E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi shokun me thikë, arrestohet

BULQIZË-Një i ri në një fshat të Bulqizës është plagosur pardje rëndë me thikë, ndërkohë autori i dyshuar për këtë ngjarje është arrestuar dje paradite nga efektivët e policisë së Qarkut Dibër. Policia njoftoi se të hënën rreth orës 12.20 të rinjtë Alton Neziri dhe Blerim Bici, banorë të fshatit Strikçan në komunën e Zerqanit, janë parë së bashku në rrugët e këtij fshati, ndërkohë pas pak kanë mësuar lajmin se Neziri ishte plagosur keq me thikë dhe se ishte dërguar me shpejtësi në drejtim të spitalit të Peshkopisë. “Fillimisht ata u zunë. Nuk e dimë cili ishte shkaku, por shkëmbyen fyerje me fjalë të rënda dhe pastaj Bici, 23 vjeç, nxori nga brezi një thikë dhe iu nguli disa herë shokut të tij Alton Neziri. Nuk patëm asnjë mundësi të ndërhynin për t’i ndarë. Dërguam Altonin në spitalin e Peshkopisë, ndërsa Blerimi u ngjit në bjeshkë me shpejtësi. Policia erdhi shpejt në vendin e ngjarjes, por ajo nuk mundi të kapë autorin dhe as të parandalojë krimin”- i thanë dëshmitarë okularë policisë që mbërriti në vendin e ngjarjes. Mjekët konstatuan se gjendja e Nezirit paraqitej e rënduar për shkak të plagëve të marra në organe jetësore dhe kërkuan dërgimin e tij në Spitalin Ushtarak Tiranë. Shkaku i vërtetë i ngjarjes nuk dihet, por policia është mjaftuar duke thënë se ajo ndodhi për motive të dobëta. Ndalimi i këtij shtetasi është bërë për konsumim të veprave penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” parashikuar nga neni 88 e 279 te Kodit Penal. Ditën e djeshme tek vendi i quajtur “Ura e Çerenecit” në rrethin e Bulqizës, për motive të dobëta ka plagosur rëndë shtetasin Alton Neziri, 23 vjeç nga fshati Strikçan, komuna Zerqan të rrethit Bulqizë. I dëmtuari Alton Neziri, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin rajonal të qytetit të Peshkopisë është dërguar për në QSUT për një ndihmë më të specializuar, pasi gjendja e tij shëndetësore paraqitej e rëndë.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›