E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabulatet e gazetarëve, Berisha: Kërkesa s’ka lidhje me gazetarinë e tyre

Pavarësisht shqetësimit të ndërkombëtarëve dhe shoqatave të gazetarëve, Kryeministri Berisha nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij për katër gazetarët Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakulli dhe Mero Baze

TIRANË Në fjalimin e tij të gjatë para anëtarëve të kabinetit qeveritar, për buxhetin afatmesëm 2011-2013, Kryeministri Berisha ka folur edhe për një çështje krejt tjetër, që lidhet pikërisht me kërkesën e anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar, për të marrë tabulatet e katër gazetarëve, Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakulli dhe Mero Baze. Edhe pse shqetësimet për këtë kërkesë kanë ardhur edhe nga ndërkombëtarët, Kryeministri Berisha ka deklaruar dje në mbledhjen e qeverisë se, kërkesa për katër gazetarët është bërë për shkak të implikimeve të tyre, sipas tij, direkte, mbi ngjarjen e dhunshme të 21 janarit. “Në konceptin tonë, Shqipëria europiane është Shqipëria e shoqërisë së lirë, e respektimit të plotë, të lirive dhe të drejtave njerëzore, para së gjithash dhe mbi të gjitha e respektimit të plotë të lirisë së mendimit dhe të shprehjes së tij. Ne do të mbajmë standardet më të larta të mundshme. Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kufizim në ushtrimin e këtyre lirive. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë proces ndaj medias së lirë dhe të pavarur. Dua të theksoj edhe njëherë atë që theksoi komisioni parlamentar, që një hetim parlamentar për tre-katër gazetarë nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e tyre dhe unë ju garantoj për këtë, por ka lidhje me implikimet direkte, në urdhra direkte, të dhunës dhe puçit dhe me veprime të tjera, që do t’i bëhen të ditura publikut. Dhe kurrë ndonjëherë në këtë vend, sa të jemi ne në pushtet, një gazetar nuk do të gjykohet, nuk do të paditet, nuk do të pësojë, për opinionin e tij, për shkrimin e tij, për mendimin e tij, por tjetër gjë është gazetaria dhe tjetër është implikimi në veprime konkrete, që nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë, por kanë lidhje me veprime të tjera”, - tha Berisha. Por ndryshe nga qëndrimi i kryeministrit, dy ditë më parë, drejtori menaxhues për Ballkanin, Miroslav Lajçak, e paralajmëroi qartazi mesazhin e BE-së mbi lirinë e medias. “Siç e dini, ne po i ndjekim nga afër zhvillimet dhe ajo çfarë duhet të ndodhë, ajo çfarë Shqipëria duhet të bëjë, është që të fokusohej në axhendën europiane. Këtë e kemi përsëritur shpesh, se do të shohim të gjitha aspektet e ndryshme për atë çfarë po ndodh dhe Miroslav Lajçak do të diskutojë mbi këtë pikë të enjten. Ju e njihni qëndrimin tonë mbi të drejtën e fjalës, lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes dhe kjo është një çështje që do t'jua bëjmë shumë të qartë. Më shumë se kaq, nuk mund të them për momentin”, - është shprehur Maja Koçijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së. Të jashtëligjshme e kanë cilësuar kërkesën edhe shoqata të gazetarëve vendas, por edhe ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›