shtim të vranësirave në vend, duke bërë që në gjitha zonat malore dhe në një pjesë të Qendrës së vendit të bien shira të dobët. Në kushtet e shirave të dobët dhe të izoluar do të jetë koha edhe në mëngjesin e ditës së mërkurë. Temperaturat e mëngjesit do të rriten ndjeshëm në Veri, por mesdita do të sjellë 2 gradë rritje të temperaturave në të gjithë vendin. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe e fortë në det me shpejtësi 60 km/h dhe drejtim jugor duke shkaktuar në det dallgëzim deri 6 ballë.
E njëjta situatë meteorologjike është edhe në Europën Veriperëndimore dhe Pellgu i Mesdheut, të cilat dominohen nga vranësira dhe reshje shiu e dëbore. Po ashtu, me reshje dëbore do të mbetet gadishulli i Ballkanit dhe një pjesë e qendrës së kontinentit.
Ndërsa pjesa tjetër do të jetë e kthjellët, me vranësira kalimtare. Problematike në kontinent do të mbeten ende temperaturat e ulëta.

22 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›