Vendimi; Banda “Rexhina”, 30.4 vjet burg për vjedhjet e makinave
Shpallja e vendimit dhe dënimi me 30.4 vjet burg për katër të pandehurit i ka dhënë fund dje procesit gjyqësor në ngarkim të bandës së famshme për vjedhjen e makinave në kryeqytet dhe në disa rrethe të tjera. Bëhet fjalë për të akuzuarit e bandës “Rexhina”, për të cilët u kërkuan 45.4 vjet nga përfaqësuesi i akuzës dhe që u dënuan me 30.4 vjet nga togat e zeza. Katër të akuzuarit kanë kërkuar qysh në seancën e parë të gjykohen në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e 1/3 së dënimit. Akuza që rëndon mbi ta është “vjedhje në bashkëpunim disa herë”. Mes personave për të cilët është dhënë dje pretenca është edhe i penduari i bandës, Erlind Taullaj, ai që hodhi dritë mbi skemën e përdorur nga grupi për vjedhjen e automjeteve. Togat e zeza dënuan dje me nga 12 vjet burg secilin prej të pandehurve, Edmond e Gentian Neza, 2 vjet e 4 muaj për të pandehurin Dritan Hamiti dhe 4 vjet burg për të penduarin Erlind Taullaj. Ndërkohë që për dy të pandehurit e tjerë, Bujar Sefa dhe Bledar Hasanin është veçuar çështja dhe do të gjykohet nga një tjetër trup gjykues, pasi kanë kërkuar të gjykohen me procedim të zakonshëm. Sipas akuzës, 7 janë episodet që mbërthejnë gjashtë të pandehurit, ndërkohë që shtatë janë edhe dëshmitarët që treguan mënyrën se si u kërcënuan nën armë për të dhënë gjithçka kishin me vete. Midis të grabiturve janë këngëtarja Ermiona Lekbello dhe kreu i Dhomës Kombëtarë të Tregtisë, Gjok Uldedaj. Ndërkohë që ashtu siç edhe përmendëm, Erlind Taullaj është i penduari i procesit "Rexhina", për të cilin u kërkua dënimi me 4 vjet burg. Ky i fundit ka dhënë shpjegime të imtësishme për të gjithë aktivitetin kriminal të kryer nga ana e të pandehurve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për një periudhë 2-vjeçare. Në datën 4 korrik të vitit 2007, Erlind Taullaj ka lidhur një akt marrëveshjeje me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku trajtohet si bashkëpunëtor i drejtësisë. Ky i fundit pritet të ketë edhe përfitime për bashkëpunim me drejtësinë, ndërkohë që në një episod është kërcënuar nga pjesëtarët e grupit për shitjen e makinave me çmime fikse.