Dëshmia e Shkurtës: Rozana, lidhje të hershme me Ermalin
Tiranë- Sherri tashmë publik mes këngëtareve Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta ka përfunduar në dyert e Gjykatës së Tiranës, ku Shkurta do të shkojë si e pandehur për akuzën e plagosjes së lehtë me dashje. Gjatë hetimeve të kryera në prokurori, Rezarta Shkurta ka akuzuar kolegen e saj si autore të sulmit, duke pohuar se marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë të sinqerta. Si një nga motivet përse marrëdhëniet e tyre kanë qenë jo të sinqerta dhe të ftohta, Shkurta thotë se bashkëshorti i saj ka pasur një lidhje të hershme me këngëtaren Rozana Radi. Pas përfundimit të hetimeve dhe dërgimit të çështjes në gjykatë, zbardhet edhe dëshmia që Shkurta ka dhënë në prokurori para se t’i komunikohej akuza e plagosjes së lehtë me dashje. Sipas kërkesës për gjykim, që tashmë ndodhet në gjykatë, thuhet se gjatë dëshmisë së saj këngëtarja Rezarta Shkurta ka sqaruar se ka pasur konflikt me Rozana Radin dhe se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë e sinqertë. “Rezarta Shkurta sqaroi se ka pasur konflikt me shtetasen Rozana Radi dhe marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë të sinqerta, pasi Rozana ka qenë e lidhur para shumë kohësh me shtetasin Ermal Hoxha, bashkëshortin e Rezartës” - thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Më tej, në dëshminë e saj Rezarta ka sqaruar se konflikti mes saj dhe Rozanës ka nisur në një emision televiziv të zhvilluar në Kosovë. “Në lidhje me ngjarjen, Rezarta shpjegon se nuk ka sulmuar Rozanën dhe se ajo ka qene në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi është sulmuar nga Rozana. Rezarta mohon që ta ketë goditur në fytyre Rozanën” - thuhet në dosjen e prokurorisë. Por e dëmtuara nga ky konflikt, Rozana Radi, jep një tjetër version që, sipas prokurorisë konfirmohet edhe nga provat e tjera, siç është edhe akt-ekspertimi mjeko-ligjor me nr.1337 datë 06 dhjetor 2010. Sipas këtij akt ekspertimi, rezulton se tek e dëmtuara Rozana Radi konstatohet hematomë përreth syrit të majtë, të shoqëruar me infiltrim hemorragjik të sklerës, një ekimozë. Duke përshkruar fabulën e ngjarjes, ku mbeti e dëmtuar këngëtarja Rozana Radi, prokuroria thotë se “në datën 06 dhjetor 2010, rreth orës 03.00 e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi, duke e goditur atë me grushta në pjesën e fytyrës. Si pasojë e këtyre goditjeve, Rozana Radit i janë shkaktuar dëmtime që klasifikohen si plagosje e lehtë”.