Topi s’dëshmon në komisionin hetimor, Peçi: Kërkesa jo ligjore
Presidenti i Republikës e cilëson në kundërshtim me ligjin edhe vënien në dispozicion të komisionit të tabulateve telefonike. “Kërkesa të kësaj natyre, mund të paraqesë vetëm prokurori”, - tha Peçi
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk do të dëshmojë sot në komisionin hetimor parlamentar, ku marrin pjesë vetëm 6 deputetë të Partisë Demokratike. Këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës, Spiro Peçi, ka deklaruar dje se kërkesa e 6 anëtarëve të mazhorancës, në komisionin hetimor, për të zhvilluar një seancë pyetjesh me Presidentin e Republikës është në kundërshtim me ligjin. “Presidenti i Republikës ushtron kompetencat e tij, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në mbështetje të nenit 92, germës “h” të Kushtetutës, Presidenti është autoriteti që kërkon të dhëna me shkrim, pra informacione nga drejtuesit e institucioneve shtetërore, për çështje që kanë bëjnë me veprimtarinë e tyre. Pra, Presidenti ka të drejtën e informimit, por jo detyrimin për të informuar. Kërkesa në fjalë e Komisionit Hetimor, pa përmendur objektin e saj, që në vetvete përmban elementë, që realisht pengojnë kthimin e një përgjigjeje, është e pakuptimtë për aq kohë sa po ky komision, me shkresën e datës 31 janar 2011, thërret Presidentin e Republikës për t’u paraqitur në komision në orën 17:30 të datës 3 shkurt, me qëllim realizimin e një seance pyetjesh lidhur me objektin e hetimit të këtij komisioni hetimor”, - tha dje Peçi. Këshilltari ligjor sqaroi se Presidenti i Republikës shpreh gatishmërinë për t’ju përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, por vetëm në përputhje me ligjet e këtij vendi. “Dëshirojmë të theksojmë se komisioni hetimor në kërkesën e vet, që Presidenti i Republikës të paraqitet para tyre për të dëshmuar, është në kapërcim të kompetencave duke shkelur ligjin. Dihet se komisionet hetimore të Kuvendit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, sidomos për metodikën e hetimit, në përputhje me dispozitat e Kodit për Procedurën Penale (pika 2 e nenit 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit). Referuar këtij detyrimi ligjor, po ju lexoj nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale, që titullohet “Marrja e dëshmisë së Presidentit të Republikës dhe të nëpunësve të shtetit”, në të cilin thuhet: 1.Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionet e Kryetarit të Shtetit...”, - tha Peçi, duke vijuar sa më sipër, Presidenti nuk mund të thirret për t’u paraqitur ashtu siç kërkon komisioni hetimor. “Në këto kushte edhe njëherë, duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit, për t’iu përgjigjur pyetjeve të komisionit hetimor”, - tha ai.
Tabulatet
Presidenti i Republikës e cilëson në kundërshtim me ligjin edhe vënien në dispozicion të komisionit të tabulateve telefonike. Duke cituar ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, që flet për tabulatet telefonike, Peçi sqaroi se skedarët i vihen në dispozicion vetëm autoritetit, që përcakton Kodi i Procedurës Penale. “Përgjigjen e gjejmë në pikën 1, të nenit 222 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se “regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës”, pra elementë që përmend ligji që sapo citova, ajo çka njihet si tabulate, ligji autorizon vetëm prokurorin për marrjen e tyre. Nga kjo, del e qartë se kërkesa të kësaj natyre, mund të paraqesë vetëm prokurori, përndryshe me logjikën e komisionit hetimor, se ka të drejtë të paraqesë kërkesa të tilla dhe të administrojë dokumente të kësaj natyre, komisionin nuk do ta pengonte asgjë për të kryer veprime që ligji i atribuon vetëm prokurorit dhe gjykatës, siç janë arrestimet, vënie nën sekuestro, pse jo dhe dhënien e vendimeve penale”, - tha Peçi. Ai iu përgjigj më pas edhe disa pyetjeve, duke u përgjigjur kësaj here në cilësinë e juristit dhe jo të këshilltarit ligjor të Presidentit. Në argumentimin e tij juridik, Peçi tha se komisioni hetimor parlamentar është i jashtëligjshëm.
N.Perndoj