Flet psikologu i Qendrës Ambulatore të HIV/AIDS-it, Vilson Banushi
Një sëmundje që deri dje edhe ata vetë e paragjykonin, qëndronin indiferentë ndaj rasteve që u binte rasti t’i dëgjonin. Duke menduar se ishin “të paprekshëm”, HIV/AIDS-in e mendonin si një sëmundje të cilin regjisorët e shfrytëzonin shumë mirë për të bërë “fiction”. Ndonjëherë binte rasti që edhe në ekranin e televizorit të shfaqeshin emisione që trajtojnë problematikën e HIV-it dhe gjithë moskokëçarje ata të thoshin: “ǒna çanë kokën këta me gjithë këtë sëmundje!” Por asnjëri prej tyre nuk do ta kishte menduar se çfarë do t’u rezervonte fati dhe jeta e aq më tepër të çonin nëpër mend se një ditë edhe ata do të sëmureshin me sëmundjen e shekullit HIV/AIDS. Infektimi, jeta e mëpasme dhe shoqëria e një të sëmuri me HIV AIDS. Psikologu i qendrës ambulatore të HIV/AIDS në QSUT, Vilson Banushi, rrëfen në “standard” bashkëjetesën e pacientëve të infektuar me sëmundjen.
Kur vendos kontaktet e para një pacient me psikologun?
Të gjithë pacientët të cilët kanë vendosur të kryejnë testin e HIV/AIDS, më parë kryejnë një seancë këshillimore me psikologun. Kjo bëhet për arsyen e vetme për të përgatitur atë për çfarëdo lloj situate, për t’i dhënë informacione të mëtejshme për sëmundjen. Kategoria e pacientëve që vijnë për të kryer testin janë kryesisht personat që dyshojnë se mund të jenë mbartës dhe pacientët që bëjnë testin nga ku marrin informacion se janë mbartës. Pas testit, në rastet kur pacienti rezulton negativ, lajmi i komunikohet nga unë. Gjithashtu, edhe në rastet kur testi rezulton pozitiv, lajmi i komunikohet pacientit nga unë si psikolog dhe nga mjeku. Duhet të pranojmë se seancat këshillimore kanë rezultuar pozitive si në rastet kur pacientëve u ka rezultuar testi pozitiv, ashtu edhe rastet negative. Për personat e sëmurë me HIV/AIDS është bërë ndjekja këtu në klinikën ambulatore ku u është ofruar shërbim dhe kujdes shëndetësor falas, si dhe kanë vazhduar seancat këshillimore me psikologun.
Cili është reagimi i tyre për rastet që rezultojnë pozitivë dhe negativë?
Nga eksperienca ime këtu në klinikë kam konstatuar se nga pikëpamja psiko-emocionale pacientët reagojnë në të njëjtën mënyrë kur informohen se janë të infektuar me infeksionin HIV. Pra, nuk ka dallim midis moshave apo sekseve në mënyrën e reagimit apo të sjelljes së tyre. Të gjithë pacientët që ndiqen në klinikën tonë, janë adutë. Një pjesë e mirë e tyre qajnë, qoftë edhe burrat, pasi ngarkesa emocionale është e lartë. Nga ana fiziologjike e pacientëve kemi shpeshtim të frymëmarrjes, rrahjet e zemrës rriten, presioni i gjakut është i lartë, ka djersitje dhe dridhje. Përjetimet psiko-emocionale të pacientëve duhet të eliminohen sa më shpjet që të jetë e mundur, sepse ato shkaktojnë nxitje fiziologjike. Parametrat fiziologjikë nëse nuk funksionojnë normalisht krijojnë çrregullime në organizëm dhe sistemin imunitar të pacientit, sepse dihet që ato nuk janë gjë funksionale, por kanë pasoja. Pra, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis përjetimeve psikologjike dhe shëndetit të pacientit. Ne kurojmë përmes komunikimit dhe dëgjimit, kjo është bindja ime. Kjo është kura më e mirë për të përmirësuar gjendjen psiko-emocionale, por edhe për të përballuar sa më mirë situatën post-informim, pasi është vërejtur se ¾ e vizitave tek mjeku bëhen psikologjike dhe jo se realisht ata janë të sëmurë si dhe ¾ e vuajtjeve janë psikologjike sesa organike. Siç e përmendet edhe ju, ka pasur raste që kanë rezultuar negativë ndaj testit, por që përjetonin të njëjtat simptoma sikur të ishin realisht të infektuar, ata pohojnë se kanë pasur ethe, temperaturë, djersë, rënie në peshë. Madje, ata kanë shkuar deri aty sa të tërhiqeshin nga jeta sociale, të mbylleshin në vetvete, të qëndronin vetëm në shtëpi për një kohë të gjatë, pasi ndiheshin fajtorë. Pra, edhe ata kanë përjetuar simptomat e personave të prekur me HIV/AIDS vetëm sepse mendonin se ishin të tillë.
Si vijojnë më tej seancat me të infektuarit, çfarë i pyesin më së shumti?
Puna me pacientët e infektuar është në vazhdimësi, ne jemi në kontakte dhe në ndërveprim të vazhdueshëm me ta, pasi simptomat psiko-emocionale të pacientit që nga momenti i informimit deri në përshtatje zgjat 2-7 muaj në shumicën e pacientëve. Pra, mbas 7 muajsh pacienti fillon të përshtatet me realitetin post-informim-traumatik dhe fillon të bashkëjetojë me HIV/AIDS-in. Vetëm pas kësaj periudhe ai fillon dhe i kthehet aktivitetit të përditshëm, punës, duke përmirësuar marrëdhëniet në familje, shoqëri dhe punë, ndërkohë që fillimisht e ka të vështirë. Dhe pyetjet më të shpeshta janë kryesisht për sëmundjen, informacione të përgjithshme, më pas për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të pacientëve të tjerë. Duke pyetur po të tjerët, pas sa kohësh vazhdon kjo gjendje.
