Mjekët e poliklinikave “falsifikojnë” vizitat
Mjekët e Sarandës kyçin dyert, mungojnë në punë për të bërë pushime
Kontrolli rutinë i ISKSH-së në poliklinikat e rretheve ka rezultuar fatal për mjekët. Problematikat e evidentuara nga kontrolli kishin mbetur në hije prej kohësh, si shkak i reformave të deritanishme të këtij institucioni, që si pikësynim kanë pasur kryesisht poliklinikat e kryeqytetit. Ndërkohë që situata në qendrat shëndetësore të rretheve ka dalë tërësisht jashtë kontrolli, aq sa bluzat e bardha tashmë nuk paraqiten fare në punë, duke kryer vizita me korrespondencë. Vizitojnë brenda ditës tri herë të njëjtin pacient dhe lëshojnë barna me rimbursim pa kryer asnjë ekzaminim mbi pacientin.
Shkeljet
Abuzimet e bluzave të bardha janë evidentuar në përmasa galopante nga kontrollet e ushtruara nga ISKSH-ja. Qytete si Durrësi, Shkodra, Dibra kanë qenë shënjestra ku janë kryer kontrollet. Në të gjitha qendrat shëndetësore të kontrolluara, ndër drejtimet e kontrollit ka qenë zbatimi i disiplinës në punë nga personeli shëndetësor, ku janë konstatuar mangësi të personelit në shërbim.
Vendin e parë e zë qendra shëndetësore Sarandë, në të cilën mungonte i gjithë personeli shëndetësor. Tashmë mjekët nuk denjojnë as të paraqiten në punë, kjo pasi në fund të fundit, rroga nuk u ndërpritet. Menjëherë pasi është evidentuar kjo shkelje, Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor ka marrë masa për heqjen e një dite pune të gjithë personelit të qendrës shëndetësore dhe rekomandim për masë disiplinore “vërejtje” për drejtoren e qendrës shëndetësore.
Tek qendra e sipërpërmendur, vendimi për braktisjen për një ditë pune ishte marrë kolektivisht. Ndërkohë që ka edhe nga ata mjekë që marrin vendime individuale. Kështu, në qendrën shëndetësore Kodovjat, rrethi Gramsh, një mjek për muaj me radhë nuk shkonte në punë, ndonëse në grafikun e punës ai rezultonte se shkonte çdo ditë. Edhe ndaj këtij mjeku është marrë masa për ndërprerje kontrate individuale me qendrën shëndetësore.
Mjekët
Kartelat e pacientëve paraqesin mangësi. Mungon ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. Mjekët mjaftohen vetëm me përshkrimin e recetës por se ç’bëhet më pas me pacientin, kjo nuk është përgjegjësi e tyre. Ndërkohë, në asnjë poliklinikë të rretheve nuk kryhen ekzaminimet laboratorike apo imazherike për të mbështetur diagnozën, të cilat shërbejnë si tregues të rëndësishëm të diagnostikimit e të vlerësimit të gjendjes shëndetësore të pacientit, për diagnoza si astma bronkiale, insuficiencë kardiake kronike, diabet melitus, ad. prostate. Lëshohen barnat me rimbursim pa kryer këto ekzaminime të rëndësishme.
Mjekët rrisin në mënyrë artificiale numrin e vizitave për pacient. E gjitha kjo nga bluzat e bardha bëhet për të rritur indikatorin e pagesës që përfitojnë nga ISKSH-ja. Vetë mjekët i kryejnë vizitë mjekësore brenda ditës 3 herë të njëjtit pacient. Ndërkohë që mungon identifikimi i personave që përfitojnë shërbim shëndetësor dhe zbatim të tarifave për të pasiguruarit, ku në disa rajone trajtohen “falas” ose “me lekë për mjekun” nga skema e sigurimeve persona të papajisur me librezë shëndeti dhe nuk priten mandatpagesat përkatëse.
Në pjesën më të madhe të qendrave shëndetësore mungojnë grafiku dhe orari i shërbimeve shëndetësore, informimi i të siguruarve për përfitimet nga skema e sigurimeve shëndetësore, ka mungesa të pajisjeve bazë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, ku në raportet e kontrollit janë rekomanduar masa organizative për përmirësimin e gjendjes.
Mungesat
Në kontrollin e aktivitetit të mjekut të përgjithshëm dhe të familjes me kontratë me qendrat shëndetësore të rajoneve të kontrolluara u konstatuan mangësitë dhe shkeljet:
1- Administrimi i kartelës së pacientit paraqitet me mangësi, nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës mjekësore, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. Ka mungesa të theksuara të ekzaminimeve laboratorike apo imazherike mbështetëse të diagnozës, të cilat shërbejnë si tregues të rëndësishëm të diagnostikimit e të vlerësimit të gjendjes shëndetësore të pacientit, për diagnoza si astma bronkiale, insuficiencë kardiake kronike, diabet melitus, ad. prostate. Pra, lëshohen barnat me rimbursim pa kryer këto ekzaminime të rëndësishme.
