E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: Si u hodh Avdyl Loshaj nga dritarja e katit të 3-të

Dy dëshmitarë kanë vijuar me dëshmitë e tyre procesin gjyqësor në ngarkim të ish-zyrtarëve të SHIK-ut, të akuzuar për veprën penale të “rrëmbimit” në tre raste. Dy dëshmitarët e kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës kanë dëshmuar momentet e shoqërimit të shtetasit Avdyl Loshaj, hedhjen e tij nga dritarja e bazës së SHIK-ut Tiranë, si dhe urdhrin për kontrollin e makinës së Remzi Hoxhës. I pari që dëshmoi para togave të zeza ishte Qerim Cenke, ish-inspektor në bazë të SHIK-ut, ndërsa i dyti, Arjan Hysolli, edhe ky me të njëjtin funksion në atë kohë. Ndërkohë që prokurori Hana u shpreh se në seancën e radhës do të shprehet lidhur me masën e sigurimit për tre të pandehurit që janë duke u gjykuar në gjendje të lirë, Arben Sefgjinin, Avni Koldashin, si dhe Budion Meçen. Në fund të procesit, trupi gjykues i ka kërkuar prokurorit të dhëna mbi të pandehurin Ilir Kumbaro, për të cilin kishte marrë informacione nëpërmjet mediave që ishte vënë në pranga në Londër, duke i kërkuar prokurorit të shprehet edhe për kërkesën e depozituar për masën e sigurisë. Prokurori i ka kërkuar gjykatës që ai të shprehet në seancën e radhës në mënyrë të tillë që të njihet edhe me vendimet e dy shkallëve të tjera.

Dëshmia

Dëshmitari i parë i thirrur nga prokuroria ishte Qerim Cenke. Gjatë dëshmisë së tij, ai është shprehur se në vitin 1995, kur ky ishte inspektor në bazën e SHIK-ut Tiranë, shefi i tij, i pandehuri Ilir Kumbaro, i kishte kërkuar që të merrej me shtetasin Avdyl Loshaj, i cili ndodhej në një dhomë të katit të tretë. Ky i fundit mësohet se i ka kërkuar edhe një tjetër ndihmës, pasi ishte i ri në detyrë. Në ndihmë të tij ka shkuar Arjan Hysolli. “Arjani më tha: “Qerim, ai do të shkojë në banjë”. Unë i drejtohem e i them si veprohet në të tilla raste. Polici na thotë që mund ta shpini. Ishin tri banja, e Loshaj u fut në banjën e tretë në të cilën kishte edhe një dritare. Ne ishim jashtë derës kur dëgjuam zhurmë. Pasi shqyem derën, pamë që Loshajn ishte hedhur nga dritarja duke u kacavjerrë nga tubat e shkarkimit të ujit”, - ka sqaruar dëshmitari. Më pas ai ka shtuar se Loshaj ishte marrë nga forcat e BRISK-ut dhe ishte dërguar në spital, ku i ishte dhënë ndihma e nevojshme. Prej andej ai ishte marrë nga familjarët e tij. Dëshmitari ka bërë me dije se pasi ishte kthyer në bazë, rrugës duke dalë nga puna për të shkuar në shtëpi e ka ndaluar kolegu i tij, Roland Dedej dhe i kishte thënë se duhet të kontrollonin një objekt me urdhër të shefit të tyre, Ilir Kumbaros. Sipas tij, pasi ishin afruar në Unazë, ai e ka pyetur kolegun e tij se ku ishin duke shkuar, e ky i fundit i kishte bërë me dije se po shkonin te Frigoriferi. “Pasi shkuam, Rolandi shkoi te një makinë që qëndronte në cep të parkingut dhe hapi derën. Tek kroskoti mori një portofol, një stekë cigare, e cila ishte gjysmë, ndërsa unë qëndroja duke pirë cigare me rojën e parkingut. Makina ishte e Remzi Hoxhës. Më pas jemi larguar duke shkuar në qendër”, - ka vazhduar së treguari dëshmitari. Sipas tij, kolegu i tij kishte qëndruar afër në disa lokale, ku edhe kishte lënë sendet që mori nga makina.

Reagimi

Por, dëshmia e dhënë dje në seancë nga dëshmitari është hedhur poshtë nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana, i cili ka bërë me dije se urdhrin për kontrollin e makinës së shtetasit Remzi Hoxha e kishte dhënë i pandehuri Arben Sefgjini. Sipas prokurorit, dëshmitari në dëshminë e dhënë përpara grupit të hetimit më 26 shtator të vitit 2003 ka bërë me dije se Sefgjini i kishte dhënë urdhër të kryente një detyrë, e cila ishte kontrolli i makinës së Remzi Hoxhës, veprim ky i cili ishte cilësuar si i ligjshëm. Sipas akuzës, pasi kishte shkuar me kolegun e tij Roland Dedej në fabrikën “Duralumini”, ata kishin marrë nga kroskoti një portofol, dy steka cigare dhe dokumentet e makinës. “Kemi shkuar me makinë deri në kryqëzimin e Kamzës, aty na priste Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro, i kemi dhënë këto sende dhe më pas jemi larguar”, - mësohet të ketë deklaruar përpara hetuesve 5 vjet më parë dëshmitari. Kolegu i tij, Arjan Hysolli, ka treguar sërish momentet e hedhjes nga dritarja të Avdyl Loshaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›