E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, nënshkruhet marrëveshja e punës, procedurat e reja të emigrimit



Ministri Duro dhe ambasadori D`Elia nënshkruajnë marrëveshjen

Lehtësohen procedurat e emigrimit, “në duar” të zyrave të punës

U nënshkrua dje marrëveshja dypalëshe në fushën e punësimit dhe emigrimit sezonal mes Shqipërisë dhe Italisë. “Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, dhe ambasadori italian, Saba D’Elia nënshkruan Marrëveshjen dypalëshe në fushën e Punës si dhe të Protokollit Zbatues”, - bëri të ditur Këshilli i Ministrave. Kjo marrëveshje parashikon thjeshtëzimin dhe formalizimin e procedurave të emigrimit sezonal të shqiptarëve drejt Italisë. Tashmë emigrimi do të monitorohet dhe do të “drejtohet” nga zyrat e punës në mbarë vendin, e jo më me aplikimet on-line, që ishin deri më sot.

Procedurat

Procedurat e emigrimit sezonal, deri më tani ishin të drejtpërdrejta me Italinë. Në këtë mënyrë, duhej një emigrant të gjente punë në Itali, e më pas të aplikonte për lejen e posaçme të qëndrimit dhe të punës, nëpërmjet postës ose internetit. Puna e ofruar nga bizneset italiane ishte nominale dhe punëdhënësi duhej të shprehej nëse ishte pro apo kundër kandidatit për të punësuar.

Me anë të marrëveshjes së re, Shqipëria do të përfitojë, sipas burimeve nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kjo, pasi qeveria italiane do të përcaktojë numrin e punonjësve sezonalë që do të vijnë nga Shqipëria, e më pas ky numër do të menaxhohet nga zyrat e punës në mbarë vendin. Këto zyra, së bashku me sportelet e emigracionit që janë çelur tashmë, do të merren me trajnimin profesional të të papunëve që janë të interesuar.

Një kandidat që dëshiron të shkojë në Itali, do të duhet të aplikojë paraprakisht në zyrat e punës. Ai duhet të jetë i regjistruar ndërkaq si i papunë dhe të përfitojë këtë status. Pas aplikimit, ai do të duhet të paraqesë formimin e tij profesional, pra për çfarë është i specializuar dhe nga cili institucion. Nëse aplikanti është i specializuar, atëherë ai kualifikohet për përzgjedhjen finale.

Në të kundërt, zyrat e punës do të zhvillojnë kurse falas kualifikimi, në të cilat do të trajnojnë të papunët për profesione të veçanta. Me përfundimin e këtyre kurseve, ata do të marrin një certifikatë të njohur nga shteti shqiptar dhe ai italian, me anë të së cilës do të mund të kalojnë në fazën e fundit të përzgjedhjes, për ato profesione që kërkohen për punëtorët sezonalë në Itali.

Marrëveshja

Burimet e gazetës bëjnë të ditur se marrëveshja parashikon që emigrimi sezonal të ndërmjetësohet nga zyrat e punës në Shqipëri, të cilat do të kualifikojnë të papunët në vend dhe do t’i dërgojnë ata në Itali për punësim sezonal. Faza e parë e këtij projekti ishin sportelet e emigracionit, të cilat do të kthehen në ndërlidhëse të drejtpërdrejta mes emigruesve dhe shteteve që kërkojnë emigrantë, në mënyrë që të krijohet një instancë shtetërore e menaxhimit të emigrimit sezonal.

Formimi profesional është një tjetër pjesë e marrëveshjes, ku dy vendet zotohen se do të shkëmbejnë eksperienca dhe se Italia do të ndihmojë Shqipërinë në rritjen e nivelit të formimit profesional, që do të ofrohet falas nga zyrat e punësimit. Ky formim do të bëhet edhe “viza” e emigrantëve, pasi vetëm punëtorët e kualifikuar do të mund të emigrojnë në bazë të kësaj marrëveshjeje.

Sportelet e emigracionit

Një hap më afër këtij projekti është hedhur tashmë në vendin tonë, pasi në zyrat e punësimit janë çelur sportelet e emigracionit. Këto zyra do të funksionojnë në cilësinë e institucionit që do të merret me dhënien e informacionit për migracionin. Bëhet me dije se sportelet e emigracionit janë njësi, të cilat nuk do t’u shërbejnë vetëm shtetasve shqiptarë të interesuar për çështje të emigracionit, por këto sportele do t’u shërbejnë edhe shtetasve të huaj të lidhur me imigracionin.

Gjithashtu, në sportelet e emigracionit do të merret informacion për procedurat e rregullta të emigrimit në shtete të ndryshme, nevojat e tregut të punës dhe profesionet konkrete, për të cilat kanë nevojë shtete të ndryshme, informacion për shtetasit e huaj për procedurën e imigrimit në vendin tonë, lejet e punës dhe informacione të tjera.

Sportelet e emigracionit janë hapur pranë drejtorive rajonale të punësimit në të gjitha qendrat kryesore urbane të vendit: Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë. Zyra të tilla janë çelur edhe në Kosovë, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Republikën e Malit të Zi dhe në Republikën e Serbisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›