2- Janë konstatuar të dhëna të pasakta të deklaruara nga mjekët, veçanërisht të indikatorit të pagesës për aktivitet, si plotësim të numrit të vizitave të një pacienti dy-tri herë brenda ditës, vetëm e vetëm për të rritur në mënyrë artificiale këtë indikator pagese, mangësi në plotësimin e dokumentacionit për të dhënat e deklaruara për indikatorët cilësorë, si indikatorin e personave të paraqitur për herë të parë në vizitë te mjeku etj.
Masa të rekomanduara: Ndërprerje pagese për indikatorët e pasaktë të deklaruar dhe masa maksimale gjobe ndaj mjekëve që kanë deklaruar të dhëna të pasakta (mjekë të qendrës shëndetësore Peshkopi, Maqellarë dhe Bulqizë).
3- Problematikë paraqet identifikimi i personave që përfitojnë shërbim shëndetësor dhe zbatimi i tarifave për të pasiguruarit, ku në disa rajone trajtohen “falas” ose “me lekë për mjekun” nga skema e sigurimeve persona të papajisur me librezë shëndeti dhe nuk priten mandatpagesat përkatëse.
4- Janë evidentuar shkelje të protokolleve të përdorimit të barnave dhe të kufizimeve të listës, kryesisht për barnat që përdoren në sistemin kardiovaskular, endokrin, urinar etj.
Pacienti “vizitohet” katër herë në ditë tek i njëjti mjek
Ndër abuzimet më të mëdha të evidentuara gjatë kontrollit të ISKSH-së është deklarimi i rremë i numrit të vizitave të kryera nga ana e mjekëve të qendrave shëndetësore të rretheve. Kështu, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor pohon se “janë konstatuar të dhëna të pasakta të deklaruara nga mjekët, veçanërisht të indikatorit të pagesës për aktivitet, si plotësim të numrit të vizitave të një pacienti dy-tri herë brenda ditës, vetëm e vetëm për të rritur në mënyrë artificiale këtë indikator të pagesës”. Mjekët kryejnë këtë manovrim, duke përfituar në mënyrë ilegale pagesë shtesë në mënyrë abuzive, duke shtuar numrin e vizitave që kryejnë brenda ditës. Ata plotësojnë me mangësi dokumentacionin për të dhënat e deklaruara për indikatorët cilësor, si indikatorin e personave të paraqitur për herë të parë në vizitë te mjeku etj.
Ndaj këtyre subjekteve, ISKSH-ja ka marrë masa deri në ndërprerje pagese për indikatorët e pasaktë të deklaruar dhe masa maksimale gjobe ndaj mjekëve që kanë deklaruar të dhëna të pasakta (mjekë të qendrës shëndetësore Peshkopi, Maqellarë dhe Bulqizë).
Gjoba për mjekët e rretheve
Në zbatim të detyrimeve kontraktuale për shkeljet e konstatuara janë marrë dhe masat përkatëse. Kështu, në Drejtorinë e Sigurimeve Shëndetësore Dibër janë penalizuar 9 mjekë me gjobë në vlerë 64.000 lekë; ndaj 5 mjekëve masa zhdëmtimi në vlerë 17.400 lekë; në Agjencinë e Sigurimeve Shëndetësore Pukë janë penalizuar 4 mjekë me gjoba në vlerë 16.000 lekë dhe 5 mjekë me masa zhdëmtimi në vlerën 28.914 lekë; në Agjencinë e Sigurimeve Shëndetësore Sarandë janë penalizuar 3 mjekë me gjoba në masën 22.000 lekë dhe 1 mjeke me masë zhdëmtimi në vlerën 7.179 lekë.
Në Agjencinë e Sigurimeve Shëndetësore Kavajë janë penalizuar 6 mjekë me gjoba në vlerë 21.000 lekë. Ndërsa në Agjencinë e Sigurimeve Shëndetësore Krujë janë penalizuar 3 mjekë me gjoba në vlerë 13.000 lekë dhe 2 mjekë me masa zhdëmtimi në vlerën 4.281 lekë.
Në total, për 4 muajt e fundit, nga Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm janë rekomanduar për qendrat shëndetësore masat disiplinore “Largim nga detyra si drejtore” për qendrën shëndetësore Delvinë dhe Dushk, “Ndërprerje kontrate” për një mjek në qendrën shëndetësore Kodovjat, Gramsh, “Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” për mjekun e qendrës shëndetësore Dushk, Lushnjë, “Vërejtje” për 8 mjekë dhe 5 infermiere, “Heqje e një dite pune” personelit të qendrës shëndetësore Sarandë. Masa administrative ndaj 25 mjekëve në masën 146.000 lekë dhe masa zhdëmtimi ndaj 13 mjekëve në vlerën 51.118 lekë.
Shkeljet e evidentuara
1-Lëshohen barna me rimbursim pa kryer ekzaminime.
2-Plotësim të numrit të vizitave të një pacienti dy-tri herë brenda ditës, vetëm e vetëm për të rritur në mënyrë artificiale këtë indikator pagese.
3-Trajtohen “falas” ose “me lekë për mjekun” nga skema e sigurimeve persona të papajisur me librezë shëndeti dhe nuk priten mandatpagesat përkatëse.
4-Shkelje të protokolleve të përdorimit të barnave.
5-Mangësi të personelit në shërbim.