Kur e këshilloni pacientin t’u rrëfejë familjarëve sëmundjen?
Pasi i është komunikuar pacientit se është i infektuar me sëmundjen HIV/AIDS ne gjithashtu i themi atij se ky lajm i duhet komunikuar edhe partnerit dhe familjarëve të tij. Në momentet e para ngurrimi i tij është i dukshëm. Kjo është më se normale, për një sërë arsyesh. Por mund të them që duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me pacientin dhe duke i shpjeguar atij domosdoshmërinë e kryerjes së këtij veprimi, një pjesë e mirë e tyre u tregojnë familjarëve, ka të tjerë që kërkojnë ndihmën tonë për t’ua komunikuar sëmundjen. Ne e vlerësojmë si një detyrë tejet të rëndësishme komunikimin me familjarët. Fillimisht u them atyre që infeksioni nuk është i rrezikshëm dhe të qenit një pjesëtar i tyre i infektuar nuk do të thotë rrezik apo vdekje.
Familjarët e paragjykojnë infeksionin HIV/AIDS, pra kanë paragjykime dhe frikë prej tij dhe kryesisht kjo vjen nga mungesa e informacionit, por edhe nga informacioni që kanë marrë përmes medias apo reklamave të ndryshme, si HIV është baras me vdekje apo HIV është vdekjeprurës. Por, përmes komunikimit dhe seancave të veçanta, ne ndikojmë në përmirësimin dhe ndihmojmë në marrëdhëniet familjare.
Si ka rezultuar puna juaj?
Puna ka rezultuar absolutisht pozitive. Nuk ka veprim më human, praktikë më hyjnore sesa të rikthesh një person në jetë. Do t’ju tregoj një fakt shumë të rëndësishëm lidhur me këtë. Tek pacientët tanë apo tek ky grup social ndodh procesi i një metamorfoze të dyfishtë. Pacienti, pasi informohet se është i infektuar me HIV, shndërrohet në një person asocial, me nënvleftësim për veten, humbet besimin në vetvete, nuk përshtatet me realitetin post-traumatik, bëhet mosbesues. Të gjitha këto përjetime janë pasojë e një gjendjeje ankthi të rënduar, ngarkesë emocionale të lartë, por edhe depresioni ku pacienti kërkon vetëshkatërrimin. Puna e personelit mjekësor dhe e psikologut në veçanti i rikthen këta njerëz përsëri në jetë me bindjen e thellë se ajo duhet jetuar si më parë. Këtu ndodh metamorfoza e dytë. Ne shpëtojmë bashkëshortët e tyre, familjarët, por mbi të gjitha, ndryshojmë sjelljen e tyre për një marrëdhënie seksuale të sigurt. Pohoj me bindje të plotë se me ndihmën dhe bashkëpunimin doktor-psikolog-personel në tërësi ia kemi arritur qëllimit për më pak të infektuar, të infektuar që jetojnë në mirëqenie dhe më pak plagë ekonomike dhe sociale.
Çfarë mendoni se i vret më shumë, sëmundja apo mentaliteti?
Një ndër shkaktarët kryesorë që ndikon negativisht në përjetimet psikologjike dhe emocionale tek pacientët e infektuar me HIV/AIDS, është diskriminimi social. Kjo për faktin se deri dje këta pacientë e kanë paragjykuar infeksionin. Më pas ata nisen edhe nga fakti se shoqëria do të ketë pritshmëri negative ndaj kësaj sëmundjeje. Në këtë pikë pacienti ndihet i pasigurt dhe i pashpresë.
Klinika Ambulatore
Klinika Ambulatore pranë Spitalit Infektiv prej më se një viti ofron shërbim për pacientët me HIV/AIDS, por edhe për të gjithë personat që kërkojnë të kryejnë testin e HIV/AIDS-it, HbsAg-së, HCV-së, informacion rreth tij të cilat ofrohen falas nga shteti shqiptar. Kjo është një qendër ku diagnostifikohen, trajtohen, këshillohen dhe monitorohen personat me HIV/AIDS. Klinika Ambulatore ofron këshillim para dhe pas testimi, edukim shëndetësor dhe informacion gjatë gjithë evolucionit të sëmundjes dhe mbështetje psiko-emocionale në vazhdimësi për pacientët. Ofron shërbim dhe kujdes shëndetësor falas, ku të gjithë pacientët ndiqen nga mjeku përkatës. Gjithashtu, në këtë klinikë kryhen falas testet e HIV/AIDS-it si dhe çdo muaj të sëmurëve u sigurohet terapia falas me antiretroviral.
Vilson Banushi
Neni 14
Parandalimi dhe kontrolli i HIV/AIDS-it në familje
-Çiftet, para martesës apo gruaja shtatzënë, para lindjes së fëmijës, nxiten për kryerjen vullnetarisht të testit të HIV-it.
-Familjet që kanë persona që jetojnë me HIV/AIDS, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe organizatat që merren me parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it, kujdesen dhe mbështesin këta persona për integrimin e tyre në familje, komunitet dhe shoqëri.