E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Shaqirit, komisioni e shtyn për arsye teknike

TIRANË- Komisioni hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit, ka anulluar seancën e marrjes në pyetje të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, komisioni bën të ditur se seanca dëgjimore e datës 2 Shkurt 2011, ora 17:00, me Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, për arsye teknike, do të shtyhet për një ditë tjetër. Kaq ka qenë njoftimi pa bërë të ditur më tej se cilat kanë qenë arsyet teknike që kanë sjellë këtë zhvendosje. Burime pranë mazhorancës kanë hedhur poshtë çdo interpretim që është bërë dje edhe mediatikisht, se këto arsye kanë lidhje me mungesën e certifikatës së sigurisë, nga një pjesë e anëtarëve të komisionit hetimor. Sipas këtyre burime, çdo deputet anëtar i këtij komisioni është i pajisur me certifikatën e sigurisë dhe është i gatshëm të marrë në pyetje kreun e SHISH, duke garantuar konfidencialitetin e informacionit që mund të përcjellë ai në këtë komision. Ndërkohë që duke interpretuar termit “teknike”, të përdorur në njoftimin zyrtar, këto burime kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për mënyrën e klasifikimit të informacionit që SHISH duhet të paraqesë para komisionit dhe lidhjes së këtij informacioni me interesat e NATO-s. Madje, siç bëhet e ditur, SHISH është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me komisionin dhe gjatë ditës së djeshme ka paraqitur në mënyrë të shkruar edhe gjithë informacionin e kërkuar nga komisioni hetimor, nëpërmjet një shkrese zyrtare të para disa ditëve, informacion që për shkak të problemeve të klasifikimit është kthyer pas, për t’u ripunuar konform normave që kërkon NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›